Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar nga afër në ‘’Rrugën e Kombit’’ situatën dhe masat e marra nga strukturat e Emergjencave Civile për shkak të reshjeve të dëborës.
Në fjalën e tij ministri Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur lëvizjet pasi pritet që temperaturat të ulen edhe më tej.
‘’ Sot nuk kemi asnjë problem, po menaxhohet e gjithë situata në të gjithë Shqipërinë. Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore, të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës.
Ditët që vijnë pas do jenë më të ftohta, moti përkeqësohet. Ndaj është e domosdoshme të marrim masa të gjithë qytetarët që të kufizojnë lëvizjet’’ tha ministri Tahiri
Ministri siguroi se të gjitha strukturat shtetërore janë në këmbë për ti ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve.
‘’ Emergjencat Civile janë në gatishmëri. Janë mbi 100 mjete vetëm në këtë zonë për të ndihmuar që rrugët kombëtare të mos bllokohen dhe ti gjendemi njerëzve.
Struktura e Ministrisë së Transporteve është e gjitha në gatishmëri, Ministria e Shëndetësisë është e gjitha në gatishmëri për tu gjendur njerëzve që kanë emergjenca shëndetësore. Rezervat e Shtetit janë të gjitha në gatishmëri me ndihma për të gjithë ata që kanë nevojë për ushqime.
Presim kërkesat nga pushteti vendor për të gjitha familjet që kanë nevojë për ushqime në mënyrë që ti gjendemi pranë me sa kemi mundësi’’, theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.