Gjermani që akuzohet se ka përkthyer ligjin mbi Verfikimin e Figurës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i është përgjigjur me një letër zyrtarëve të PD, për akuzën e ngritur ndaj tij.
“Të dashur miq.
Kam dëgjuar që pas ikjes sime në shtëpi këtë fundjavë, në Tiranë kanë shpërthyer akuzat kundër meje, sikur më kanë pushuar nga puna. Me siguri dikush ua ka përkthyer gabim, motivin përse kam ikur.
Pikësëpari meqë në vend kishte plasur debati i madh se kur ka ikur gjermani i fundit dhe shumica ngulin këmbë që ka ikur më 29 nëntor, dhe unë vendosa ta pres biletën për 29 nëntor, por e kam vajtje-ardhje.
Duke imituar gjermanin e fundit që ka ikur dikur, shpresova se do ishit të qetë dhe do diskutonit me përgjegjësi për ligjin e “Verifikimit”.
Siç e dini, unë nuk di shqip, dhe nuk kam si të përkthej nga shqip në anglisht, për me tepër që jam dhe gjerman. Por e sigurtë është që përkthimi është shumë korrekt, dhe Venecia e ka kuptuar mirë përmbajtjen e ligjit.
Të vetmet probleme që mendoj se ka ikja ime, është se duke ikur më 29 Nëntor, mund të më akuzoni se kam nostalgji për nazizmin, por meqë jeni parti të djathta, shpresoj që nuk e bëni këtë.
Po ashtu kam dëgjuar zotin Berisha, që ka akuzuar ambasadoren Vlahutin, përse nuk ka marrë masa ndaj meje si përkthyes.
Siç e dini as zonja Vlahutin nuk di shqip, dhe ligji na është dukur shumë i mirë në anglisht edhe kur erdhi nga Brukseli edhe kur iku në “Venecia”. Dyshimi im është se Luli do t’ia ketë përkthyer keq ligjin zotit Berisha, për ta zbutur zemërimin e tij kundër reformës dhe duke e gënjyer se i mundëm këta të huajt.
Sidoqoftë shpresoj që kur të kthehem në Tiranë ky debat të ketë përfunduar, pasi për hir të së vërtetës do të më duhet dhe mua një përkthyes i mirë të kuptoj çfarë keni thënë për mua. Kështu që do hyjmë në një spirale përkthyesish të pafundme që nuk do t’ia dalim dot.
Por një gjë nuk ka nevojë për përkthim. Kur pashë fytyrën e zotit Berisha, pasi u njoftua se “Venecia” mund ta ketë kaluar pozitivisht ligjin e verifikimit, për herë të parë nuk kisha nevojë për përkthyes nga shqipja. Fytyra e tij fliste vet. Gjuha e trupit është më e fortë se gjuha e shkruar në raste të tilla. Berisha e rrezaton në fytyrë përbajtjen e ligjit, dhe nuk ka nevojë për përkthyes.