Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi mori pjesë sot Forumin Koordinues “Rrjeti i Zonave të Mbrojtura: Modeli i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm – hapat e mëtejshëm për një menaxhim më të mirë”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Të pranishëm ishin z. Lefter Koka, Ministri i Mjedisit, Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zj. Eglantina Gjermeni, Ministër i Zhvillimit Urban si dhe përfaqësuesit më të lartë të organizatave partnere e donatore UNDP, Delegacioni Evropian, GIZ etj.
Në këtë takim u paraqitën arritjet e deritanishme në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të dhënat e vitit që po mbyllet regjistrojnë trefishim të numrit të turistëve në Zonat e Mbrojtura, nga 400 mijë vizitorë në 2015, në mbi 1,56 milionë në 2016. Një tjetër arritje gjatë këtij viti është realizimi për herë të parë me standarde i inventarizimit të florës dhe faunës së egër në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Mjedisit, gjatë vitit 2016 janë investuar rreth 6 milionë euro (nga qeveria dhe nga donator të huaj në vendin tonë) ndërsa vitin e ardhshëm do të vijojnë investime dhe deri më tani janë parashikuar rreth 3 milionë euro.
Në forum u prezantuan disa nga investimet e fundit, brenda zonave të mbrojtura, si dhe u theksuan sfidat e së ardhmes brenda zonave të mbrojtura me qëllim trajtimin e rrjetit të zonave të mbrojtura si një model i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë forum Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se zonat e mbrojtura nuk duhet të trajtohen thjesht si zona të rrethuara dhe të veçuara, por të shihen në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik.
“Sot në Shqipëri funksionojnë dy ligje të reja: ligji “Për turizmin” i vitit 2015 dhe ligji “Për investimet strategjike”, i cili daton në vitin 2015, por është bërë i aplikueshëm që nga janari i këtij viti. Dëshira jonë e madhe është që vazhdimisht të tregojmë Shqipërinë autentike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Gjatë vitit që po lëmë pas, përdorimi i të gjithë parqeve natyrore në vendin tonë u rrit, kjo nga dëshira për të parë se çfarë ofronte Shqipëria turistike. Numri i vizitorëve që vizituan parqet kombëtare të vendit tonë për këtë vit ishte 3.3 herë më shumë se sa në vitin e kaluar. Kështu që, është meritë e gjithë atyre që punojnë në parqet e zonave të mbrojtura, të cilët kanë bërë të mundur mirëmbajtjen dhe promovimin e këtyre zonave në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto parqe jo vetëm që u vizituan nga vizitorë të huaj, por u vizituan dhe nga ata vendas, një risi turistike e këtij viti.
Unë besoj që iniciativat për ta parë në një këndvështrim zhvillimor zonën e mbrojtur, si ta përmirësojmë dhe ta shndërrojmë atë në një burim të zhvillimit ekonomik, janë iniciativa që i shërbejnë ardhmërisë së vendit dhe natyrisht i shërbejnë dhe ardhmërisë së përmirësimit të legjislacionit tonë, i cili duhet të shkojë në linjë me gjithë rekomandimet që japin direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian. Unë besoj që kjo do të jetë dhe drita juaj e të parit sot të zonave të mbrojtura dhe ndryshimeve që do të sillni gjatë këtij seminari. Teksa po lexoja për një zonë të mbrojtur në Shqipëri, vura re që datimi i parë i krijimit të konceptit të zonave të mbrojtura në Shqipëri është viti 1940. Ky fakt tregon se Shqipëria ka histori të gjatë të trajtimit me kujdes të zonës së mbrojtur prej shumë vitesh eksperiencë tashmë. Suksese ne takimin e sotëm!”