Një objektiv për të tashmen dhe një synim për të ardhmen. I rikthyer në formën më të mirë pas dëmtimit, Arbnor Fejzullahu, nuk është vetëm një prej elementëve më të rëndësishëm të Partizanit në garën për titull.
Kualiteti i mbrojtësit 23-vjeçar dhe potenciali i tij për të vazhduar rritjen si futbollist është shoqëruar me sirenat nga Italia. Hellas Verona është një prej skuadrave që janë vënë në ndjekje të djaloshit nga Presheva. Megjithatë, zërat e merkatos nuk e shpërqendrojnë Fejzullahun, për të cilin gjërat më të rëndësishme vijnë në fillim.
“Çdo futbollist mendon që të japë më të mirën këtu, pastaj të vazhdojë në një kampionat tjetër më të fort. Momentalisht jam i përqendruar në kampionat. Pas tre vitesh këtu mendoj që ka ardhur koha që Partizani ta fitojë titullin për ata tifozë që kemi. Ta fitojmë titullin dhe më pas do të rritet vlera e çdo futbollisti, jo vetëm e imja, por e çdo lojtari të skuadrës. Vetëm më pas mund të shohim për një transferim të mundshëm jashtë Shqipërisë, gjithmonë me vendimin e klubit.”
Në ambiciet e të kuqve drejt titullit, pengesa e radhës është Kukësi. Një sfidë që mund të rezultojë vendimtare për suksesin në kampionat.
“Do të ikim në Kukës vetëm për tre pikët dhe që të vazhdojmë rrugën drejt titullit kampion. Duke vlerësuar përballjet direkte, mund të them se gjatë vitit të kaluar kemi qenë superiorë ndaj Kukësit. I kemi mposhtur edhe në fushën e tyre. Shpresoj që ta përsërisim një rezultat të tillë, t’i mposhtim në shtëpi dhe të jemi në garë për titullin.”
Fitorja në derbi i ka dhënë moral skuadrës së Starovës, ndërsa pengu i Fejzullahut është traversa që i mohoi një tjetër gol në supersfidën e kryeqytetit. Por, ndërsa thekson se suksesi i Partizanit mbetet më i rëndësishmi, mbrojtësi i djathtë ka edhe një mesazh për tifozët e kuq.
“Ndihem shumë mirë. Jam i lumtur që u ktheva në formën më të mirë dhe të ndihmoj ekipin që të ecë përpara. Traversa në derbi? Kështu është edhe fati dhe këtë nuk mund ta ndryshojmë dot. Por e fituam atë ndeshje dhe kjo ka rëndësi. Normalisht tifozeria është shumë e rëndësishme për ne, na ka mbështetur në çdo ndeshje. Sidomos në derbi ish in të mrekullueshëm.”/SS/