Një shqiptare e moshuar është cituar nga Radioja Publike në St. Louis në raportin për shkurtimet e fondeve për emigrantët në Missouri.
Lumturije Harizi Byku është 65 vjeç dhe ka mbërritur në SHBA në 2008 pasi ka fituar llotarinë. Ajo jeton pranë vajzave të saj.
Lumturija është një prej shumë emigrantëve që përfitonin nga një program i posaçëm i natyralizimit, që ndihmon të moshuarit për provimin e nënshtetësisë.
Missouri ishte shteti i parë në SHBA që krijoi një program ku të moshuarit që kanë problem me anglishten dhe që nuk e njohin historinë amerikane të përgatiten për natyralizimin.
Këtij programi mund t’i vijë fundi tani që guvernatori Eric Grietens ka shkurtuar edhe 100,000 dollarët e programit, në kuadrin e 146 milionë dollar shkurtime që ka bërë nga buxheti i shtetit.
Programi ka ndihmuar mijëra të moshuar nga 60 deri në 91 vjeç që të kalojnë provimin e nënshtetësisë. 87% të pjesëmarrësve në program kanë dalë me sukses.
(Në fotografinë lart, është një tjetër shqiptare, Evlloqi Hudhri, duke qeshur me shoqet e saj në qendrën e Shërbimeve Ndihmëse Ndërkombëtare Dygjuhësore, ku ajo dhe rreth 40 pensionistë shqiptarë mblidhen çdo javë për të luajtur bingo, domino dhe me letra bixhozi.)
Lumturija nga Shqipëria është përgatitur për një vit me radhë, në këtë qendër, me ndihmën e një vullnetareje, për provimin e nënshtetësisë. Të hënën ajo e kaloi provimin me sukses dhe tani pret të bëjë betimin për t’u shpallur zyrtarisht nënshtetase amerikane.
“Është vështirë kur je emigrante po akoma më shumë nëse nuk di anglisht”, tha ajo për radion publike të qytetit. “Ndjehesh e izoluar dhe nuk komunikon dot. Tani, kur udhëtoj, arrij të flas me oficerin në aeroport. Kur bëj Pazar e kuptoj çfarë më thotë shitësja. Tani nuk ndihem më e humbur”.
Mirëpo asaj i vjen keq që këtë mundësi mund të mos e kenë të tjerët që vijnë në këtë vend në moshë të madhe.
“Fëmijët tanë dinë anglisht shumë mirë, mirëpo ata nuk mund të rrinë gjithë kohën me ne për të na ndihmuar. Pa këtë program do të ishte e vështirë të bëhesha qytetare”, thotë ajo duke shtuar se programi të ndihmon të integrohesh në shoqërinë amerikane dhe në komunitet. (Ruben Avxhiu)