Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi sot një takim me ish–ushtarakët dhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në Burrel.
Rrahman Beshku, një ish–ushtarak dhe veteran zgjodhi këtë event për të treguar se veteranët e luftës janë krenarë për atë që bënë për atdheun dhe popullin dhe që i kanë dhënë më shumë se çdo brez tjetër këtij vendi. Ai vlerësoi kontributin e qeverisë së drejtuar nga Rama për këtë shtresë që ka kontribuar fort në ngjarjet më të rëndësishme të vendit.
“Gjej rastin që në emrin tuaj, të përshëndesim dhe të falenderojmë në mënyrë të veçantë qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për kujdesin që tregojnë për veteranët dhe pensionistët, që i dhanë një shpërblim modest për festat e fundivitit duke siguruar kryeministrin që Organizata e Veteranëve do të jetë mbështetje për Partinë Socialiste”, shtoi ai.
Beshku theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që njeh respekton dhe nderon Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe për këtë ai ka nënvizuar se kjo organizatë do të jetë një mbështetje e fuqishme për këtë qeveri dhe PS. “Sigurojmë kryeministrin që Organizata e Veteranëve do të jetë mbështetje për Partinë Socialiste.
PS është e vetmja forcë politike që njeh respekton dhe nderon Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Edhe opinioni i shëndoshë qytetar vëren me kënaqësi tek ne se qeveria është në rrugën e duhur dhe në drejtimin e duhur dhe për këtë po punon për të bërë reforma siç është Reforma në Drejtësi etj”, përfundon ai.