Ditari i Megi Pjeshkes: Trump firmos dekretin për ndërtimin e bulevardit Xhelal Mziu

22 Mars 2017, 19:25Antena TEMA

Lexuam tek portali i njohur kryeministri.org,  se pasi e shpalli “Qytetar Nderi” të bashkisë së tij, Prof.Dr. Xhelal Mziu ka nderuar sërish presidentin Donald Trump, duke i vënë emrin e tij një rruge në Kamëz.

Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe lajmi bëri jehonë në mediat ndërkombëtare dhe ato botërore.

Ky lajm nuk kishte sesi të mos mbërrinte edhe tek qytetari më i ri i Kamzës, vetë presidenti Trump, i cili falenderoi përzemërsisht Prof. Dr. Mziun me një postim special në rrjetin social Twitter.

Por presidenti amerikan është njoftuar se Prof. Dr. Mziu nuk përdor rrjete sociale që përdoren sidomos nga kryeministri Rama, dhe për më tepër ato që kanë fjalën “social”, ndaj ai nuk ka sesi ta lexojë falenderimin.

Atëherë presidenti Donald Trump ka vendosur që t’ja kthejë nderin në të njëjtën formë, duke urdhëruar nisjen e ndërtimin të një bulevardi në Washington dhe t’i vihet emri i Prof.Dr. Mziut.

Këshilltarët e Trumpit e kanë informuar se ndërtimi i rrugëve dhe emërtimi i tyre është kompetencë e kryebashkiakut të Washingtonit, por presidenti amerikan ka firmosur dekretin pa pritur as aprovimin nga Kongresi amerikan.

Lajmi mbi bulevardin amerikan që do të mbajë emrin e Prof.Dr. Xhelal Mziu ka mbërritur në “Çadrën e Lirisë”, duke ngritur në këmbë protestuesit, të cilët kanë nisur brohoritjet “Doktor, Doktor, ti je bota”.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka konsideruar vendimin e Trumpit si shenjën që SHBA mbështet protestën dhe kërkesat e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Pas këtij lajmi, i cili u transmetua nga kryeministria.org, analisti Qim Peka mbërriti në çadrën e opozitës për shpjegime të mëtejshme.

“Ka qenë ndërhyrja ime tek Basha, që në minutën e fundit, “Rruga e Lirisë” që ai i kishte kërkuar Xhelalit të bënte ne Kamëz, në nderim të “Çadrës së Lirisë”, të quhej rruga “Trump”.

Kjo ishte mënyra më e mirë që shtypi ndërkombëtar të tërhiqte vemendjen e presidentit Trump, dhe pas kësaj, ai të thërriste Lul Bashën për takim.

Dhe suksesi është i garantuar.

E vetmja gjë që po negociojmë është nëse do ta lëmë të na e kthejë nderin me një rrugë me emrin Xhelal Mziu, apo të na nxjerrë nga çadra.

Unë dhe Aldua jemi për këtë të dytën, dhe po luftojmë në këtë drejtim.

Mendoj se jemi në rrugën e duhur, pasi ka disa shenja të qarta që Trumpi do ta presë Lulin dhe do t’ia bëjë këtë nder.

Këtë e kuptova nga dalja e Ilir Metës tek një shkollë bashkë me Erion Veliaj, faktin që Rama tha tre herë rresht, “O zot, o zot, o zot” tek Eni Vasili, si dhe kujtimet e Kasëmit nga intervista e parë e Eni Vasilit me Edi Ramën, kur këtij të fundit i dridheshin gjunjët para Enit dhe u lag para se të ulej.

Kjo më çon në përfundimin se operacioni do ketë sukses”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje