Ekipi i ekspertëve rusë përfundon misionin e inspektimit të Armë-Kontrollit në Shqipëri. Tani vijon inspektimin në Kroaci

4 Tetor 2016, 12:30Kronika TEMA

Ekipi i ekspertëve rusë, i cili bëri inspektimin e Armë-Kontrollit Shqipëri ka disa ditë që ka përfunduar misionin e tij dhe është larguar nga Shqiperia.

Burimet për “TemA” saktësojnë se në fund të shtatorit 2016, një ekip i Federatës Ruse të Armë-Kontrollit zhvilloi një vizitë inspektimi në vendin tonë, vizitë që kryhet në përmbushje të detyrimeve të vendeve në kuadër të OSBE-së, bazuar në Dokumentin e Vjenës 2011.

Objekt i inspektimit mësohet se ka qënë informacioni vjetor i detyrueshëm për t’u deklaruar prej vendeve anëtare të OSBE-së, mbi forcat ushtarake dhe dislokimin e sistemeve dhe pajisjeve kryesore ushtarake.

Ndërkohë që ekipi rus vijon monitorimin në Kroaci, dhe ky vend anëtar i Aleancës dhe njëherësh anëtar i Bashkimit Evropian.

Inspektimi është një prej tre ispektimeve rutinë që Shqipëria ka detyrimin për t’i pritur, dhe aplikimi i shtetit inspektues është bërë në përputhje me kërkesat e “Dokumentit të Vjenës” dhe është trajtuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë korrekte në respekt të ligjeve të vendit dhe të detyrimeve që burojnë nga Dokumenti i Vjenës.

Një nga 20 fushat e veprimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Europës (OSBE) është edhe Armë-Kontrolli. Në bazë të “Dokumentit të Vjenës të vitit 2011”, shtetet anëtare (nënshkruese të dokumentit) kanë detyrimin të presin tre vizita inspektimi në vit dhe një vizitë vlerësuese.

Në të njëjtën kohë ato kanë të drejtën, që në përputhje me parashtrimet e dokumentit të Vjenës, të ushtrojnë tre inspektime dhe një vizitë vlerësuese në vendet anëtare të OSBE.

Edhe Shqipëria nga ana tjetër, si anëtare e OSBE që prej vitit 1991 dhe nëshkruese e “Dokumentit të Vjenës” e ka ushtruar të drejtën e saj duke kryer inspektime dhe vlerësime, e vetme ose në bashkëpunim me shtete të tjera.

Inspektimi më i fundit është kryer në Republikën e Malit të Zi javën e kaluar, ndërkohë që më parë gjatë vitit (Mars 2015) me një ekip të përbashkët me Gjermaninë, ka kryer inspektim në Serbi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje