Ka ardhur me disa orë vonesë përgjigja e Martin Caceres dhe nuk ka qenë pozitive për Milanin. Mbrojtësi uruguain i cili pak ditë më parë iu nënshtrua testeve mjekësore në llogari të klubit kuqezi, ka refuzuar ofertën që i ka bërë Adriano Galliani.
29-vjecari nga Montevideo, i ka thënë jo kontratës 5-mujore që i ka propozuar administratori i deleguar, i kuqezinjëve, nga e cila do të përfitonte 250 mijë Euro, plus bonuset deri në 30 Qershor.
Caceres është nisur menjëherë drejt Anglisë për të dëgjuar disa oferta më interesante dhe për të vendosur përfundimisht se cila do të jetë skuadra ku do të vazhdojë karrierën.
Ish lojtari i Juventusit edhe pse vjen nga një dëmtim i rëndë dhe do ti duhet ende kohë për të rifituar formën optimale beson te aftësitë e tij dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore që Martin Caceres i tha një jo propozimit të Gallianit për të veshur fanellën e Milanit.
Caceres fillimisht ishte pranë Interit, më pas u afrua me Fiorentinën, ndërsa për të u interesua edhe klubi turk i Trabzonsporit. Megjithatë sëfundmi uruguaiani kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe të gjithë menduan se do të firmoste me Milanin, por në futboll surprizat nuk kanë fund, dhe kjo me Caceres ishte një surprizë e hidhur për të gjithë tifozët e klubit kuqezi.