DETAJET/ Biznesmeni libanez u rrah në sy të gruas dhe fëmijës, autorët e filmuan. Hetim banorëve që kundërshtuan resortin në Lalëz

12 Shtator 2016, 09:05Politika TEMA

Investitori amerikano- libanez ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli.

Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë për “Panorama” se ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hemtoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer.

Kanë qenë 3 persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit, paraditen e djeshme. Ndërsa sipas dëshmisë që ai dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njëri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën.

Sipas burimeve, ky veprim i kryer nga ana e autorëve tregon se ata mund të kenë qenë të porositur për sulmin nga persona të tjerë dhe filmimi u është nevojitur si provë për të treguar se porosia është kryer.

Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij.

Burimet thanë se makina ka qenë me targa italiane, të vjetra, që pas verifikimeve nuk kanë rezultuar të ketë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptare. Targat mund të jenë të vjedhura dhe janë përdorur enkas për të kryer sulmin ndaj sipërmarrësit 55- vjeçar Fadi Mitri.

Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë për një sulm të paramenduar dhe të qëllimshëm nga ana e autorëve dhe aspak për një ngjarje aksidentale, ashtu siç u tha dy ditë më parë në njoftimin paraprak të Policisë.

Hetim banorëve që kundërshtuan resortin

Fadi Mitri, biznesmeni që u sulmua të shtunën në rrugën e Rinasit, është një prej përfaqësuesve të miliarderëve të Katarit.

Ai është edhe administrator i kompanisë nga i njëjti vend, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Edhe sulmi ndaj tij dyshohet paraprakisht se ka lidhje pikërisht me këtë investim që do të kryhet.

Të paktën këto janë dyshimet e para të Policisë, nisur nga ato çka vetë sipërmarrësi i huaj ka deklaruar pas sulmit, shkruan “Panorama”. Sipas dëshmisë që ai ka dhënë para hetuesve, mësohet se autorët që e kanë sulmuar e kanë kërcënuar duke i thënë: “Ik nga Shqipëria, ose ndërprit punimet…”.

Por, një tjetër element që përforcon edhe më shumë këtë pistë të ngritur nga grupi hetimor, është një incident i ndodhur 5 vjet më parë, në vendin ku është projektuar ndërtimi i këtij resorti, raporton “Panorama”.

Në vitin 2011, banorët e Gjirit të Lalzit protestuan për ndërtimin që do të kryhet aty, duke prishur edhe rrethimin që ishte vendosur nga kompania në atë zonë. Për këtë arsye, mes 12 personave të shoqëruar nga Policia e Tiranës dhe Durrësit si të dyshuar për ngjarjen, janë edhe disa banorë nga Gjiri i Lalzit dhe fshatrat përreth.

Leja për resortin

Leja e ndërtimit për resortin 180 milionë eurosh të kompanisë nga Katari u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Por burime zyrtare pranë Financave thanë se leja zhvillimore ishte miratuar nga qeveria Berisha.

Me një shkresë të datës 10 maj 2013, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin e lejes zhvillimore komplekse për ndërtimin e resorit turistik “Omnix Albania”, në Gjirin e Lalzit, komuna Ishëm, qarku Durrës.

Nga ana tjetër, një vendim i qeverisë i marrë në muajin gusht të këtij viti për shpyllëzimet, përcakton se sipërfaqja pyjore prej rreth 28 hektarësh në ngastrat 70 A, B, C, D, të ekonomisë pyjore “Rrotull”, do të përdoret nga shoqëria “Omnix Albania”, për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial.

Vendimi i datës 13 korrik 2016, i botuar në Fletoren Zyrtare, parashikon heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes prej 28.018 hektarësh, në ekonominë pyjore “Rrotull”, të ndodhur në Gjirin e Lalzit, që të përdoret për ndërtimin e një kompleksi turistik rezidencial, hotelier.

7 komente në “DETAJET/ Biznesmeni libanez u rrah në sy të gruas dhe fëmijës, autorët e filmuan. Hetim banorëve që kundërshtuan resortin në Lalëz”

  1. Flamur says:

    More nuk po del ndonjë gazetar të na thotë si ka marrë tërë ata hektarë tokë falas nga shteti një kompani pa asnjë aktivitet turistik dhe bile në vendin më të preferuar Lalëz dhe si ky peson ka ndenjur 10 vjet në Shqipëri duke pritur leje ndërtimi ndërkohë që një kompani serioze do kishte ikur me kohë. Historia është e thjeshtë. ….një mashtrues vjen në Shqipëri si shumë të tjerë me projekt gjigant dhe kërjon të zhvasë ndonjë tokë më bregdet…..në fillim gjen mbështetje te berushjanët paguan ca para e i japin një tokë shumë të mirë falas……pastaj pazari prishet se i kërjojnë shumëmpër lejen e ndërtimit e ai nuk ka shumë para se ai do vetëm ta marrë e ta shesë atë tokë e leje ndërtimi te ndokush tjetër…..kështu për shumë vite pret me besim ardhjen e socialistëve në pushtet se ata janë varfëruar nga shumë vite opozitë dhe do ulin çmimet për të mbushur xhepat sa më parë……më në fund arriti të gjente personin e duhur mes ramistëve me çmimin e duhur dhe merr lejen e ndërtimit por….. ndërkohë asaj toke të rrethuar e të mbetur bosh ja kanë vënë syrin njerëz të tjerë të sorollopit të tij që sulen to japin një dru në mes të rrugës. Kjo është historia shkurt dhe këtë e kuptojë tërë shqiptarët se histori të tilla përsëriten në republikën tonë të bana neve.

    1. Pilo Lala says:

      Rrahja eshte tipike e sitilit te bodyguardve te Berishes nga Mamurrasi.
      Kush di ndonje mer, ta thote, te ndihmoje per hetimin.

  2. SUL Pumi says:

    Mafja ka gjynjezuar shtetin . …Hajde dhe mere vesh kete pisllik. Natyrisht aresyet nga shteti dihen , por pislliku ku jane te perlyer fshehet . Per deri sa , nuk ka transparence nga vete kryeministri RAMA , per gjirin e LALZIT :: …. Kush mund te me ndihmoje , se keto toka ku po investohet mund te jene prone e Gjygjtarit te ndjere Konomit. Dhe prap do pagojme ne delet popull , miliardat nga taksat tona , si para nje jave shumen e 22 milonave EURO vetem per tre pronare , kunder shtetit shqiptar ne strasbourg . .. E tmereshme , po shkon per lesh shqiperia, nuk mban asnjeri pergjegjesi , per rrenimin total te shtetit shqiptar , , nga mafja brutale qe dirizhohet nga lart .

  3. Nallbani says:

    Ne Kosove kemi edhe ma shum probleme me mafien e xhamive te financuara nga magjupet e Emirateve, te drejtuara nga imamet analfabet dhe politikanet e korruptuar, shiqoje videon ma poshte:
    http://zeri.info/aktuale/101424/xhamia-qe-nxit-konflikt-ne-lumbardh-foto-amp-video/

  4. mirel says:

    Vendim per heqjen nga fondi pyjor te 28 hektareve. Vendim per shpyllezim te 28 hektareve. Mafia ne pushtet po jua merr pasurine ne mes te dites dhe pa i bere syri terr dhe ju rrini fryni syte.
    Do hetohen banoret thone keta karagjozet.
    Hetoni ata qe marrin vendime te tilla.
    Dhe hetoni kapacitetin e trurit te shqipkareve qe po jua ben shteti rrush e kumbulla pasurine dhe rrine si pulat ne mut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje