Starova: Sakrifikojmë për tifozët, por po bëhet garë e padrejtë

5 Shkurt 2017, 20:06Sport TEMA

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në deklaratën e tij pas ndeshjes për “Gol pas Goli” u shpreh i kënaqur me fitoren e vuajtur ndaj Vllaznisë. Ai i dha merita të plota kundërshtarit për vështirësitë që hasi ekipi i tij gjatë ndeshjes.

Gjithashtu Starova komentoi dhe garën për titull duke e quajtur të padrejtë faktin që Skënderbeu do luajë në fushë asnjëanëse me Korabin, dhe Partizani mund të shkojë të luajë në Peshkopi.

Për ndeshjen

“Hasëm vështirësi sepse ne nuk jemi skuadër që i kemi të sigurta ndeshjet për t’i fituar me lehtësi. Konkurrenca është e madhe dhe motivimi i Vllaznisë ishte i madh sepse i duhen pikët për t’iu larguar rrezikut. Në pjesën e parë hasëm shumë vështirësi për meritë të Vllaznisë që ishte e hekurt dhe që u bë edhe më e vështirë sepse kaloi në avantazh pa patur pretendime për të dalë në sulm.

Në dhomat e zhveshjes u thashë lojtarëve se na duhej vetëm 1 gol për të përmbysur rezultatin dhe kjo ndodhi. Është një fitore e madhe sepse erdhi me vuajtje. Falënderoj publikun sepse më në fund e pamë lojtarin e 12 dhe u kërkojmë falje për vuajtjet që u shkaktuam deri në fund.”

Për formacionin

“Ky nuk është formacioni ynë më i mirë. Nuk mund ta thuash këtë gjë vetëm sepse fituam sot. E rëndësishme është që ne luajtëm drejt gjatë gjithë kohës dhe u shpërblyem për lojën që luajtëm.”

Për vështirësitë në lojë

“Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe fanella me peshë nuk dorëzohet kollaj. Ka 4-5 lojtarë cilësorë në ekip që mund të luajnë edhe me ne. Cetkoviç nuk është në gjendjen më të mrië sepse u dëmtua. Kur ndodh kështu, vuajnë dhe lojtarët e tjerë.

Më pëlqeu karakteri i ekipit. Fusha e “Selman Stërmasit” nuk është cilësore si fusha e Elbasanit ku kemi luajtur gjatë gjithë vitit, por kemi pranuar të bëjmë këtë sakrificë për të patur afër tifozët. Kjo ndeshje ishte vitrinë për kampionatin tonë.”

Për garën e titullit

“Organizuesi i garës duhet të jetë më i kujdesshëm. Që të shkojë Partizani 2 herë në Gjirokastër, kjo nuk lejohet. Ka kushte që duhen plotësuar. Ka afate që duhen respektuar nga pjesëmarrësit në garë. Nuk është e drejtë që Skënderbeu të luajë në fushë asnjëanëse dhe Partizani të shkojë të luajë në Peshkopi sepse kështu mund të humbet kampionati. Ne nuk jemi të sigurtë që do dalim kampion, por besojmë 100% që do ta realizojmë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje