Ta lëmë të shenjtë Nënë Terezën

7 Shtator 2016, 09:48Blog TEMA

Nga Agustin Palokaj

Vështirë të ketë pasur ndonjë ditë tjetër më herët që emri shqiptar të jetë përdorur kaq shumë në aq shumë gjuhë të botës, në aq shumë media të botës sikurse ndodhi këtë të diel, kur shumë televizione bënin transmetimin direkt të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës.

Gjithkund përmendej se ajo vinte nga një familje shqiptare. Në atë transmetim ishte e pamundur të mos shiheshin flamujt kombëtarë shqiptarë dhe flamuri i Kosovës. Nëpër shumë media në shumë vende bëheshin përpjekje që të gjejnë ndonjë lidhje të atij vendi me Nënë Terezën. Dhe si një e shenjtë e kohës sonë, pra kohës moderne, ajo kishte udhëtuar shumë dhe gjithkund gjendej ndonjë gjurmë të cilën e ka lënë ajo. Në Shkup, ku ka lindur, në Shqipëri ku i kanë vdekur nëna dhe motra, në Kosovë nga kishte prejardhjen e ëma e saj dhe ku jeton populli i saj, në Kroaci, ku ishte ndarë për herë të fundit me nënën dhe ku për herë të parë kishte themeluar shtëpinë e rendit të saj në një vend komunist, në Belgjikë, ku kishte ardhur në vizitë dhe kështu me radhë.

Aktivisti i ndjerë nga Kosova, Gani Azemi, tregonte se si gjatë një vizite në Belgjikë, në një tubim të madh me përfaqësues shtetërorë, ku ishte vështirë t’i afrohej dikush, ai kishte përfituar duke i dërguar përmes rojave porosinë se është një përfaqësues shqiptar nga Kosova që do ta takojë, dhe ajo kishte kërkuar që ai t’i afrohej dhe ta takonte. Televizionet të dielën intervistonin njerëzit nëpër rrugët e Vatikanit, Kalkutës, Shkupit. Përmes lidhjeve direkte flisnin ekspertët. Dhe askush, ama askush nuk e mohonte përkatësinë e saj shqiptare.

Madje në disa transmetime pikërisht fakti se ishte shqiptare përmendej si një prej arsyeve pse ajo që në fëmijëri ka mundur të jetë aq e hapur ndaj feve të tjera, ndaj fesë myslimane të cilës i përkasin shumica e bashkëkombësve të saj shqiptarë, fesë ortodokse të cilës i takonin shumë bashkëqytetarë të saj në vendlindje, maqedonas e shqiptarë.

Ajo, edhe pse ka qenë një motër e një rendi katolik, nuk ka bërë dallime. Sikur të kishte jetuar para 500 vjetësh, mund të kishim dilema rreth kësaj, por ka jetuar në kohën tonë, në kohën e zhvillimit të mediave, dhe, me gjithë shumë kontradikta që paraqesin njerëzit, duke shfrytëzuar edhe të drejtën e tyre të shprehjes, nuk ka dilema se ajo nuk pyeste për përkatësinë e askujt kur duhej ndihmuar që të gjejnë shpëtim, në shumë raste së paku duke ofruar një vdekje të denjë njerëzore.

Dhe kemi arsye të jemi krenarë pse Nënë Tereza qëlloi të ishte shqiptare. Pse të mos mburremi me këtë fakt kur të tjerët mburren edhe me një simbolikë të vogël, qoftë edhe me sandalet e saj të shqyera që ruhen në Zagreb, kur miqtë ia blenë një palë të reja.

Populli shqiptar, në kërkim të unitetit të cilin e kanë rrezikuar edhe politikanët me acarimin e raporteve mes vete, që reflekton si rrjedhojë edhe në popull, edhe nxitës të ndryshëm të urrejtjes, qoftë fetare apo politike, apo tjetër fare, mund të frymëzohet edhe nga Nënë Tereza.

Dhe ajo është një frymëzim i shkëlqyeshëm për ata që besojnë, madje i shenjtë. Edhe ata që nuk besojnë në mrekulli, sipas rregullave të Kishës Katolike, besojnë në shenjtërinë e saj gjatë jetës, sepse e kanë parë atë. Nënë Tereza, si rrallë ndonjë shenjtor tjetër, është frymëzim për pjesëtarët e të gjitha feve, e edhe për ata që nuk besojnë.

Në këtë kohë të krenarisë një gjë nuk duhet bërë. Nuk duhet politizuar Nënën Terezë. Nuk duhet shfrytëzuar edhe atë për të promovuar politikanët tanë, të cilët nuk lënë asgjë që bëhet e famshme në botë, as sportin, as muzikën e as shenjtërimin, pa e përdorur për interesat e tyre.

Liderët politikë të Kosovës, edhe të Shqipërisë, ishin në Vatikan në shenjtërimin e Nënë Terezës, dhe mirë që ishin. Por shumë qytetarë që do të donin të ishin atje nuk patën mundësi, pikërisht se për shkak të këtyre politikanëve ata janë ende të izoluar dhe nuk mund të udhëtojnë pa viza. E portalet në gjuhën shqipe përcollën ngjarjen sikur Nënë Tereza të ishte shpallur e shenjtë me rastin e qëndrimit të politikanëve shqiptarë në Vatikan e jo e kundërta.

Nuk do të kalojnë shumë ditë dhe të gjithë do të kthehen në shtëpi. Do të kenë mundësi shumë shpejt të dëshmojnë se a i ka iluminuar drita e Shën Terezës. Si do të sillen ndaj kundërshtarëve politikë, ndaj njëri-tjetrit, ndaj popullit. Me sa përkushtim do të punojnë për të varfrit. A do të jenë tolerantë ndaj jotolerancës, e madje edhe të thurin lavde për personat që kanë fyer Nënë Terezën.

Të shpresojmë se kjo ngjarje do t’ua ndezë zemrat, do t’ua shndrisë shpirtin, do t’ua qetësojë mendjen e kjo t’i bëjë më tolerantë, më të vendosur dhe më të urtë. Vetëm një pjesëmarrje në një ceremoni shenjtërimi nuk i bën ata më të mirë automatikisht.

Koha Ditore

2 komente në “Ta lëmë të shenjtë Nënë Terezën”

  1. tfgs1 says:

    c’lidhje ka Shen Tereza me sunitet shqipfoles qofshin keta njethundrake ne Kosove,Shqiperi,Skopje etj…..!!!??
    Jo per gje por do te na zemerohet edhe Erdogani apo Davoutoglou,se nese je nje ”gjaku” apo birazer me sunitet shqipfoles automatikisht je edhe me turqit…………..!!!!
    MJAFTE me me HYPOKRISIA!
    SUNITET apo SHIITET shqipfoles nuk jane shqiptare,por turq,kjo eshte e VERTETA!

  2. Feja e shqiptarit eshte shqiptaria says:

    Une nuk krenohem me Gonxhe Bojaxhiun, Terezen apo quajeni se te doni. Mburrem me Fan Nolin, Migjenin, Ismail Qemalin, doktor Polenen me shoke qe bene çmos te permiresonin jeten e shqiptareve. Per ne si shqiptare vepra e saj nuk ka pasur asnje ndikim. Tamam tamam nuk ka permiresuar ekzistencen e askujt ne bote, pasi me fanatizem kenaqej kur njerezit qe jepnin shpirt vuanin. Ne asnje çast te jetes dhe veprimtarise se saj nuk u pri nga shqiptarizmi apo dashuria per kombin e vet, por per t’i sherbyer besimit te saj qe ne ditet e sotme eshte kaq anakronik. Atyre qe mburren me Terezen qe nuk ishte nene, i ftoj te mos i vaksinojne te bijte, te mos u drejtohen mjekeve e doktoreve, por te jene te lumtur kur vuajne ata e familjaret e tyre se Tereza do i prese ne dyert e parajses. Pjesa tjeter e botes e ka harruar qysh te dielen ne darke bashke me nje sere shenjtoresh qe ne jete ishin perverse e sadiste.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje