Dy rastet e fundit të fikjes së dritave në stadiumet tona kanë shkaktuar debate të ndryshme: masat që duhet të kishte marrë OSHEE-ja, përgjegjësia e organizatorëve apo drejtuesve të stadiumeve që nuk kanë kushte e duhura teknike elektrike, e deri te legjendat-thashetheme se u bënë qëllimisht për punë bastesh…
Gjithsesi faktet tregojnë se ky fenomen qenka “normal” edhe në vende të ndryshme të botës perëndimore. E çuditshme, por pikërisht në ndeshjen e kampionatit më të fortë të botë, Premier Liga Angleze, në ndeshjen e luajtur jo më larg se më 19 nëntor 2016, Sandërlend – Hull, stadiumi përfundon në errësirë të plotë pas një avarie në rrjetin elektrik. Energjia u rikthye pas vendosjes në punë të rrjetit elektrik rezerve, linja dhe gjenerator.
Ka ndodhur edhe në stadiumin më të rëndësishëm të Turqisë, “Stadiumi Olimpik Ataturk”, më 11 dhjetor 2014, kur po luhej një përballje e fortë midis Beshiktashit dhe Totenhemit për “Uefa Europa League”. Dritat ikin në stadium 8 minuta pas fillimit të ndeshjes dhe rikthehen pas 15 minutash. Energjia shkëputet sërish gjatë minutave shtesë, duke detyruar lojtarët të futen në tunelet e stadiumit për të pritur rifillimin e ndeshjes, ndërsa ovacionet e tifozëve “lëkundin” stadiumin dhe e ndriçuan anën e tyre përmes telefonave.
Dritat kanë ikur edhe gjatë fazës kualifikuese të Botërorit, ku më 12 tetor 2016, gjatë ndeshjes Venezuelë-Brazil, energjia elektrike ndërpritet për 30 minuta. Sërish skuadra e Brazilit përballet me mungesën e energjisë, gjatë ndeshjes ndaj Argjentinës (në fushën e kësaj të fundit), në vitin 2012, duke detyruar arbitrin të ndërpriste ndeshjen. Brazilianët nisën të bënin ironi me rastin fatkeq të Argjentinës, por e pësuan vetë në organizimin e Botërorit “Brazil 2014”, ku në disa raste pati probleme me energjinë elektrike.
Rastet janë të shumta në botë, por ajo që vë kapakun, ose “qershia mbi tortë” konsiderohet mungesa e energjisë elektrike në finalen e luksit, “Super Bowl”, luajtur në Nju Orlins të SHBA-ve më 3 shkurt 2013. Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë midis Baltimore Ravens dhe San Francisko 49ers, gjysma e stadiumit u përfshi në errësirë të plotë pas djegies se një transformatori. 69 mijë tifozë mbetën në terr të plotë për rreth 50 minuta.