Ditari i Megi Pjeshkës në çadër: Kemi një javë që qajmë hallet e gazetarëve

15 Mars 2017, 20:01Antena TEMA

Çadra dita-ditës po jeton me shqetësimet e gazetarëve.

Fillimisht ishim të shqetësuar a do vinte në çadër Mustafa Nano.

Kryetari i dha fjalën publikisht të vinte dhe ne u bëmë gati ta prisnim.

Ne nuk e njohim Mustafain, por meqë kryetari e lavdëroi, thamë do jetë me ne.

Por sapo e mbylli bisedën kryetari, në çadër filloi të qarkullonte një qarkore nga Qim Peka, që thoshte “Mustafai është tradhëtar, pasi ka qenë kryetari i PD-së së Skraparit dhe ka tradhëtuar. Prandaj duhet ta presim me “pushkë” në çadër”.

Luli lexoi qarkoren dhe u tremb.

Pyeti se si mund të anulohej dhe i vetmi që merr vesh si anulohen gjërat, është Tan Hoxha.

Ai ka përvojën kur e anuluan nga President dhe e mori përsipër.

Kështu u çliruam nga kjo barrë.

Pastaj filloi debati a duhet pranuar Henri Çili.

Filloi një sherr mes tij dhe zotit Shkullazi, se kush e kishte tradhëtuar PD.

Si përfundim, doli që Çili kishte tradhëtuar Doktorin dhe jo PD, pra ishte me Lulin.

Kështu që filloi sërisht debati brenda në çadër.

Çadra u nda në dy pjesë, pro dhe kundra Çilit.

Grida, Salianji, e disa të tjerë ishin pro të vinte.

Qim Peka, Flamuri dhe Paloka të mos vinte.

Por akoma nuk e kemi hedhur në votim.

Dje na doli problemi i Arjan Çanit.

Ai do t’i bëjë Lulit një surprizë kur të vijë në çadër dhe sot gjithë ditën na kanë shpërndarë një formular për të na pyetur se çfarë mendojmë ne, që duhet të jetë surpriza për Lulin.

Kemi gjithë ditën që vrasim mendjen.

Nëse nuk e gjejmë, Çani mund të iki nga Shqipëria dhe pastaj çfarë do shikojmë ne të premte!

Unë me mendjen time mendoj se surpriza më e mirë që mund t’i bëjë Çani, çadrës sonë, është të sjellë atë parashikuesin e motit nga Fieri, Gërgurin, të na tregojë si do jetë koha në muajin prill dhe maj.

Ta dimë dhe ne si të vishemi.

Pastaj erdhi Dritan Hila.

Na porositën ta prisnim me duartrokitje.

-Po pse me duartrokitje, u thashë unë?

-Po është socialist dhe ka ardhur me ne, tha dikush aty. Ka qenë dhe diplomat, por është hequr nga puna në kohë të PD.

-Çfarë ka bërë që e kemi hequr nga puna, thashë?

-Nuk ka qenë dakord me Lulin për Marrëveshjen e Detit, më tha një aty.

-Aha, e kuptova, thashë. Sot do kërkojë Luli falje për Marrëveshjen e Detit. Në këto raste, ai konsultohet dhe me Doktorin.

Në fakt as Luli nuk kërkoi falje, as Dritani nuk ja zuri në gojë. U tregua xhentil.

Sot pastaj u morëm me Baton Haxhiun e Nikoll Lesin.

Ky Batoni kishte bërë thirrje që Meta të ndahej nga Rama. Unë u gëzova. Por pastaj pashë që Luli ishte hundë e buzë.

-Po pse mos të ndahen, i thashë? Po u nda ai, humbet Rama.

-Puna është se mërzitet Meta, tha, nuk mërzitem unë.

Kështu u lidh në telefon me dikë dhe po i shpjegonte sa punë na ka prishur ky shkrimi i Batonit.

Pas një ore erdhi i qeshur.

-Lexoni të gjithë shkrimin e Nikollës, tha.

Dhe i hyjmë punës, lexuam shkrimin e Nikollës.

Unë u mërzita shumë.

-Të pelqeu, më tha?

-Jo, i thashë. Ky bën thirrje të rrijë bashkë me Ramën dhe të fitojnë.

-E ke gabim, duhet të gëzohesh, më tha.

-Po si të gëzohem, i thashë, ai u shpjegon atyre, si të rrijnë të bashkuar dhe të humbasim ne. Nuk e kuptoj pse je i gëzuar ti, i thashë!

-Unë jam i gëzuar se është i gëzuar Meta, tha. Ai është i vetmi aset që kemi. Të jetë mirë ai, pa çadra nuk vdes kurrë.

Se mora vesh këtë çadër. Në vend të qajmë hallet e popullit, kemi një javë që qajmë hallet e gazetarëve dhe Metës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje