Stefano Pioli luan gjithcka në dy muajt e mbetur të sezonit me Interin, natyrisht që tekniku 51-vjecar i ka dhënë një tjetër fytyrë kampionatit të zikaltërve, me 8 fitore radhazi në muajt dhjetor- janar, por gjithsesi duket se kaq nuk mjafton, pasi dy muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për fatin e trajnerit të Interit, deri në fund të prillit klubi nuk mund të bëjë një programim serioz për të ardhmen, duke vendosur edhe zgjedhen përfundimtare për stolin, periudhë gjatë së cilës Piolti duhet të flasë në fushë me force dhe rezultate. Duke folur për rezultatet duket se Pioli mund të ketë të garantuar vendin vetëm nëse i jep skuadrës një frymëmarrje në arenën ndërkombëtare ku ambicia është pjesëmarrja në Champions League.
Mediat italiane hedhin hipoteza deri diku të bujshme për kandidaturat e tjera për stolin e Interit. Padyshim që mund të cilësohet e tillë ajo e Antonio Contes. Gazzetta Dello Sport zbulon në fakt një prapaskenë interesante pasi pretendon që në mesin e tetorit të kaluar, ish trajneri i Italisë ishte një hap larg divorcit me Chelsean dhe te Interi ndërkohë ishin penduar për zgjedhjen De Boer, me palët që patën kontakte jo të drejtëpërtdrejta për t’i parë disponueshmërinë e njëra tjetrës për të arritur një marrëveshje në rast të lamtumirave të parakohshme, por rrugët sërish u ndanë me Chelsean e Contes që nisi ngjitjen në kampionat.
Edhe pse mund të duket e cudisthme, që një juventin i lindur si Conte një ditë të drejtojë Interin, vetë trajneri më parë ka deklaruar që kur drejtonte bardhezinjtë, “Unë jam një profesionist, jo një tifoz. Nëse nesër do të drejtoja Interin, do të bëhesha tifozi i parë i Interit, kjo vlen edhe për Milanin dhe skuadrat e tjera”. Kandidati tjetër për Interin e së ardhmes nuk është aspak sekret. Bëhet fjalë për Diego Simeonen, prej kohësh në shënjestrën e zikaltërve. Atletiko kërkon ta mbajë dhe El Cholo ka një kontratë deri në 2018, por nuk kanë munguar sinjalet që evidentojnë një lloj lodhjeje të Simeones në Madrid ku ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme, si një titull kampion dhe arritjen në dy finale të Champions. Conte dhe Simoene, janë padyshim dy emra sa intrigues aq edhe kërcënues për Piolin, hijet e tyre trajneri aktual mund t’i largojë vetëm me rezultate konkrete në dy muajt e ardhshëm.