SHBA kundër metodave bllokuese të opozitës për Vetting-un

2 Mars 2017, 19:10Politika TEMA

Nga Mero Baze

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu dhe diplomati Ryan Roberts, thanë gjatë një dreke pune me disa gazetarë të njohur në vend se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin disa nga objektivat e protestës së opozitës, por nuk mbështesin metodat që ajo përdor për ti realizuar ato. Ambasadori Donald Lu u tha gazetarëve se “SHBA dhe unë personalisht ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale–thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i Parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e djathta dhe e majta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve.”

Ambasadori Lu u ndal më poshtë në problemet që po has reforma në drejtësi dhe çështja e zbatimit të Vetting-ut. Përkundër skepticizmit që shprehën disa gazetarë rreth përparimeve në këtë fushë, amabsadori Lu tha se kriza do tejkalohet dhe se procesi po funksiononte.

Shoh shumë përparim. Në dhjetor patët vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mbështetur ligjin e Vettingut. Po ashtu, pati thuajse 200 shqiptarë që aplikuan për t’u bërë komisionerë të Vettingut. Ishte Avokati i Popullit që kreu një punë shumë serioze, profesionale për t’i shqyrtuar ata persona ndaj kërkesave kushtetuese. Dhe gjatë dy javëve të fundit, kemi pasur ekspertë ligjorë nga më të mirët nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian që kanë filluar një proces shumë intensiv për të shqyrtuar jo vetëm 29 persona, por të gjithë 193 personat që ishin në listë”, tha ambasadori i SHBA.

Ambasadori Lu foli në mënyrë të qartë dhe për rrugën se si mund të tejkalohet kriza që mund të burojë nga vullneti politik bllokues i opozitës, pa ju referuar direkt asaj. Ai la të kuptojë se nëse Presidenti i Republikës nuk i dërgon rekomandimet në Kuvend, do të përdoret institucioni i Avokatit të Popullit.

Ambasadori Lu tha shprehimisht se: “sot, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për pesë ditë, do të jetë përgjegjësia e Parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të Vettingut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, por si përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh!”

Ambasadori nuk bëri parashikimet e tij për fundin e mundshëm të protestës së opozitës, por tha se “rruga më e mirë për të krijuar komisionet do të jetë me pjesëmarrjen e opozitës”.

Nga ana tjetër përkundër perceptimit publik për marrëdhënie të tensionuara mes tij dhe Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ambasadori Lu bëri vlerësime shumë pozitive lidhur me “rolin e Kryetarit të Parlamentit Meta”, në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik, që sipas tij ishte me rëndësi kritike. Zoti Lu shtoi se “pa hezitim, do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me z. Meta dhe kolegët e tij me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë.”

Komentet e zotit Lu vijnë pas një peirudhe aspak të mirë të raporteve publike të zotit Meta me të, dhe sidomos pas vizitës së fundit të zotit Meta në Uashington, ku disa lobistë të tij kanë botuar dhe shkrime kritike për amabsadorin Lu në gazeta lokale në SHBA.

Vlerësimet pozitve të ambasadorit Lu, duket se flasin ose për një raport të ri të tij me zotin Meta ose për një nevojë të re për bashkpunim me të.

Ambasadori Lu u ndal dhe tek çështja e dekriminalizimit ku theksoi se “kemi nxitur procesin e dekriminalizimit, por në dy mënyra të veçuara: njëra është ligji i dekriminalizimit, i mirënjohur, dhe e dyta është nevoja për disiplinë brenda partive politike. Në SHBA, nëse dëshiron të jesh kandidat për një parti politike kryesore, duhet t’i nënshtrohesh një vit Vitting-u nga njerëz seriozë që shohin historinë tënde. Vetë partitë duhet të marrin përgjegjësi se kë kandidojnë.

Dhe, vitin e kaluar në fakt bëmë një prezantim për disa prej partive politike se si e kryejmë ne këtë në Shtetet e Bashkuara. Dhe, tani e dimë që partitë politike kryesore po i nënshtrohen një procesi për të gjetur mënyrën se si do t’i vlerësojnë kandidatët. Ambasada jonë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë shqyrtuar nga afër listën e kandidatëve, por është edhe më e rëndësishme që këtë kanë qenë duke e bërë vetë partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto janë institucione të Shqipërisë që kanë përgjegjësinë t’i parandalojnë personat nga kandidimi”.

Duke u ndalur tek raporti i acaruar publik me Prokurinë e Përgjithshëm zoti Lu tha se “dua të them se nuk kam asgjë kundër z. Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar reformën në drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi.”

Duke folur për protestën e opozitës ambasadori Lu theksoi se “SHBA mbështet disa nga çështjet e ngritura nga kjo protesta, por jo metodat e përdorura prej tyre”.

Ai tha se është koha të vrasim mendjen për çështjet e ngritura. “Çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze”.  Por siç shtoi më tej amabsadori Lu “mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i Parlamentit …apo prishja e zgjedhjeve. Prandaj, le të shpresojmë se çadra do të ketë ndikim pozitiv. Kjo sigurisht është ajo që shpresoj. Një gjë që diplomatët amerikanë thonë gjithmonë dhe me të cilën jam në një mendje është se një Shqipëri e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Të gjithë, majtas e djathtas, në opozitë dhe qeveri, duhet të shpresojmë për një opozitë të fortë; kjo është pjesë e demokracisë në vendin tim dhe në Shqipëri”, tha Lu.

“Kam një këshillë për ata që protestojnë”, tha zoti Lu, “dhe ajo është se shpresoj që do të vazhdojnë të përqafojnë reformat sepse mendoj që populli shqiptar, qartësisht, ka shumë shqetësime për tri çështjet që janë ngritur: zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Por mendoj prapë se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar e shohin me shumë rëndësi këtë proces reformash. Por ata nuk duhet të dëmtojnë procesin e reformës ndëkohë që punojnë për këto tri synime të rëndësishme. Në fakt, duhet të shkojnë bashkë. Siç e thashë, sigurisht që nuk jemi dakord me metodën e bojkotit. Do të ishte mirë nëse qeveria dhe opozita do të dialogonin dhe të arrinin njëfarë marrëveshjeje ku opozita të ndihej se mund të kthehej në Parlament.

Të mos përqëndrohemi thjesht tek çadra. Të përqendrohemi tek tri synimet dhe të shohim nëse mund të bëjmë diçka serioze lidhur me këto tri synime; do të ishte në interesin e njerëzve në të djathtë dhe atyre në të majtë, të qeverisë dhe të opozitës.

Po ashtu, e kam thënë tashmë se nuk bie dakord me mënyrën, e cila po bllokon këto reforma, por më lejoni të sugjeroj që një mënyrë që na kthen tek puna për këto reforma është dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe ecja përpara për këto tri çështje.

Tani, përgjegjësia për krijimin e komisioneve të Vettingut dhe për këtë proces ikën nga duart e vëzhguesve ndërkombëtarë sot, kalon tek Presidenti dhe brenda pesë ditësh duhet të shkojë në Parlament“.

Në fund zoti Lu u ndal dhe tek politika e re e Presidentit Trump dhe ndikimin e saj në Shqipëri dhe rajon.

Ajo që kemi parë është interes i vazhduar kudo në botë për çështje që lidhen me çështje të terrorizmit, antikorrupsionit, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit. Kjo qartësisht do të thotë se këto janë çështje që qeveria e re, administrata e re do t’i mbështesë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat amerikane.

Të gjitha qeveritë e Shteteve të Bashkuara i mbështesin këto çështje. Për sa i përket NATO-s, siç e patë Presidentin në fjalimin përpara Parlamentit në vendin tonë dy ditë më parë, ku rishprehu angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s.

Më duhet të them diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Presim të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Maj. Edhe Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë. Ajo që pres është që do t’i bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të NATO-s që të mbështesin shpenzime më të mëdha ushtarake, shpenzime më të mëdha për mbrojtjen, sepse ka një angazhim shumë të fortë, ashtu si Presidenti i mëparshëm, që e gjithë Aleanca të paguajë pjesën që i takon. E dyta është zhvillimi i aftësive reale për anti-terrorizmin brenda NATO-s. Ka shumë mbështetje për këtë tashmë mes anëtarëve të NATO-s. Të gjithë aleatët e NATO-s, janë viktima të terrorizmit në mënyra të ndryshme ndaj do të besojmë që NATO do të mund të ofrojë disa përgjigje që kanë të bëjnë me këtë sfidë”.

Ambasadori Lu dhe atasheu i shtypit Ryan Roberts, i bënë këto komente gjatë një dreke pune me gjashtë gazetarë shqiptarë në rezidencën e tij në Tiranë sot në mesditë.

 

2 komente në “SHBA kundër metodave bllokuese të opozitës për Vetting-un”

  1. Ollga Toronto says:

    Jemi plotesishte dakord me ato qe thote z.ambasador,,po ka njeri te na shpegoj se kush ishte ai qe Lulushi e prezantoj si i derguari i Trampit ne cadren e rruges,mbasi zotnija na foli me gjuhen e Saliut.

  2. Bardhi Tolabi says:

    Do behet reforma ne drejtesi,se e do Cecua,Lu-ja,pra Amerika.Se Cecua,Amerika,ka bicak,ka “dajak” dhe te flak ne grope…
    Kete e kuptojme ne dhe nuk ka mundesi te mos e kuptoje,Lulushja e krimineli i Vicidolit,,,
    Shikoni tani,se si do te tulaten dhe do shfrytezojne “dericken’ qe ju “hapi” Lu,per te mbyllur “protesten”,proteste i thencin,per te “marre pjese” ne permiresimin e punes,ne ato tre “drejtimet” per te cilat “shqetesohet” PD-ja,per zgjedhje te lira,vetem ajo di ti vjedhe zgjedhjet,per dekriminalizimin,vetem ajo di te mbroje Flamur Noket,per kanabisin,vetem ajo di te lejoje Lazaratin….
    Ama ne fund ju “peshperit” dhe dicka ne vesh:
    Grini sallate ju,grini,por kete qeveri dhe Edi Ramen,do e shihni ne krah dhe ne fotografi me Trampin,jo me larg se muaji maj,nje muaj para zgjedhjeve…Indirekt ju thote,mos hani mut me kete qeveri,e cila ka mbeshtetjen tone dhe te BE-se….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje