Mësimet e ndryshimit

16 Janar 2017, 19:15Blog TEMA
Mësimet e ndryshimit

Gjovalin Kola 

Disa ngjarje na sjellin vazhdimisht në mendje se ndryshimi pranohet me vështirësi. Madje ka nga ata individë, të shumtë e të përhershëm, që e kundërshtojnë dhe vazhdojnë të besojnë se kanë menduar mirë kështu. Para viteve 90-të, elitat pushtetmbajtëse në Shqipëri, na mësonin me libra e propagandë se komunizmi është i përjetshëm. Gjithçka mund të ndryshojë, predikonin ato, por jo ky sistem. Ky është i paprekshëm, “sepse është më i miri dhe më i drejti në botë”. Kështu konsiderohej Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia gjithashtu, dy perandoritë komuniste. Por ndryshimi ndodhi dhe komunizmi doli se s’kishte qenë i përjetshëm. Në ditët tona, Brexit dhe zgjedhja e Presidentit Trump në SHBA janë kundërshtuar me ashpërsi nga elitat politike, ekonomike dhe mediatike perëndimore, që kërkojnë të ruajnë me çdo kusht modelin dhe interesat e tyre. Këto harrojnë se pavarësisht kundërshtimeve, ndryshimi është objektiv. Sepse ai është rezultat i logjikës së sendeve dhe i kondradiktave, jo i dëshirave subjektive.

Është e vërtetë se Bashkimi Evropian mbështetet mbi sistemin demokratik, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut etj, por jo të gjitha vendet anëtare pajtohen me kompetencat në rritje të Brukselit në dëm të sovranitetit të tyre. Pakënaqësia ndaj modelit të shoqërive të hapura po rritet, sikurse edhe ndaj tutelës dhe kuotave të emigracionit që imponon BE-ja. Për më tepër, zëra kritikë brenda BE-së kërkojnë prej kohësh reforma strukturore për të luftuar krizën ekonomike dhe  burokracinë stërmadhe.

Brexit-i është gjithashtu një ndëshkim  ndaj kësaj status-quo-je. Aktualisht, drejtuesit e BE-së e të NATO-s duket se janë të shqetësuar nga ndryshimet që paralajmëron ekipi i ri i Uashingtonit. Presidenteti i ri amerikan e ka quajtur organizatën ushtarake « të kushtueshme e të vjetëruar. » Por çudia nuk qëndron te këto deklarata « të çuditshme », por te reagimet e drejtuesve të NATO-s dhe të vendeve evropiane. Edhe këta duket se kanë harruar pikërisht ndryshimin, dhe mendojnë se BE-ja dhe NATO janë të përjetshme e të pandryshueshme ! Por ndryshimi, me gjithë frikën dhe shqetësimet që shkakton, është një proces i pashmangshëm. Vetëm ai bën të mundur ekzistencën  në përputhje me kërkesat e reja të kohës. Përvoja mëson të mos i druhemi ndryshimit. Mungesa e reagimit dhe e nisiativës për t’i përmirësuar dhe transformuar institucionet, është inerci edhe  e demokracisë. Kjo është më e rrezikshme se çfarëdo ndryshimi, sado i vështirë qoftë ai.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje