Dita e Vizitorëve të Shquar për stërvitjen “Joint Effort 16” në Kepin e Palit, stërvitje reale me anije e helikopterë

27 Shtator 2016, 10:21Kronika TEMA

Në kuadër të stërvitjes së përbashkët “Joint Effort 16” (Përpjekja e Përbashkët 16) e cila po zhvillohet në vendin tonë me pjesëmarrjen e trupave dhe mjeteve nga 6 vende: SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, në Kepin e Palit, u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar, ku ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore të SHBA-së në Evropë gjenerallejtnant Ben Hodges, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandantët e forcave, si dhe ushtarakë të tjerë vendas e të huaj.

Gjatë këtij aktiviteti u demonstrua stërvitja reale e anijeve të Forcës Detare me helikopterë të Forcës Ajrore si dhe Forcat Speciale, konkretisht operacioni MIO (Maritime Interdiction Operation), që ka të bëjë më operacionin e bordimit me forcë të një anije nga ajri dhe deti e cila kryen shkelje të ligjshmërisë në det.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, pasi përshëndeti të pranishmit, tha:  “Ju falenderoj për mbylljen me sukses të kësaj faze të stërvitjes. Ju falenderoj për përkushtimin e gjatë që treguat, sepse siç e dini kemi 1 vit që përgatitemi për të përmbyllur këtë fazë. Me çfarë pamë, ishim vërtet të kënaqur për bashkëpunimin sidomos që patët me gjithë komandën e Task Forcës së Bashkuar, me përfaqësuesit e vet, me Forcën Ajrore dhe me Forcën Tokësore për të vendosur ligjshmërinë në det”.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjenerallejtënant Hodges falenderoi efektivat pjesëmarrëse në stërvitje për organizimin dhe kryerjen me efikasitet të kësaj stërvitje dhe theksoi rëndësinë që ka për sa i përket kontributit për sigurinë.

Stërvitja “Joint Effort 16” ka filluar në datën 19 Shtator 2016 dhe po zhvillohet me pjesëmarrjen e rreth 1500 trupa nga 6 vende dhe ka për objektiv trajnimin dhe stërvitjen e pjesëmarrësve për të përballuar sfidat operacionale aktuale dhe për të ardhmen me qëllim për t’u përgjigjur krizave te ndryshme dhe operacioneve në mbështetje të paqes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje