Zbulohet skandali i kryetares së Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula. Lirimi i një personi të akuzuar për vepra të rënda penale është bërë shkak për një ankesë zyrtare të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj vendimit të dhënë nga gjyqtarja Entela Shedula.
Fjala është për lirimin e një shtetasi të akuzuar për tri vepra penale, të cilin kryetarja e Gjykatës së Kavajës e ka liruar nga burgu, në kundërshtim edhe me kërkesën e Prokurorisë, raporton “Panorama”.
Letra zyrtare e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtuar presidentit Bujar Nishani, mban datën 18 prill 2014, dhe ka numër protokolli 2630/3. Ankesa për gjyqtaren e Kavajës është pjesë e një sërë vendimesh të dhëna nga gjykatat, të cilat, sipas Ministrisë së Brendshme, mund të konsiderohen flagrante.
“Kanosje me armë, gjyqtari vendos detyrim paraqitje”, kështu titullohet ankesa që kreu i Ministrisë së Brendshme ka bërë më shumë se dy vite më parë ndaj gjyqtares Entela Shedula. Kjo e fundit qëndron ende në detyrë, pavarësisht ankesës së drejtuar Presidentit Bujar Nishani, të cilit mësohet se letra i është dërguar në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Më datë 27.11.2013, u arrestua në flagrancë shtetasi Ilirjan Allaman Beu, për veprat penale të ‘Kanosjes’, ‘Dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta’, parashikuar nga nenet 84, 90 dhe 279 të K.Penal”, thuhet në letrwn e Tahirit.
Sipas shkresës së ministrit të Brendshëm, prokurori i çështjes, z. Edmond Kariqi, kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Duket se kjo masë sigurie ishte kërkuar për shkak të tri veprave penale, për të cilat akuzohej shtetasi i arrestuar në flagrancë nga ana e policisë. Por ministri i Brendshëm evidenton në letër se pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg”, nga ana e Gjykatës, me gjyqtare të çështjes znj. Entela Shedula, është ndryshuar masa e sigurisë, duke vendosur “detyrim paraqitje”.
Në këtë mënyrë, sipas ankesës së ministrit, është bërë lirimi i personit që ishte arrestuar me akuzën e kryerjes së tri veprave penale. Pasi është liruar nga qelia me vendim të gjyqtares Entela Shedula, i dyshuari është lënë në masën e detyrimit për t’u paraqitur periodikisht në Policinë Gjyqësore.
Te emerohet per shortin e KED-se nga parlamenti kjo gjyq*arja.