Një shkrim i “The Economist” për drogën në Shqipëri dhe një ndjesë që duhet të kërkojnë, për histerinë ndaj Tim Judah

23 Shtator 2016, 10:48Kronika TEMA

Pak javë më parë, gazetari i njohur i “the Economist”, Tim Judah, u shfaq krah ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në një parcel me hashash.

Ai kishte ardhur në Shqipëri për të bërë një reportazh për drogën.

Pas publikimit të fotove, deputetë, gazetarë dhe portale pranë PD-së, e sulmuan ashpër Tim Judah dhe e akuzuan se ishte blerë nga qeveria.

Dje më në fund ai ka publikuar shkrimin për drogën në Shqipëri dhe nuk është hiç pozitiv për qeverinë, duke i lënë me gisht në gojë ata që iu vërsulën me fyerje sapo shkeli në Shqipëri.

Të paktën tani duhet të kenë kurajon t’i kërkojnë ndjesë.

Shkrimi i “The Economist”  

Është kulmi i sezonit dhe dhjetëra burra të mbuluar nga djersët punojnë në ara pranë fshatit shqiptar Tragjas, duke korrur frytet e kanabisit. Një grup policësh të armatosur dhe me maska qëndrojnë pranë tyre dhe i mbikqyrin.

Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, vjen me helikopter për të vëzhguar shkatërrimin e plantacioneve. Grumbuj me shkurre, gati dy metra të lartë, i ka përfshirë flaka. Tahiri e pranon se tymi i kanabisit u shkakton kollë policëve, por ky është problemi më i vogël sot. «Këtu bëhet lufta e Europës me drogën», thotë ai, «miliarda euro janë në lojë».

Shqipëria është furnizuese e madhe e tregut europian të drogës. Vendi ka qenë prej kohësh bazë, nga e cila bandat kriminale kanë kontrabanduar çdo gjë, nga cigaret tek heroina, kokaina, vaji i kanabisit dhe substanca të tjera të ndaluara në pjesën tjetër të Europës, sipas Qendrës Europiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga, që është dhe agjencia e drogës në Europë. Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po bëhet një prodhues i madh i kanabisit, që shpërndahet nga një rrjet kompleks i krimit të organizuar shqiptar.

Njëri nga destinacionet më të mëdha është Italia, aty ku «malli» kalon me skafe, kamionë dhe avionë privatë; muajin e fundit trafikantët u përpoqën ta kalojnë edhe me «jetski» (motoçikleta uji). Një gazetë italiane u hap me një titull paksa të çmendur: «Lumenj të drogës po rrjedhin nga Shqipëria në brigjet e Italisë». Çdo ditë gjatë kësaj vere, Guardia di Finanza, një forcë ushtarake e policisë italiane, veproi në territorin shqiptar për të zbuluar koordinatat e plantacioneve të kanabisit për «djemtë» e Tahirit . «Pothuajse të gjithë plantacionet e identifikuara janë shkatërruar», thotë ai. Në fund të gushtit, ai pretendon se njerëzit e tij shkatërruan një milion bimë kanabisi, nga gjysëm milioni të regjistruara në vitin 2014.

Të tjerë janë më pak të sigurt për këto shifra. Banorët e këtyre zonave ankohen se disa plantacione – ato të cilat janë të vështira për t’u arritur – nuk janë prekur. Politika shqiptare është e mbushur me akuza për lidhje të politikanëve me mafian e drogës. Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike në opozitë, thotë se edhe vetë zoti Tahiri i mbron bosët e drogës. Këtë akuzë, Tahiri e mohon me forcë. Basha gjithashtu pretendon se gjatë fushatës zgjedhore tre vjet më parë, Edi Rama, kryeministri socialist i Shqipërisë, bëri marrëveshje të pista me mafiozë të zonave të ndryshem, për të fituar vota; tani, ai mendon se Rama është peng i tyre. Socialistët e hedhin poshtë këtë teori; ata argumentojnë se në tetë vitet kur partia e Bashës ishte në pushtet, kanabisi kultivohej hapur në fshatin e vogël të Lazaratit. Prodhimi ishte i tillë që Ministria e Brendshme e vlerësonte rreth 4,5 miliard euro, thuajse gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Shifrat janë për vitin 2014, deri kur në Lazarat hyri policia.

Është e vështirë të rendisësh faktet, kur kanabisi vazhdon të digjet. Plantacionet tani janë përtej Lazaratit. Por zyrtarët italianë refuzojnë të flasin, ndërsa shqiptarët janë seriozë kur bashkëpunojnë me ta. Vitin e kaluar Dritan Zagani, një zyrtar në poste drejtuese në polici, kërkoi azil politik në Zvicër, pasi u dyshua se i tregoi italianëve për një rrugë të re të kalimit të drogës; policia shqiptare tha se informacionet rrodhën tek mafia.

Një burim diplomatik thotë se problemi i kanabisit po shkon «duke u përkeqësuar». Por, pavarësisht nga shkalla e vërtetë e asgjësimit të kanabisit, është e paqartë nëse kjo ka ndonjë ndikim real. Vende të tjera, si Maroku, gjithashtu furnizojnë Europën me drogë. Në Amerikën Latine, në përgjithësi shkatërrimi i bimëve të kokainës dëmton prodhuesit e vegjël, por i lë të paprekur bosët. Megjithatë, Tahiri është sfidues. «Pavarësisht burimeve të vogla që vumë përballë parave të drogës», thotë ai, «njerëzit janë duke punuar më mirë se kurrë këtë vit». Për qeverinë shqiptare kjo është një çështje e rendit dhe ligjit, dhe e besueshmërisë në Europë, veçanërisht nëse synon të hyjë në Bashkimin Europian. Tahiri thotë se mafiozët duhet të dinë se nuk ka më «të paprekshëm».

2 komente në “Një shkrim i “The Economist” për drogën në Shqipëri dhe një ndjesë që duhet të kërkojnë, për histerinë ndaj Tim Judah”

  1. vedeta says:

    GAZETAR mashtrus meresh me theniet e njeriut me negativ ne kte vend ,me theniet e lulit qe ka vjedhur 250milion euro nga rruga durres kukes , te njeriut qe beri tradhti kombetare live ne televizor duke shitur detin tek greku , te ati muti qe vrau 4 vet ne bulevard me duar ne xhepa kur ishte minister i brençem, vetem se meresh me theniet e kti mizerable shkrimi jot esht nyl,jo i thekomnomistit te jesh ti por edhe nga marsi te vish je nje gazetar ordiner mashtrus perderisa meresh me lulzimen.

  2. arbereshi says:

    Gazetari pohon luften e ashper qe behet per te fituar mbi trafikimon dh kultivimin e droges. Flet gjithashtu edhe per ndihmen e policise Italiane por nuk pranon kursesi ose nuk pohon qe ministri eshte i perzjere ashtu sic thote opozita. A mbillet canabis ne shqiperi? natyrisht qe po por mbjellja dhe kultivimi behet nga ata qe e kane bere gjithe keto vite ne gjendje te lire sidomos 10 vitet e fundit jo vetem ne Lazarat. Kush jane ata qe kane kultivuar hashashin keto 10 vjet ne Lazarat? pse nuk i kapi Berisha me Mulin?Natyrisht raporti mund te mos jete pozitiv por nuk ka per te qene si vitet e tjera qe e bente edhe qeverine te ngateruar me kultivimin e canabisit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje