Presidenti i këshillit Evropian Donald Tusk tha se akuzat e Turqisë për fashizmin në Holandë janë të shkëputura plotësisht nga realiteti.
Kritikat e Turqisë erdhën pasi Holanda anuloi mitingje të politikanëve turq në Roterdam, për të rritur mbështetjen për një referendum që do t’i jepte presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, më shumë pushtet.
“Roterdami, qyteti i Erasmusit, i shkatërruar tërësisht nga nazistët, i cili tani ka një kryetar të lindur në Marok: Nëse dikush e sheh fashizmin në Roterdam, ata janë të shkëputur plotësisht nga realiteti”, tha në një seancë plenare të Parlamentit Evropian Tusk.
Vërejtjet e Tuskut u mbështeten edhe nga Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, i cili i tha parlamentit se ishte i ‘skandalizuar’ nga komentet turke, duke thënë se ato do të ndikojnë që Turqia të jetë më larg të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.