Selfo Kuka, profesori fukara I ekonomisë dhe “nxënësit” e pasur të tranzicionit

2 Tetor 2016, 18:55Blog TEMA
Selfo Kuka, profesori fukara I ekonomisë dhe

Nga Kristo Mërtiri

Pardje, po prisja përballë ushtarëve të Gardës së Republikës për të hyrë në zyrat e Departamentit të Administratës Publike ( sinqerisht nuk e kuptoj ende atë kontrollin e imtësishëm dhe mbajtjen në kamaret e tyre si filxhanët të celësave të shtëpisë, të celularëve dhe vëzhgimin elektronik të rrobave në trup !). Dhe njerëzit e thjeshtë a nëpunësit e ardhur enkas nga kryeqendra dhe periferia, nuk dinë nga hyjnë e nga dalin të stresuar si përmes një labirinthi të cuditshëm. “Përse e ka emrin “publike”, se vetëm publiku nuk hyn dot lirshëm e natyrshëm këtu ?”, pyetëm jo pa pakëz humor përcëllues. Por kjo është tjetër temë shkrimi. Duke pritur jashtë në heshtje, befas vjen e më takon një i njohuri im i vjetër qysh gjatë studimeve të larta universitare dhe më vonë  i patundur nëpër Administratën Shtetërore. Ashtu i shkathët e gjithnjë “luajal” peqelepërie e përgjërues me shefat, nuk provoi asnjëherë hedhjen në rrugë, papunësinë vrastare. Mirëpo, nuk thosh kot babai im i urtë e hallemadh në Tepelenë :”Servilin kulpër e të ligun përcille me urim-mallkimin “Të pafsha pa punë!”. Por i njohuri im nuk është thjesht mburravec i rëndomtë, kur më tha se zotëronte disa apartamente të lëshuara me qera në Tiranë dhe dy për vakanca në bregdetin e Durrësit e të Vlorës. Paske patur rrogë të majme në shtet ?,-iu ktheva aty për aty me ironi. –Në mos rrjedhtë, do pikojë,-u përgjigj duke qeshur. Pastaj, ti e di, nuk ka kala që nuk marrin komunistët, or mik !… –Të lutem korrigjoje pakëz, thuaj “nuk ka kala që nuk marrin…Paratë!”, ti e mban mend atë shkrimin tim të botuar me këtë titull.

-T’i lemë romuzet. A ke sajuar ndonjë kioskë; ndonjë ngastër toke “të xanun” rreth Tiranës apo në vendlindje; ndonjë kafene a lokal lloto-sporti, kazino a dhomë farmaceutike; ndonjë motel të vockël që buron e nuk shteron; ndonjë bord ku qarkullojnë miliona pa u vrarë; ndonjë tender me dhjamë e të tjera mundësi praktike ? Se ti njeh dynjanë dhe ke bërë mjaft ndere pa asnjë kacidhe…

Kur iu përgjigja me ngritje supesh dhe pastaj me deklarenë time të prerë se “me rrogën e shtetit a të privatit, ato pasurira nuk bëhen kurrë, kam vetëm catinë me kredi si litar në fyt dhe unë jam ai që kam qenë, sic më ke njohur dikur”, më dha dorën për t’u larguar dhe zbrazi fjalinë e papritur : – Pse nuk më ndalove që në fillim të bisedës, se i paskam rënë kot teneqesë…Ti paske mbetur komunist i parinovuar !…

Iku duke qeshur (më saktë, i ngërdheshur), sepse sic më tha, në hotel “Sheraton” do të zhvillohej një konferencë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit (?!). U trishtova jo pak dhe rashë në mendime të trazuara. Në tregun e lirë të demokracisë, ish komunisti pehlivan e i “rinovuar” qe bërë pasanik duke vjelur në kolltuqet shtetërore ! Prandaj u ula të shkruaj. Kjo besoj do të jetë edhe një përgjigje e plotë për atë tip dhe të tjerë të shtuar si egjra.

Trishtimi im u ngarkua vetiu më tepër kur më tha si kalimthi për vdekjen e një ish pedagogut tonë të nderuar, njeriut të mirë Selfo Kuka. “ I mirë, i mirë, por c’e do, ishte dhe mbeti fukara profesori i ekonomisë…”. Ndërsa unë parafytyroj atë intelektual e burrë me zemrën llagar, ish komunist i ndershëm që studentët e respektonin shumë. Gjatë leksioneve në auditore dhe jashtë tyre. Mua më dukej se e doja dicka më tepër se kolegët e mi. Ndoshta nisur edhe nga lidhjet e tij shpirtërore e profesionale në Tepelenën time. 24 karat gjirokastrit. Disa vite drejtoi plot sukses sektorin ekonomik të minierës së qymyrgurit në Memaliaj. Pra, nuk erdhi pedagog në fakultet nga bulevardet e kryeqytetit. Erdhi nga llavat, galeritë e puset e asaj miniere historike, ku edhe unë punova pak kohë në moshën e parë të djalërisë. Bashkë me usta Brahimin e dashur në sektorin e tretë. Selfon nuk e kisha njohur fare atëhere. Por në memorien e studentit të Degës së Gazetarisë , gjatë shfletimit të koleksioneve të shtypit në bibliotekë, më kish mbetur një reportazh i bukur nga Dritëroi ynë. Dhe nuk ishin shënime nga zyrat e studiot e Tiranës, por qenë mbajtur nëpër galeri, atje ku shpatullat punëtore të njeriut lëviznin shpatullat e malit. Atje ku 300 komunistë derdhni djersën e udhëhiqnin betejat pa pretendime dhe larg fjalimeve boshe, për t’idhënë Shqipërisë e Europës qymyr nga më cilësorët. Në ato zgafella ku dalloheshin vetëm sytë dhe dhëmbët e bardhë nën dritën e llambës të montuar në ballë të kapeles, e sidomos nëpër llavat 70 cm të larta e me pjerrësi të madhe ku ecej gati zvarrë përmes tymit e pluhurit të minave, deri te galeria tjetër. Dhe ecte Dritëroi me shokun e hershëm të klasës në gjimnazin e qytetit të Gjirokastrës, që kishte qejf edhe gjeometrinë, edhe historinë. Me njerën këmbë të zgjatur përpara dhe tjetrën nën vete. Bisedonin me ata heronj të gjallë të nëntokës, duke thithur edhe erën e thartë të dinamitit e të qymyrit që derdhej me uturimë nëpër vagona. Ndërsa Selfua e pyeste për shkrimtarin Zolai, një nga penat e fuqishme që hodhi në letër vepra të pavdekshme për minatorët e qymyrit…( Pak kohë më parë, në mbrëmje vonë ndoqa një emision televiziv drithërues për qytetin që lindi e u rrit bashkë me minierën, për Memaliajn e sotme të zhytur në skamjen e varfërinë e Tranzicionit cerek shekullor ! Jetë akullirë, ku era e luginës së Vjosës të duket se vajton valësertë në heshtje e me ligje mërmërimë. C’u bënë ata dhjetra inxhinierë, teknikë të mesëm e mjeshtra me famë, ekonomistë, arsimtarë, artistë etj. që mbanin përditë ndezur jetën kulturore e sportive, vetë mushkëritë e qytetit ? Thonë se është kthyer prapë koha e lundërxhiut pranë Rrapit të Dervenit, ku dikur kalonin lumin mushkat e ngarkuara me qymyr guri !…). Shumica e minatorëve ish anëtarë të PPSh-së dhe ata pa tesera që njoha unë dhe kolegët e mi, kanë ikur në atë botë dhe prehen te ajo lëndina lotëvaditur në hyrje të qytetit e gjetkë. Prehen faqebardhë, në paqe me veten dhe të tjerët. Ashtu si pedagogu im i paharruar, Selfo Kuka, në Tiranë…

Të vërtetat e punës së ndershme të njerëzve të ndershëm (qofshin anëtarë partie ose jo ), kurrsesi s’mund të fshihen dhe as të retushohen me bojërat e pluralizmit. Sepse në fund të fundit, “nuk futet minarja në thes”! Mua personalisht, nuk më dridhet zëri dhe as më dridhen gishtrinjtë të shkruaj për këta njerëz me shpirt të kulluar si bora mbi male, që përgjithësisht e ngrysën jetën me dinjitet e në fukarallëk dhe aspak në maskarallëk e hajdutllëk. Kur shikoj e dëgjoj sidomos nga ajo skota e ish komunistëve të pacipë “antikomunistë”, që sot shesin leksione demokracie mbi thasët e parave të pista, më vjen vërtet për të vjellë. Boll u hodh baltë me lopata mbi ata mësues, agronomë, ushtarakë, mjekë e ekonomistë, zooteknikë e veterinerë, inxhinierë e luanë të tuneleve dhe të digave madhështore që i sollën Shqipërisë dritë nga Bistrica, Ulëza e Shkopeti; nga tre kolosët mbi lumin Drin: Vau i Dejës, Fierza e Komani etj. Pasuri dhe krenari kombëtare e vecantë. Përse do i akuzosh sot ata shqiptarë me tesera e pa tesera ? Shumë prej tyre ndoshta ua ka ulur pak shpinën varfëria dhe pensionet qesharake e tepër fyese për një brez që i dha gjithcka mëmëdheut. Lanë familjet dhe hallet e tyre mënjanë dhe shkuan në Veri e në Jug, në betejat ndërtimtare për një Botë të Re. Ashtu si në Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalclirimtare. Po sot ? Mjaft profesionistë nga ata që përmendëm më lartë, sot e quajnë padrejtësi të madhe e deri “internim” vajtjen në fshatra e zona të thella për t’u shërbyer taksapaguesve të mjerë. P.sh. një kardiolog paguhet e përgjigjet në roje të shëndetit të zemrave për dy-tre rrethe bashkë (?!). Spitalet u shkretuan. Specialistët u dyndën në metropol, në qytete të tjera e në mërgim. E tmerrshme : mjaft gra e nuse të reja shtatzëna transportohen me vig për të lindur në qendër të rrethit a të qarkut, tamam sic na tregonte gjyshja e ndjerë për kohën para Clirimit të vendit ! Në emër të lirisë kallpazane të maskuar me luftën “kundër komunizmit”, u bënë shkrumb e hi shkolla, librari, uzina e fabrika; bibliotekat e famshme të Shkodrës, Universitetit të Kamzës e atë të Sarandës; redaksi gazetash etj. Dhe ulërinin e shanin Enverin e ish komunistët që sipas tyre duhet të coheshin “në litar”. Le të digjej Shqipëria, mjafton që polit(h)ika mesjetare të rrëmbejë votat e pushtpushtetit ! Bashkë me depot e armëve donin të hapeshin edhe portat e luftës së zezë civile. Dhe ja ku jemi sosur pas 25 viteve…

Hatarat e këtij Tranzicioni të harbuar nuk kanë anë e fund. U shkulën deri ca gurë themeli në tradita e moral. Të persekutuarit e vërtetë e dinjitozë dhe mjaft ish komunistë të ndershëm ngelën me gisht në gojë. Është trishtuese e kuptimplote, bie fjala, ajo deklareja hidhësirë e një nëne të vuajtur padrejtësisht në monizëm e në pluralizëm. Ja c’farë i tha Kryeministrit të sotëm : “-Herë tjetër, do të vij në Tiranë me një karafil në dorë dhe do ta coj te varri i Enver Hoxhës…”. Dhe nuk ishte thjesht një shkreptimë dëshpërimi e castit pas kaq vjetësh pa punë, pa strehë e dritë elektrike. Karakteret e fëlliqura, dje të fshehur e mbuluar si iriq dhe sot të zhveshur lakuriq, janë edhe zemër katilë e shumë larg shtetit të vërtetë social. Dhe duke dalë me fuoristrada nga vilat e lokalet luksoze të parave të pista, na tundin flamurin e demokracisë europerëndimore (?!).

Tani po na troket muzgu i jetës. Bëjmë edhe bilance dinjiteti e personaliteti, përballë Polit(h)ikës pa kurrfarë morali. Pse ta fsheh, unë i dua dhe i respektoj ish komunistët e ndershëm, por jo xhambazët e tregut të lirë të demokracisë: ish komunistët “antikomunistë” dhe pinjollët e tyre hajdutë djathtas e majtas. As frikësohem dhe as kompleksohem të flas e të shkruaj hapur për ata që luftuan e punuan pa hile për vendin tim, “të cilët as u korruptuan, as vodhën, as u inkriminuan me krime, por luftuan si idealistë asketë për një shoqëri humane, duke dalë të zhgënjyer jo vetëm në Shqipëri, por në gjysmën e botës”…

7 komente në “Selfo Kuka, profesori fukara I ekonomisë dhe “nxënësit” e pasur të tranzicionit”

  1. Flora says:

    Te lumte o Kristo, te lumte. Po kush te degjon. Ish komunistet e ndershem mbeten po ata me idealizmin per te jetuar me nder. Njerez puntore, qe jetuan apo jetojne me djersen e tyre te paster. Ndersa ajo fare e lig komunistesh, qe nuk kishin asgje me te paret, vodhen dhe paraja e piste u siguroi atyre dhe rracen e tyre pasuri, te ardhme.Me thuaj te kam rixha, kush doli i fituar. Une nuk them qe ish komunistet te mos kene apo te mos pasurohen, por me pune te ndershme, jo me poshtetersi, horlleqe. Larg ketyre plehrave qe nuk mund te riciklohen.
    Me respektin me te thelle per penen tende z. Mertiri.

  2. Flatun Menaj says:

    Une qe po shkruaj jam Flatun Mene nga Memalija. Edhe une i respektoj ish komunistet e ndershem. Kam punuar me ta ne minere, kishim shef Tahir Memetin nga Kallembi, komunist i ndershem, flori.Kishte dhe te tjer.Tahiri i ndjere dhe shume prej tyre nuk rrojne me. Drite e lule pacin atje ku jane, por iken te varfer, Ndaj gjithmon i kam dashur dhe i dua keta njerez. Profesor Selfon nuk e kam njohur, por emrin ia kam degjuar si njeri i ndershem e popullor.
    Keshtu i nderuar gazetar. Tani Memaliaj ska minere, por fukarallek me bollek. Paraja nuk rri ne duar te pastra por ne ato te pista.
    Hallall o gazetar.

  3. Beci says:

    Si eshte katandisur ky vend Shume shpejt do te na duhet ta ngrejme prape bustin e Enverit ne mes te Tiranes.
    Une nuk e di se cilet kane qene komunistet e vertete ata qe ngelen fukarenj ne kete kohe apo ata qe jane bere milionere si Berisha, Nano, Gramoz Ruci e Fatmir Xhafa

  4. antifashisti says:

    I nderuar qofte kujtimi i profesorit te mire Selfo Kuka!
    Edhe ti Kristo ke mbetur po aq i paster si kristali ne idealkizem,ndershmeri dhe guxim!
    Por pas 90-tes nuk erdhi demokracia,por FASHIZMI I ZI!
    E rrezoi socializmin agjenti i CIA-s Ramiz Alia ,jo per ta bere popullin me te lumtur,por per ta shkaterruar Shqiperine dhe mjeruar shqiptaret per te marre kurbetin e zi ne cdo cep te botes!
    Dukuria me kriminale e hakmarrjes se ketij sistemi fashist qe u instalua ne Shqiperi pas 90-tes eshte LUFTA E EGER E KLASAVE e kunderta e asaj socialiste se kjo eshte FASHISTE!
    Llomotitin per demokracine,per te drejtat e njeriut ,por asnje nga keto nuk jane bere realitet qofte edhe 1 %!
    Ne ish ushtarakeve ne pamundesi te na burgosin,internojne apo vrasin,per 26 vjet na kane lene pa pensione,pra na kane lene pa buken e gojes!
    Akuzojne socializmin,por vete kane vepruar shume here me keq se ai!
    Per 26 vjet,ndo9nese kane ligjeruar statuse e ligje pa fund per ne,te gjitha ato nuk jane zbatuar kurre pervec nje ligji famekeq qe na e shkurtoi pensionin qesharak qe na jepnin deri ne 2009,me 50% me pak!
    Dhe derdellitin per SIGURI JURIDIKE,por kriminelet nuk duan t’ia dine per humanizem!
    Mire Sali Berisha qe kishte dale hapur si ARMIK i te gjithe shqiptareve,po edhe qeveritaret socialiste,perfshi Edi Ramen jane sjelle me ne po AQ KRIMINELE SI AI!
    A KA FAKT ME TE POSHTER SE AJO QE NGA VITI 1996 DERI NE 1998,PRA PER 3 VJET RRESHT NUK NA DHANE ASNJE QINDARKE PENSION NDONESE LIGJI ISHTE NE FUQI NE ATE KOHE?
    MIRE ATEHERE,PO TANI PSE NUK NA I JAPIN ATO PENSIONE TE PA PAGUARA?
    KJO TREGON SE TE GJITHA QEVERITE E PAS 90-TES KANE QENE DHE JANE anti njerezore pra fashiste!
    Edi Rama u shqye se ndihmuari me miliarda te gjithe ish burgaxhinjte e para 90-tes pavaresisht se shumica e tyre ishin denuar per vjedhje,spiunime,diversion dhe pederasti!
    Nuk e ve emrin e plote se me heqin nipin nga puna!

  5. Balle per BALLLE-MADEMI (qe na duhet)- Kristo Meritri.
    “Me mire te dish sa te kesh”,sa “Balle per BALLE”nw do miresi, ne cdo fushe te jetes .
    E shoh kete te materializuar ne figurene ketij gazetari te sheklqyer atdhetar,Kristo Martiri,
    nje gazetar qe e kam te veshtire ti gjej krahasimin, per kohen qe jetojme, vec,t’u referohem
    viteve, jetuar mes nje klese puntore,sa intelektualet nxjerre ajo klase; mwse “komuniste”,
    ne rinine time; nga hekurudhat e para,hidrocentralet apo galerite e minierav sa ne auditoret
    e shkollave deri univeristeti hapur, pse jo mes fsataresise sone,ata i gjeje ne pararoje.
    Ato “komuniste”, qe flet Kristo Meriri,na zhduken analfabetizmin, na hapen deri Univerisitet, sa
    pasurite mbi e nen/tokesore, i kishim pronen tone. Me ate pasuri nderuam Hidrocentrale,
    galeri miniersh, hekurudhat, sa fabrikat njera pas tjetres deri ato METALURGJIKE.
    Ishte nje poppull “KOMUNIST”,po- po-mos u cudisni,qe beri ato kryevepra gjate 40 viteve, vertet POPULLOR.
    “Pyll pa DERRA s’ka”- thote populli,- ndaj dhe mes “komunisteve, ketu pa fus,tere klasen puntore
    dhe fshatarsine punonjese, qe zgjodhen bijte dhe bijat me te mira mes tyre, per kryepuneve.
    (Quini po deshet terma komuniste), qe “derrat” ne ate “pyll”, nuk mernin dot fryme…u bene per muzeum.
    I nderuar sa i rrespektuari nje jete mes kesaj klase puntore ;Petagogu,mjeshteri i profesionit te tij nje jete
    Sa na shkruan i nderuar Kristo Mertiri, meriton nderimet,per sa i ka dhene atdheut dhe shoqerise sone.
    Me frrymen e Tij duhet te “SKALITEN” kuadrot e sotme, fatekqesisht kaluar kufijte e sepranueshmes.
    Ketij shkrimi te Kristo Mertirit, duhet te behet nje pergjithesim sa te vihet ne krye te programeve te shoqatave,pse jo dhe te partive,qe i thone vetes; “Te popullit dhe per popullin”.( dhe kete merenipo deshet per propagande..K.
    Me Kristo Mertirin, per MIRESINE e te shumevuajturit POPULL -kur “thame te veme vetulla-po na nxierin syte.”
    Te lumte ajo MENDIE komanduar ate PENE- vertet PENE o Kristo Mertiri. MIGJENI i diteve TONA.

    Golik KOKOJKA D.

  6. Balle per BALLLE-MADEMI (qe na duhet)- Kristo Meritri.
    Se pari nderim dhe rrespekt figures se nderuar te Pr, nderuar ndare nga jete;Selfo Kuka.
    “Me mire te dish sa te kesh”,sa “Balle per BALLE”nw do miresi, ne cdo fushe te jetes .
    E shoh kete te materializuar ne figurene ketij gazetari te sheklqyer atdhetar,Kristo Martiri,
    nje gazetar qe e kam te veshtire ti gjej krahasimin, per kohen qe jetojme, vec,t’u referohem
    viteve, jetuar mes nje klese puntore,sa intelektualet nxjerre ajo klase; mwse “komuniste”,
    ne rinine time; nga hekurudhat e para,hidrocentralet apo galerite e minierav sa ne auditoret
    e shkollave deri univeristeti hapur, pse jo mes fsataresise sone,ata i gjeje ne pararoje.
    Ato “komuniste”, qe flet Kristo Meriri,na zhduken analfabetizmin, na hapen deri Univerisitet, sa
    pasurite mbi e nen/tokesore, i kishim pronen tone. Me ate pasuri nderuam Hidrocentrale,
    galeri miniersh, hekurudhat, sa fabrikat njera pas tjetres deri ato METALURGJIKE.
    Ishte nje poppull “KOMUNIST”,po- po-mos u cudisni,qe beri ato kryevepra gjate 40 viteve, vertet POPULLOR.
    “Pyll pa DERRA s’ka”- thote populli,- ndaj dhe mes “komunisteve, ketu pa fus,tere klasen puntore
    dhe fshatarsine punonjese, qe zgjodhen bijte dhe bijat me te mira mes tyre, per kryepuneve.
    (Quini po deshet terma komuniste), qe “derrat” ne ate “pyll”, nuk mernin dot fryme…u bene per muzeum.
    I nderuar sa i rrespektuari Selfo Kuka,nje jete mes klases puntore Petagogu,mjeshteri i profesionit te tij nje jete
    Sa na shkruan i nderuar Kristo Mertiri, Profesori nderuar, meriton nderimet,per sa i ka dhene atdheut dhe shoqerise sone.
    Me frrymen e Tij duhet te “SKALITEN” kuadrot e sotme, fatekqesisht kaluar kufijte e sepranueshmes.
    Ketij shkrimi te Kristo Mertirit, duhet te behet nje pergjithesim sa te vihet ne krye te programeve te shoqatave,pse jo dhe te partive,qe i thone vetes; “Te popullit dhe per popullin”.( dhe kete merenipo deshet per propagande..K.
    Me Kristo Mertirin, per MIRESINE e te shumevuajturit POPULL -kur “thame te veme vetulla-po na nxierin syte.”
    Te lumte ajo MENDIE komanduar ate PENE- vertet PENE o Kristo Mertiri. MIGJENI i diteve TONA.

    Golik KOKOJKA D.

  7. asd says:

    Nuk kuptoj pse artikulli ve theksin tek fjala komunistet e ndershem, dhe jo tek njerezit e ndershem. Komuniste kishte edhe “ashtu” edhe “keshtu”. Pse nuk jane ish-komuniste ata qe komandojne sot? Fjala komunist nuk do te thote asgje.

    Ndershmeria ka vetem nje baze; Superioritetin. Kush ndjehet superior nuk ulet tek “vjedhja”. Shikoni njerezit e historise dhe do te bindeni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

1 Komente

  1. B
    Bujar Siri Karagjozi

    Lidhur me artikullin e Kristo Mërtirit botuar në gazetën «Tema» me titull: «Selfo Kuka, profesori i varfër i ekonomisë dhe "nxënësit" e pasur të tranzicionit». Kam njohur mirë shokun Selfo Kuka; ai u lind në lagjen Çfakë të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1933. Pas mbarimit të shkollës së fillores dhe të semimaturës në shkollën «Naim Frashëri» të lagjeve Duvavat, Çfakë, Manalat, ai vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin «Asim Zeneli» të qytetit Gjirokastër, ku në muajt e verës, së bashku me shumë shokë të tjerë, u dallua në aksionet e rinisë për ndërtimin e hekurudhës, duke marrë vlerësimin maksimal me 3 S. Më pas, vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, Politike dhe Inxhinierisë së Minierave në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pas përfundimit të studimeve, Selfo Kuka u caktua kryeinxhinier dhe zëvendësdrejtor në minierën e qymyrgurit në qytetin Memaliaj të Tepelenës. Pas punës dhe drejtimit atje në mënyrë shembullore, ai u emërua pedagog i ekonomisë politike në Universitetin Shtetëror të Tiranës «Enver Hoxha». Selfo Kuka ishte një njeri i dijes dhe një edukator i mrekullueshëm. Ai kishte aftësinë për të bërë të kuptueshëm edhe konceptet më të ndërlikuara të ekonomisë dhe politikës, duke i shpjeguar ato në një mënyrë që i bënte të qarta për studentët e tij. Ai ishte gjithashtu një pasionant i zhvillimit të rinisë dhe e mbështeste gjithmonë angazhimin e tyre në aktivitetet shoqërore dhe politike. Shoku Selfo Kuka ka qenë një njeri i thjeshtë, popullor, dhe komunist i brumosur në propagandimin dhe mbrojtjen me vendosmëri të ideologjisë marksiste-leniniste, duke u kundërvënë shtrembërimeve pacifiste, oportuniste, kapitaliste, revizioniste, imperialiste dhe socialimperialiste. Ai vuri gjithmonë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak dhe familjar, duke qenë i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Kjo është ajo që e bëri atë një njeri të pazëvendësueshëm, një model për të tjerët, që duhej ndjekur për integritetin, përkushtimin dhe moralin e tij të lartë. Selfo Kuka kishte një pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme. Ai ishte një njeri i përkushtuar dhe i dashur me të tjerët, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar e për të shpërndarë dijen dhe përvojën e tij. Miqësia dhe respekti që ai kishte fituar ndër vite ishte dëshmi e karakterit të tij të shkëlqyer dhe të patundur. Pavarësisht pozicionit të lartë profesional, ai mbeti një njeri i nderuar dhe i respektuar, i dashur nga të gjithë ata që e njohën. Për shumë prej nesh, ai ishte një udhëheqës frymëzues, një mentor dhe një mik i vërtetë. Një nga vlerat më të shquara të Selfos ishte përkushtimi i tij ndaj arsimit dhe zhvillimit të shoqërisë. Ai jo vetëm që ishte një pedagog i shkëlqyer, por gjithashtu një mentor për shumë studentë, duke i udhëhequr ata në kërkimin e dijes dhe në zhvillimin e karakterit të tyre. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të ofronte këshilla dhe të ndihmonte ata në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale dhe personale. Shumë prej studentëve të tij e kujtojnë me nderim dhe mirënjohje, sepse ai ishte një burim i vazhdueshëm motivimi dhe udhëzimi për ta. Ai kishte aftësinë të zhvillonte dhe inkurajonte potencialin e tyre, duke iu dhënë besim dhe forcë për të arritur qëllimet. Po ashtu, Selfo Kuka ishte një njeri i besueshëm, i cili respektonte dhe promovonte ndershmërinë dhe drejtësinë. Në çdo hap të jetës së tij profesionale dhe personale, ai e ka mbajtur një moral të palëkundur dhe ka qëndruar besnik ndaj vlerave të tij, duke u bërë një shembull për të tjerët. Ai e kuptonte thelbin e vlerave të shoqërisë dhe gjithmonë punoi për t’i kontribuar ndërtimit të një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Edhe në periudha të vështira dhe të pasigurta, ai mbeti i palëkundur në bindjet e tij, duke e treguar kështu fuqinë e karakterit dhe të besnikërisë ndaj idealeve të tij. Një tjetër vlerë e shquar e tij ishte angazhimi i palodhur për riorganizimin e Partisë Komuniste dhe besimi i tij në fuqinë e ideve të drejta për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe pa padrejtësi sociale. Pavarësisht sfidave të kohës, ai vazhdoi të ishte një përkrahës i paepur i ideologjisë dhe një aktivist i përkushtuar për të realizuar qëllimet e tij. Pas vitit 1990, ai luajti një rol kyç në riorganizimin e Partisë Komuniste, duke kontribuar në kthimin e ideve dhe vlerave të asaj periudhe në shoqërinë e re se bashku me shokët besnik të idealit marksist-leninist Razi Brahimin, Lelo Sinajn, Hekuram Osmanin, Fitim Çaushin, Hekuran Halilin, Dhimiter Shtembarin, etj. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të sakrifikonte kohën dhe energjinë e tij për të mbajtur gjallë idealet e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të zhvilluar. Gjithashtu, Selfo Kuka ishte një njeri që mbante lidhje të ngushta me popullin dhe komunitetin e tij, duke mbështetur e udhëhequr iniciativa lokale dhe duke qenë gjithmonë në shërbim të atdheut dhe njerëzve të tij. Angazhimi i tij në jetën shoqërore dhe politike ishte gjithmonë i thellë dhe i sinqertë; ai mbeti një simbol i përkushtimit ndaj idealeve të tij dhe atdheut. Ai i besonte fuqimisht se progresi i shoqërisë kalon përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të çdo individi për të kontribuar në mirëqenien kolektive. Në përfundim, figura e shokut veteran i LANC-it Selfo Kuka do të mbetet gjithmonë një burim frymëzimi për të gjithë ata që e njohën, një model i virtyteve dhe i pasionit të paepur për drejtësinë, atdhenë dhe njerëzit. Angazhimi i tij për zhvillimin e shoqërisë dhe për mbrojtjen e vlerave të larta shoqërore dhe politike do të jetë një kujtim i paharrueshëm për brezat që vijnë. Ai është një shembull i përkushtimit të palodhur ndaj idealeve,, një njeri që me punën dhe jetën e tij ndihmoi në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. I paharruar mbetet kujtimi për shokun komunist Selfo Kuka dhe shokët e tij te idealit. Ai do të mbetet gjithmonë një shembull i ndritur i përkushtimit dhe dashurisë për atdhenë si dhe për njerëzit e tij.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje