Pyetja që po e bëjnë të gjithë: Çfarë ka qenë duke tymosur Trump?

20 Shkurt 2017, 19:35Bota TEMA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohet të ketë sajuar një histori e cila nuk ka ndodhur në të vërtetë, teksa në një takim në Florida përpara një audiencë mjaft të gjerë u shpreh se Suedia kishte pasur një incident me emigrantët një natë më parë, duke radhitur si shkaktar edhe të ashtuquajturat politikat e dyerve të hapura që ka aplikuar Europa në dy vitet e shkuara.

Megjithatë, në bazë të deklaratave zyrtare që ka bërë qeveria suedeze, në vend nuk ka pasur asnjë episod të tillë ose të ngjashëm.

Diplomatët e Suedisë kanë shkuar edhe më tej duke kërkuar një shpjegim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për deklaratën e tij, ndërkohë që Trump është përgjigjur se i është referuar një emisioni të Fox News, i cili trajtonte gjerësisht temën emigrantëve në Suedi, transmeton OraNews.

Dyshimet se Trump i kishte komunikuar qytetarëve një ngjarje e cila nuk ka ndodhur realisht. Kjo  shkaktoi zemëratë të thellë tek një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por në mbarë botën.

Këta të fundit kanë bërë jo pak komente negative në rrjetet sociale për liderin aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, një kundërpërgjigje e pati edhe diplomati suedez, Carl Bildt, i cili ka qenë edhe kryeministër i vendit.

Ky i fundit shkroi në Twitter: Suedia, sulm terrorist? Çfarë ka qenë duke tymosur Trump?” koment i cili u komentua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare.

Këto ngjarje vijnë në një kohë kur Presidenti amerikan po përgatit një tjetër urdhër ekzekutiv që pritet të bllokojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara për një kategori të gjerë emigrantësh, si pjesë e planeve të tij për të forcuar kontrollet për të gjithë individët që hyjnë në territorin amerikan.

Urdhri i parë ekzekutiv i lëshuar mbi këtë çështje u shfuqizua pas vendimit të gjykatës supreme, ndaj me shumë interes pritet të shihet formati që do të ketë shkresa e dytë që do të firmoset nga lideri i Uashingtonit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje