10 këshilla për Enver Hoxhaj në Top Story

3 Nëntor 2016, 19:47Antena TEMA

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka marrë sugjerime prej 10 pikash nga analisti Skrapar Buzhala, për të përballuar debatin me analistët e Shqipërisë në Top Story.

Duke qenë se kjo konsiderohet si ndeshje kthimi në Tiranë, Enver Hoxhaj “nuk guxon” të humbasë, sugjeron analisti Skrapar Buzhala.

Ja rekomandimet e tij:

“Kujdes nga Sokol Balla. Është person i rrezikshëm, nuk të shikon drejt e në sy kur të pyet, dhe të rren po qe se të thotë “do hamë darkë me Edi Ramën pas emisionit”. Mos e beso dhe mos u tut. Bjeri në ballë.

Bëjua me dije analistëve nga Shqipnia, se fati i Kosovës ka kenë gjithnjë Enver Hoxha. I pari i ka shpall luftë Beogradit, në emër të Kosovës, i dyti i ka shpall luftë Tiranës në emër të Kosovës.

Bëjua me dije se në Kosovë nuk ka me ndodh si në Shqipni, që pasi Enver Hoxha foli për Kosovën, kryeministri Mehmet Shehu vrau veten. Isa Mustafa se vret kurrë veten.

Bëjua me dije, që ata gjashtë analistët e Kosovës që ishin në bisedë me Edi Ramën, kanë qenë të pre në besë nga Batoni, se u pat premtu nga një selfie me Edi Ramën para emisionit. Ai nuk e mbajti fjalën dhe ata krejt e kishin mendjen tek selfia.

Bëjua me dije se ideologu i ri i Rilindjes kosovare, Halil Matoshi, ka propozu modifikim të dialektit të Kosovës, duke zëvendësuar Q dhe Ç me figurë qeni dhe çekani, e me bë diferencën se si e shqipton Tirana emrin Vuçiç, dhe si e shqipton Prishtina Vuqiq, me dy figura qeni.

Bëjua me dije se krejt pushuesit kosovarë që do vijnë këtë verë në pushime dhe krejt emigrantët nga Greqia, do votojnë kundër Edi Ramës.

Bëjua me dije se Ramiz Kelmendi, njeriu më i fortë i biznesit me Serbinë, është ba zëvendëskryeministër, sikundër ti. Kjo do të thotë, që po të jetë për Serbinë, Kosova e ka lehtë vet, s’ka nevojë të ndërmjetësojë Tirana.

Bëjua me dije se po vazhdun kështu, kemi me bojkotu krejt paketat digitale të Shqipnisë, Digital, Tring, dhe krejt portalet, dhe s’keni me na kuptu më kurrë se çfarë flasim.

Bëjua me dije, se Qeveri e Kosovës nuk ja fal kurrë Edi Ramës, që ja ka marrë Merkelin, ja ka marrë Obamën, e tash i ka marrë dhe Vuçiçin. Kjo është të jesh i pangopur.

E fundit, duhet me ua bë me dije, se krejt çfarë na ka mërzit nga Edi Rama, është që është kthy dhe i ka marrë në mbrojtje ata gjashtë analistat. Këtë e ka bë me qëllim me na diftu që ju du kshu si këta analistët, me ba ça më do qejfi mue. Kjo është fyerja më e rand që na ka bë, dhe që nuk ja falim kurrë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje