Ndryshimet në PS në prag të shpërndarjes zgjedhore, Rama kërkon ngritjen e shtabeve elektorale. Fati i Kokëdhimës në Jug dhe kush lëviz

20 Shtator 2016, 09:20Politika TEMA

Kryetari i PS-së Edi Rama në mbledhjen e djeshme të kryesisë ka kërkuar që të ngrihen shtabet elektorale, të evidentohen problemet për çdo zonë, të shihet se çfarë mund të rregullohet dhe të ndërhyhet nga qeveri, si dhe në bashkëpunim me ministrat të listohen veprat publike të kryera nga qeveria për çdo zonë, në mënyrë që të ballafaqohen me elektoratin.

Pjesë e këshillës së kryeministrit ka qenë qëndrimi sa më pranë anëtarësisë tani e deri ditën e zgjedhjeve, duke shtuan numrin e tyre për të arritur objektivin e 150 mijë anëtarëve, objektiv ky jo vetëm i lidhur me angazhimin partiak, por i lidhur me votat për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Duke e cilësuar si model funksionimin zgjedhor dhe fitoren e Dibrës, Rama ka kërkuar që të implementohet në të gjithë qarqet.

Siç ka bërë që në shtator, Edi Rama do të fillojë turin e bashkëbisedimit me qytetarët, ku përveçse do të ndajë certifikatat për tokat bujqësore, do të prezantojë pranë qytetarëve rezultatet e reformave. Takimet e sotme do të jetë në Elbasan. Deputetët tashmë kanë marrë zyrat e reja elektorale ku do të mblidhen shtabet e zonave.

Deputeti Artan Gaci mbrëmjen e djeshme prezantonte në Facebook fotografitë e reja të zyrave në Kashar, zonë që ka në administrim dhe nga ku njoftoi fillimin e fushatës. “Sot kishim të ftuar Pandi Majkon në darkën me AS Kasharit me rastin e fillimit të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të 2017-ës. Suksese!!”, shkruan Gaçi.

Ndërkohë që në mbledhjen e parë pas pushimeve verore me deputetët e tij, Edi Rama pati paralajmëruar ndryshime në shpërndarjen e deputetëve sipas zonave të mundshme të kandidimit të tyre. Burime pranë grupit parlamentar të PS-së thanë për Shqiptarja.com, se Edi Rama ka njoftuar ndezjen e motorëve elektoralë për zgjedhjet e vitit 2017, duke alarmuar deputetët se janë të vonuar në këtë proces.

“Duhet të nisim menjëherë punën për zgjedhjet e vitit 2017. Jemi aq mbrapa me parapërgatitjet, sikur zgjedhjet të ishin nesër. Deputetët duhet të jenë tashmë në korent dhe gjithmonë në terren së bashku me stafin politik në çdo qark. Në ditët në vijim do të mblidhemi dhe në grupe të vogla sipas zonave për të folë konkretisht për çdo zonë”, mësohet të ketë thënë kreu i Partisë Socialiste para deputetëve të tij. Ndër të tjera, ai ka paralajmëruar ndryshime në strukturat drejtuese elektorale dhe në të deleguarit sipas zonave, duke mos specifikuar asnjë rast, por duke ju thënë deputetëve se do të vihen në dijeni nëse do të ketë ndryshime duke thënë se këto mund të ndodhin brenda shtatorit.

“Mund të ketë ndryshime në aspektin e përgjegjësive drejtuese elektorale në zona dhe për këtë do të viheni në dijeni. E di që ju nuk dini se ku e keni kokën në kuptimin e zonave tuaja, por kjo do të marrë zgjidhje brenda shtatorit mundësisht”, mësohet të ketë thënë kryeministri Rama.

Edhe pse kreu i PS-së nuk ka përmendur emra, mendohet se një nga ndryshimet kryesore që mund të komunikohet, ka të bëjë me rajonin e Vlorës dhe Gjirokastrës. Koordinatori Koço Kokëdhima i cila tashmë i ka të fundosura marrëdhëniet me Edi Ramën pritet të shkarkohet nga detyra e tij në këtë rajon, nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli në rrugëtimin e tij politik brenda PS-së.

Ai pritet të zëvendësohet nga Mimi Kodheli, e deleguar e kryesisë në këtë rajon, por që deri tani, nuk ka mundur të ushtrojë funksionet, pasi nuk është mirëpritur nga Kokëdhima. Vendin e saj në Lezhë pritet ta zërë Musa Ulqini, i cili është prej kohësh i deleguar nga kryesia e PS-së në këtë qark dhe po asiston Lindita Nikollën.

Në zonën e Peqinit, dhe Elbasan po punon Anastas Angjeli, në mungesë të Musa Ulqinit dhe Alfred Pezës. Po ashtu, strukturat në Shkodër, me largimin e Tom Doshit janë përforcuar me Pjerin Ndreun i cili po punon në Fushë Arrëz dhe Pukë. Largimi i Ndreut nga Tirana është zëvendësuar me forcimin e pozitave të prefektit të kryeqytetit, Sadri Vorpsi. Nëse do të ketë ndryshime të tjera më të rëndësishme, kjo do të shihet në muajin e ardhshëm kur deputetët do të fillojnë punë në terren intensivisht.

2 komente në “Ndryshimet në PS në prag të shpërndarjes zgjedhore, Rama kërkon ngritjen e shtabeve elektorale. Fati i Kokëdhimës në Jug dhe kush lëviz”

  1. CACI says:

    Ku e shpini Anastas Angjelin. Ska per te bere pune,ose do te bej aq sa beri ne Gjirokaster keto tre vjet. Nje “Hic” me xhufke. Asnje nuk mbeshteti dhe as ata qe e mbeshteten, por sapo doli deputet iku dhe fiku telefonin. Nuk Ju lejohet te gaboni perseri .
    Faleminderit edhe atyre qe nuk me kuptuan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje