Një djalë Bulqize ose meraku i një kampioni

7 Shtator 2016, 18:59Blog TEMA

Gafur MUKA

Kur takon Ismail Ketën, fillimisht nuk ke ndjesinë që po takon një kampion të madh përkundrazi, ndjesia e parë është që po takon një njeri, vlerat bazike të të cilit janë thjeshtësia, mirësia dhe vendosmëria. Me sytë e qeshur, me sinqeritetin e mirëlexueshëm, me gadishmërinë për të marrë përsipër përgjegjësi, jo vetëm në shërbim të vetvetes, familjes, gjithë rrethit fisnor por edhe të komunitetit, Ismaili të imponon vlerësim e respekt. Flet qetë por jo pa emocion. Emocionin ia jep investimi për të realizuar, pa kthim prapa, objektivat e tij humane e profesionale. Nuk flet thuajse aspak për arritjet, të cilat janë në kufinjtë e të pabesueshmes për një individ që, deri në moshën 21 vjeçare, ëndërronte të bëhej sportist por, gjithë stërvitjen për këtë qëllim e kryente thjesht me mjete rrethanore. Kaq të madhe e kishte dëshirën për të pasur forcë brenda vetes sa stërvitjen e kryente në mënyrë të pandërprerë, si të ishte i federuar për ndeshjen e rradhës. Ai e donte forcën, pasi mendonte që ajo do t’i bëhej krah, për të realizuar vetveten. –Kur isha i vogël, nuk hezitoja të futesha në “betejë” kur dikush u binte në qafë atyre që nuk e kishin forcën fizike. Kështu e krijoi, dita-ditës, profilin e njeriut me të cilin nuk bëhej shaka. Ai vërtet nuk të binte në qafë, por edhe nuk duronte që dikush t’i binte në qafë atij apo edhe atyre të pafajshme, që trilli i “të fortëve” donte t’i poshtëronte. Kështu, me kalimin e viteve, tek ai forcohej vazhdimisht vetëdija, që forca do t’i sillte dobi. Me hapjen e vendit, Ismaili kërkoi pikërisht ta realizonte, atje ku të mundte, dobinë e forcës së tij. Fati e deshi që pas shumë peripecish të arrinte në Gjermani, në qytetin e Würzburgut, ku u punësua si “security”. Është e qartë që një “security” si armë të parë ka forcën. Dhe forca manifestohej në gjithë fizikun e Ismailit. Aq e dukshme ishte kjo sa specialistët e boksit nuk hezituan fare t’a përfshinin në planet e tyre për t’a nxjerrë sa më shpejt në ring. Kam patur fatin ta takoj për herë të parë Ismailin, kur ai ishte nënkampion bote në tai e kik boks në vitin 2001. Në atë vit jam njohur edhe me trainerin e tij Detlef Thürnau, i cili ishte shumë entuziast, jo vetmë për arritjet e Ismailit por edhe për perspektivën e tij. Dhe, djali nga Bulqiza, nuk pati asnjëherë “kthim prapa” në realizimin e ëndrrave të tij falë sedrës së tij, kurajës së tij, punës stërvitore prej vullnetmadhi dhe, padyshim, edhe mbështetjes gjermane në daç në infrastrukturë, në daç në profesionalizëm, në daç në fansa. Ai shpejt i pushtoi zemrat e tyre por, më zemërzjarrtët në mbeshtejen e tij u bënë fansat shqiptarë pasi Ismaili, edhe pse me flamurin gjerman identifikohej në ring me simbolet shqiptare të dizenjuar në veshjet e tij.

Nuk dua të ndalem në sukseset e Ismailit, pse ato tashmë janë të listuara kudo ku shfaqet emri i tij por, në punën për të zbuluar e realizuar talente, kudo që ato ndodhen veç, para së gjithash, atje në vendlindje, e cila është jo vetëm një dashuri e veçantë e Ismailit por edhe një rezervat talentesh të rrallë. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për Gjetanin, apo pjestarët e tjerë të fisit Keta, por edhe për shumë e shumë të tjerë, që vetëdija dhe besimi i Ismailit i ka brenda vetes. Ai tashmë i ka realizuar projektet për ngritjen dhe funksionimin e dy palestrave (një  në Mynih dhe tjetra në Tiranë) emri i mirë i të cilave tërheq të interesuar për sport duke filluar qysh me ata që duan të trajtojnë e mbajnë në formë fizikun e tyre e, duke vazhduar me ëndërrimtarë e aspirues medaljesh kampionësh kombëtarë e botërorë, për t’u shpërblyer ashtu si Ismaili e Gjetani. Por meraku i djalit të Bulqizës është mungesa e një qendre sportive atje  ku atij i “ka rënë koka”. Ai është i bindur se Bulqizës i duhet kjo qendër në rradhë të parë që të rinjtë t’a zënë kohën, jo duke u sorollatur rrugëve, jo duke u përleshur për hiçmosgjë me njëri tjetrin, jo duke ëndërruar kotësinë e vanitetin, jo duke rëne pre e grackave fetare por, duke u marrë me sport për të jetësuar dobinë e një fiziku që forcohet vazhdimisht, trupëzimin e një ëndrre që  bëhet realitet, besimin në shanse për t’u bërë dikush e, pse jo, edhe Ismailë e Gjetanë të ardhshëm.

Ismail Keta flet qetë, veçse bindshëm për këtë projekt të tij. Flet si një kampion i madh, flet si një trainer punëshumë, rezultatlartë e besimplotë, flet si një prind i përkushtuar, flet si një vizionar i realizuar, flet si një djalë bulqize, jo thjesht për t’a dëgjuar por… edhe për t’a ndjekur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje