Lup-Java Kategoria Superiore, java e 21-të

12 Shkurt 2017, 11:50Sport TEMA
Lup-Java Kategoria Superiore, java e 21-të

 

 

PROSTITUCIONI ZBRITI NË FUSHËN E LOJËS. U UL KËMBËKRYQ

Nga Ervin Baku

Lup-java apo Lup-”zeza”? Kësaj radhe kjo nuk mund të quhet dilemë. Siç e dinte e gjithë Shqipëria, Kukësi fitoi kundër Tiranës. Ndeshja konfirmoi atë që vetë trajneri i Kukësit Ernest Gjoka e lajmëroi të dielën e kaluar në TVSH. Pra, aleancë paska patur. Tirana dhe Kukësi bashkëpunuan fort për ta sterrosur ditën e futbollit shqiptar. E bënë pis, me shumë baltë, mu në mes të Tiranës. Madje pak metra larg institucionit të futbollit.

Që Kukësi mund të fitoje ndaj Tiranës në kryeqytet, kjo nuk është ndonjë hata e madhe, por sot në “Selman Stermasi” e qelbën tërësisht javën. Po! Tani po! Tifozët e Tiranës kanë të drejtë të qëndrojnë larg skuadrës. Larg pazareve të pista që bëhen në kurriz të fanellës së tyre të shtrenjtë. Të asaj fanelle që disa prej tyre, kanë dhënë jetën. Po! Tani po! Tirana u zyrtarizua si skuadra e parë e këtij edicioni që hap portën.

Ishte vrastare ta ndiqje ndeshjen, ndërsa në pjesën e dytë, sulmuesit verilindorë, ngatërroheshin me këmbët e tyre në përpjekje për të shtyrë topin në rrjetë. Edhe pse në shumë raste kishin vetëm një mbrojtës përpara. Ky është një “krater vullkanik”, i denjë për të shpërthyer e mbytur të gjithë. E gjitha ndodhi në praninë e dy presidentëve të skuadrave. TURP! Dhe turpi më i madh është se teatri i fushës vazhdoi edhe ëe intervista. TURP! Dhe më vjen mirë se jam në sintoni të plotë me ç’ka shkruajta më sipër, me kolegët e dy gazetave të sportit në Shqipëri.

Në Shkodër, futbolli prodhoi një puntatë fantastike. Shumë argëtuese dhe zbavitëse. Një skenar i çmendur rakombolesk. Fitore po kaq e çmendur e shkodranëve. Mbetet vetëm për të përgëzuar Vllazninë për suksesin e madh ndaj një rivali të vjetër e konkurent për fundin. Alarmi rikthehet te Flamurtari. Skuadra më e padeshifruar. Grupi që herë-herë sillet si një kockë e fortë, ndërkohë që shpesh bie në batakun e një skuadre të thjeshtë. Janë prap aty. Vlonjatët pavarësisht konceptit që mund të kenë për kampionatin (mbase mendojnë se nuk rrezikojnë), mbeten “një” me fundin. E ndersa Lup-Java përpiqet të “lupojë’ për të gjetur një tjetër ndeshje të qënësishme, lipset të kalojë te sfidat Skënderbeu – Laçi dhe Teuta – Partizani.

Sidomos kjo e dyta, luajtur dy ditë më heret në “Niko Dovana”. Ekipi durrsak iu tregoi të gjithëve se jo vetëm nuk di të lozë jashtë fushe, por me mesazhin e dhënë në lojë shfaqi forcën dhe dëshirën e madhe sportive për të ndalur pretendentët e titullit. Në fakt, Partizani, dhe kështu jemi duke folur për skuadrën e kuqe, nuk ia bëri hyzmetin dhe aq kësaj transferte delikate. Faji duhet kërkuar te lojtarët në fushë dhe stafi teknik që, në atë takim, la jashtë njërin nga fantazistët më të mirë të Superiores, Marko Cetkoviç. Jo vetëm kaq. Starova duhej t’i besonte disa minuta edhe Sukajt. Se në fund të fundit, për të kontribuar janë blerë një “thes” me para.

Nejse, Partizani mbetet në garë, veçse këtë radhë poshtë Kukësit dhe Skënderbeut. Këta të fundit kaluan minimalisht Laçin, por pa pasur shkëlqimin që jemi mësuar të shohim. Një gol aksidental, konkluduar me finesë nga Salihi, dhe disa rreziqe prapa nga sulmuesit bardhezinj (sidomos një, në sekondat e fundit të ndeshjes), tregojnë se Ilir Daja ka punë me të tijtë. Për të implementuar tërësisht idetë dhe futbollin e tij. Gjithnjë nese do të jetë ai kampioni i sezonit. Për Luftëtarin dhe Korabin, ka një ditë sot, që do t’i përballë në Gjirokastër. Shansi i fundit i dibranëve për të shpresuar në qëndrimin në elitë. Ndryshe mendon ekipi i brishtë e plot vrull i vëndasve që, me një fitore eventuale, do të parakalonin Tiranën e do të qëndronin të qetë në mesin e artë. Për të synuar realisht Europën. Kaq! S’ka më “frymë”! Atë na e mori ndeshja turpëruese e luajtur në kryeqytet.

E megjithatë, mbrëmja e djeshme u “rifitua” nga Ermal Meta. Këngëtari shqiptar garoi më shumë se denjësisht dhe u rendit i treti në finalen e Sanremos. Titulli i këngës së fierakut ishte “Vietato morire”( E ndaluar të vdesësh), seç na kthen në gjetjen e një tjetër titulli për javën futbollistike që u luajt sot. “Vietato giocare” si në “Selman Stërmasi”. Vietato vietato vietato (Ndaluar ndaluar ndaluar)!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje