Vonesat e PD për ligjet e “Drejtësisë”, shpëtojnë 3 ish-ministra të Berishës dhe bllokohen çështjet në gjykim

8 Shtator 2016, 09:22Kronika TEMA

Nuk është e pamenduar mirë vonesa që politika dhe në veçanti opozita u bën miratimit të ligjeve që mundësojnë implementimin e reformës në drejtësi.

Por dhe vonesa e Presidentit Bujar Nishani që të dekretojë ligjin e miratuar ditë më parë për “Vettingun”.

Pasi politika shqiptare i ka mundësuar organit qendror të akuzës një alibi të fortë, për të mbyllur të gjitha dosjet e nxehta të korrupsionit dhe krimit, ku nën akuzë janë ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë etj.

Paralizimi i Prokurorisë së Përgjithshme, me anë të Kushtetutës së re, duke i hequr të drejtën për hetimin në juridiksion fillestar të deputetëve dhe ministrave deri në ngritjen e SPAK, mund të ketë edhe prapaskena politike.

Prokuroria e Përgjithshme është i vetmi institucion, për të cilin nuk është parashikuar dispozitë transitore. Kushtetuta e re parashikon kalimin e të drejtës së hetimit në juridiksionin fillestar në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Por, mungesa e ngritjes së SPAK dhe e dispozitës kalimtare në Kushtetutën e re, ka bllokuar veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, duke rrezikuar mbylljen e çështjeve nën hetim dhe në gjykim.

Në listën e zyrtarëve të lartë, të cilët kanë llogari të hapura me Prokurorinë janë edhe tre ish-ministra të Sali Berishës.

Bëhet fjalë për ish-kryefinancierin Ridvan Bode, ish-ministrin e METE, Genc Ruli dhe ish-ministrin po të METE, Florjon Mima, të cilët janë kallëzuar në prokurori për privatizimin e OSSH, nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila pas një procesi auditimi ka konstatuar 414 milionë euro dëm.

Të tre të akuzuarit kanë statusin e deputetit, ndërsa Prokuroria nuk ka një vendim për kallëzimin. Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të marrë asnjë vendim, as të pushojë çështjen dhe as të referojë dosjen për gjykim në gjykatë, ndërsa tejkalimi i afateve favorizon të lartpërmendurit.

Në pikëpyetje vihen edhe hetimet për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, i cili është marrë nën hetim nga Prokuroria për pavërtetësinë e të dhënave në formularin e dekriminalizimit.

Po ashtu, ky ngërç ligjor favorizon edhe anëtaren e pezulluar të Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e cila akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsionin pasiv.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme, në këtë situatë, nuk mund të marrë nën hetim apo të kërkojë arrestimin e asnjë funksionari të lartë në kushte flagrance, edhe nëse kryejnë një krim të rëndë, pasi çdo veprim i Prokurorisë bie ndesh me Kushtetutën e re.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje