Policia e Shtetit informon se ka prangosur 35-vjeçarin Flori Kuqja, 27-vjeçarin Enver Dobra, banues në Cërrik, si dhe Fatos Seranin, 37-vjeç, banues në Berat gjatë operacionit të koduar “Administratori” dhe sekuestroi 30 kg kanabis sativa.
Dy të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Arrestimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi proaktiv të ndjekur me metoda speciale hetimi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Flori Kuqja u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës material 30 kg lëndë narkotike e dyshuar me atë të llojit Cannabis Sativa”, sqaron policia.
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve T.K, 27 vjeç dhe XH.K 29 vjeç të dy banues në fshatin Shalës Cërrik.
Nga veprimet hetimore paraprake të kryera nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve rezultoi se lënda narkotike dyshohet se i përket shtetasve të lartpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.