Në takimin e kryeministrit Edi Rama, sot me përfaqësuesit shoqatës së ricikluesve shqiptarë, argumentet e ekspertes së mjedist, Ornela Çuci, drejtore e “UET Enterprise”, shkaktuan debat në media. Në një artikull të “lapsi.al” thuhej se, ekspertja ishte përdorur nga kryeministri, por Çuçi thotë se ka mbrojtur pikpamjet e saj si eksperte, dhe madje këtë e ka bërë dhe publikisht në një artikull të mëparshëm tek gazeta “Mapo”. Gjatë fjalës së saj në takimin me Ramën, ajo iu drejtua ambjentalistëve që dalin kundër riciklimit të mbetjeve se para se të kundërshtojnë duhet të informohen dhe të kuptojnë rëndësinë e çështjes. Ja çfarë tha ajo në tryezë:
“E para për miqtë e mi ambjentalistë. Të gjithë energjinë që harxhojmë për protesta, le ta përdorim për të informuar këtë popull, i cili është ndoshta më i painformuari në rajon për manaxhimin e mbetjeve. Një shishe plastike kërkon 1000 vjet të dekompozohet. Nëse i groposim shishet e plastikës, niveli i ndotjes toksike në ujrat nëntokësore do të jetë i madh me pasojë ndotjen e florës dhe faunës në mjedisin ujor të vendit.
Vetëm në UET, ku unë punoj, prodhohen rreth 2000 shishe plastike në ditë. Këto mbetje duhen medoemos të riciklohen. Nëse kompanitë ricikluese sigurojnë vetëm 27.6% të lëndës së parë brenda vendit, atëherë ato do të mbyllen me siguri. Çfarë do të bëhet me shishet plastike dhe të gjitha mbetjet tona nëse nuk do të funksionojë kjo industri?
E dyta, z. Kryeministër, në çdo vend të zhvilluar të gjitha nismat e mëdha vendimmarrëse mbështeten fort në funksionimin e Helikës së Artë: Studim shkencor e akademi, Qeverisje lokale e qëndrore dhe Biznes, por unë këtu do të shtoja edhe mediat të cilat kanë një detyrë të madhe, informimin. Nëse reformat tuaja nuk janë paraprirë nga studime të mirëfillta, për të cilat të informohet ky popull direkt, pa ngjyrime politike e partiake, gjithnjë ka për të pasur të tilla reagime frike”.
Duke reaguar më pas ajo thotë se “Unë e kam trajtuar situatën vetëm nga ana mjedisore, si një fushë që e njoh. Nëse analizës mjedisore i shtoj edhe analizën ekonomike dhe punësimin, kjo më bën të mos dal këtë herë përkrah miqve të mi ambjentalistë.
Ajo që duhet menjëherë të fillohet nga puna tashmë është një analizë se si dhe sa kohë do të na duhet të arrijmë menaxhimin e integruar të mbetjeve, pasi aktualisht ne nuk njohim ende sasinë reale të mbetjeve të riciklueshme në Shqipëri. Ne nuk mund të pretendojmë nga një ditë në tjetrën të jemi Gjermani, e cila arrin në masën 73% sasinë e riciklimit, por duhet të fillojmë nga diku, sigurisht jo duke frenuar edhe atë pak sa bëjmë në vend”.
E keqardhur për faktin se Lapsi.al e quante qëndrimin e saj një përdorim nga ana e kryeministrit, Çuçi thotë se “në një debat kaq të ndjeshëm ne ekspertëve na takon të flasim me argumente dhe të mos bëhemi emocionalë e aq më keq populistë. Kjo nuk i shërben askujt”. “Mbetjet i kemi nëpër këmbë, në lumenj, në fusha, në male, kudo. Ejani të diskutojmë si ta zgjidhim këtë çështje emergjente. Importi është vetëm një zgjidhje aktuale për çështje të riciklimit, që parashikon të zbrasë në mënyrë të konsiderueshme landifillet në vend. Kjo nuk është zgjidhje afatgjatë, por është e duhura për emergjencën ku ndodhemi”, thekson ajo. Çuçi shton se nuk është ajo dhe as ekspertët si puna e saj që marrin përsipër të bëjnë kontrollorin e keqmenaxhimit dhe korrupsionit që mund të ndodhë me importin, jo vetëm të mbetjeve, por të çfarëdolloj importi.
Pas një specializimi në Gjermani për çështjet mjedisore, ajo sapo ka mbrojtur doktoraturën në Edukimin Mjedisor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe është lektore e lëndëve “Vlerësimi i ndikimit në Mjedis” dhe “Legjislacion Mjedisor” në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër.
Ja argumentet e saj për importin e mbetjeve- artikulli i botuar të shtunën tek gazeta Mapo
Të importojmë mbetje, të pastrojmë vendin
Nga Ornela Çuçi*
Ligji për importimin e mbetjeve ka shkaktuar debate të mëdha. Një pjesë e opinioneve shprehen kundër duke folur për pamundësi të vendit për të përballur këtë proces dhe për korrupsion dhe një pjesë tjetër mendojnë se ligji do të vitalizojë një industri të rëndësishme dhe ndihmojë në pastrimin e vendit. Gazeta Mapo sjell opinionin e deputetes së opozitës Irma Kopliku, e cila kundërshton ligjin dhe flet për pasoja të rënda që mund të sjellë ai. Gjithashtu, gazeta sjell edhe opinionin e ekspertes së mjedisit Ornela Çuçi, e cila e sheh ligjin si të nevojshëm dhe i quan të gjitha frikërat irracionale.
Ne refuzojmë të besojmë atë çka ne nuk kuptojmë, thotë Napoleon Hill, në librin e tij Think and Groë Rich. Është pikërisht kjo shprehje ajo që më vjen ndërmend ndërkohë që vëzhgoj këto ditë debatet rreth ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Zhurmnajë e madhe rreth përkufizimit madje edhe të termit të përdorur, mbetje apo plehra. Të dyja na trembin, kjo e dyta më tepër. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, termi “mbetje të ngurta” përcaktohet si materiale të padëshiruara të hedhura nga shtëpitë, mbetjet në rrugë, veprimtaritë e bizneseve apo ato agrare. Ky është termi të cilin përdor ligji 10463 dhe ndryshimet e tij.
Në harkun kohor prej tri vitesh, nga forca të ndryshme politike, sipas interesit momental por edhe nga shoqëria civile kundërshtohen ndryshimet në nenin 48 të ligjit për dy arsye.
Së pari, sepse qeverisja jonë karakterizohet nga aftësi të pakta menaxheriale dhe sepse korrupsioni i shtrirë kudo e ka mbërthyer fort administratën doganore. Të dyja konstatime pothuajse të drejta, të faktuara madje herë pas here. Në këtë këndvështrim unë ngre me forcë zërin tim: të mos importojmë ushqime! Të mos importojmë miell, oriz, sheqer, makarona. Madje do të shkoj më tej duke thënë: Të mos pimë ujë! Shishet plastike me të cilat ambalazhohet uji i pijshëm në vendin tonë, importohen, andaj nuk duhet të pimë ujë. Të kërkojmë ndryshime të menjëhershme në ligjin për çdo lloj importi në vend, sepse nuk kemi kontroll në administratë e në menaxhim.
Së dyti, sepse ne nuk jemi të aftë të menaxhojmë mbetjet tona. Nuk ka nevojë për të vërtetuar se nuk po i menaxhojmë dot mbetjet tona. Ato i gjen kudo, brenda dhe jashtë koshave pa rrota dhe të pambuluar me kapakë, buzë lumenjve sepse nuk kemi pikë grumbullimi, në pika grumbullimi ku herë pas here qëllon të ketë një shkëndijë me pasojë erë e padurueshme për disa ditë dhe ajër i ngopur me të gjitha substancat e dëmshme. Shtoj këtu faktin se mbetjet tona i gjen të gjitha bashkë, inerte dhe plastike, qelq dhe mbetje organike, letër dhe alumin, në plehra.
Ajo që është e domosdoshme të kryhet dhe asnjëherë nuk është kryer, është studimi se sa mbetje ne gjenerojmë. A po gjenerojmë më shumë mbetje se të gjitha vendet e zhvilluara andaj nuk i menaxhojmë dot?
Mesatarja europiane e gjenerimit të mbetjeve është 492 kg/banor/vit, çka përkthehet rreth 1.3 kg/banor/ditë. Studimet tregojnë se në qytetin e Mitrovicës, kjo mesatare është 0.31 kg/banor/ditë. Në planet e menaxhimit të mbetjeve, për bashkitë në Shqipëri të cilat e kanë pasur luksin e hartimit të tyre, shikon shifra kontradiktore nga njëra te tjetra. Kjo mesatare sipas bashkive varion nga 0.3-1.5 kg/banor/ditë. Ricikluesit nga ana e tyre, duke qenë se janë grup direkt interesi dhe kanë kryer matjet e tyre për lëndën e parë, shprehen se mesatarja në qytete të mëdha si p.sh. Lezha, nuk e kalon 0.25 kg/banor/ditë. Pse atëherë kjo diferencë mbresëlënëse? Arsyeja është shumë e thjeshtë: bazuar në tonazhin e mbetjeve të cilat mblidhen, transportohen dhe depozitohen në pikat e depozitimit, akordohet buxheti për tenderin përkatës.
Për të mos hamendësuar mbi deklarimin e drejtë apo të zhdrejtë të sasisë së mbetjeve për banorë nga ana e bashkive, le të marrim një të mesme 0.7 kg/banor/ditë, dhe mbi këtë të mesme të shikojmë sa mbetje gjenerojmë. Bazuar në censusin e vitit 2010, qarku i Gjirokastrës ka 102,531 banorë, pra 71 ton mbetje në ditë. Plastika e riciklueshme plotësisht shkon 12% e kësaj sasie nëse kryhet ndarja në burim. Në të vërtetë, totali i plastikës e cila mund të riciklohet në landfill nuk e kalon 2%, pra 1.4 ton. 12 qarqe, 12 landfille, por me këtë përllogaritje landfilli nuk mund të quhet një investim fitimprurës për këdo investitor.
Nga ana tjetër kjo përllogaritje, vetëm e një materiali të riciklueshëm na nxjerr natyrshëm në një tjetër çështje. A mund të mbahet në këmbë biznesi i ricikluesve në vendin tonë? Kapaciteti i një fabrike modeste përpunimi plastike shkon diçka më tepër se 1000 ton/muaj. Siç shprehet një nga drejtuesit e shoqatës së ricikluesve, fabrikat e riciklimit me sasinë e mbetjeve të ricikluara në vendin tonë, mund të punojnë vetëm 7-10 ditë në muaj. Sigurisht që një ndërmarje e tillë nuk mund t’i rezistojë tregut me këtë kapacitet, andaj nëse nuk importojnë lëndë të parë, mbetje të riciklueshme, ata do të shkojnë drejt falimentit e rrjedhojë mbylljes.
Pa prekur dhe analizuar faktin se sa dëm përbën për ekonominë e vendit mbyllja e disa bizneseve të tilla, do të duhet të analizojmë se çfarë realisht do të bëhet me mbetjet tona. Një shishe plastike dekompozohet për 1000 vjet. Groposja një sasie të tyre pas një farë kohe emeton në ujërat nëntokësore substance toksike. Ndotja e cila vjen nga mos riciklimi i tyre është e pakthyeshme. Nëse nuk i riciklojmë, atëherë na duhet t’i eksportojmë. Nëse nuk importojmë mbetje, industria jonë e riciklimit nuk mund të përpunojë mbetjet tona. Zgjidhje tjetër nuk ka.
Përpara se të miratojmë ligjet në këtë vend, ndoshta do të na duhet të kryejmë studime dhe analiza, të marrim opinionin e komuniteteve dhe të ekspertëve, të pangjyrosur emocionalisht apo prej interesave, e bazuar në gjithë proceset demokratike të arrihet në vendimmarrje. Zhvillimi i politikave ndodh drejt vetëm nëse kemi integrim të tre komponentëve mjaft të rëndësishëm, kërkim shkencor e studim, qeverisje lokale e qendrore dhe biznes.
E njëjta procedurë do të duhet të vlejë edhe për protestat. Të protestojmë për shkaqe madhore të cilat na prekin shëndetin tonë dhe të brezave që do të vijnë, nuk është thjesht “Lëvizje Civile”, por domosdoshmëri. Të protestojmë, ne njohësit e fushës, pa bërë një analizë të hollësishme të situatës dhe të flasim në tymnajë populiste pa thënë asgjë, nuk është një protestë që na përfaqëson.
Përballë kësaj beteje mes qeverisë dhe shoqërisë civile, asaj që mund ta quajë veten të tillë, unë dua të ngre zërin si qytetar, por për shkaqet e duhura. Të luftohet korrupsioni, të rritet ndërgjegjshmëria, rriten aftësitë menaxhuese të administratës, të merren të gjitha masat e nevojshme për të funksionuar si duhet ky ligj.
Ne të gjithë jetojmë në Shqipëri, i dimë risqet të cilat ka ky ligj, siç edhe shumë nisma të tjera të ndërmarra herë pas here, nga një qeveri apo një tjetër e të kundërshtuara me vrull nga opozita e tyre. Importi i mbetjeve në këtë moment është i domosdoshëm nëse duam të mos e ndotim edhe më shumë në mënyrë të pakthyeshme këtë tokë, këtë vend. Kontrolli i importimit të tyre është njësoj i rëndësishëm për ne si edhe kontrolli i ushqimeve, ujit, ilaçeve. Nëse e refuzojmë, do të bënim mirë minimalisht të kuptojmë se çfarë refuzojmë.
*Eksperte e mjedisit/ Drejtore e UET Enterprise
NUK me gezon debati ktyre femrave qe gjejn rastin per te ren ne sy te politikes dhe nuk permbahen gjekundi dhe kur behen deputete i shkon pazari pordhes ne stratosfer, ojqte ma shpifin se i kan sjell dem kti vendi njesoj sa saliu se kta e shperfytyruan kte popull me themel.
?
Pastroje vendin , pa importuar mbetje , ok ?
Esht e thjesht fare kjo pune dhe nuk ka nevoje per eksperte
Pra ato fabrika qe jane ngritur aty te riciklojne mbetjet tona , jo mbetjet e botes , dhe kaq mbyllet diskutimi
Keto fabrikat e riciklueshme te prodhojne kosha per hedhjen e mbeturinave ku koshat te jene te percaktuar , kush esht per plastike e kush per letra apo mbetje te tjera , dhe pastaj keto kosha ti shperndajne neper Bashkite e Shqiperise
Pra keto biznese te bashkepunojn me bashkite per mbledhjen e mbetjeve dhe keshtu zgjidhet perfundimisht problemi i mbetjeve
Pastrojm nga mbetjet vendin tone , jo vendet e tjera
Ata andej ta pastrojn vet veten
Nuk do behemi si Nen Tereza dhe per mbetjet