Sot fola në Skype me zotin Mediu.
Ai është në Amerikë dhe po punon natë e ditë që Kongresi Amerikan dhe Senati të mbështesin protestën tonë tek çadra.
Ishte shumë entuziast.
Më rreshtoi shtatë emra kongresmenësh, që i kishte takuar, kishte bërë selfie dhe u kishte folur për çadrën.
Ata i kishin dhënë mbështetje të plotë.
Njërin e njihte se kur kishte qenë një herë në SHBA, në vitet ’90-të, e kishte takuar në një dyqan rrobash dhe kishin dalë në foto.
Me një tjetër e kishte prezantuar një prift, që e kishte shok, dhe i kishte gjetur punë si pastruese një njeriut të tij, kur ishte keq.
Pastaj ai tjetri ishte në kafe me këtë dhe doli dhe ai në foto.
Kështu mi shpjegoi një për një me radhë se ku i njihte.
Më i madhi ishte një senator që e kishte marrë për kryetarin e Partisë Republikane të shtetit Albany dhe e kishte sharë se s’kishin dalë mirë në zgjedhje atje.
Më kënaqi në muhabet.
Pastaj më pyeti çfarë bëhet nga çadra.
E ktheva telefonin nga çadra të shikonte.
-Dash Tahirin kemi këtu, i thashë. Është i vendosur të kandidojë këtë radhë me Partinë Republikane.
-Po, tha Mediu. Në takimin që pata me kongresmenët iu fola për ligjin e dekriminalizimit si një fitore të opozitës dhe për rolin e Partisë Republikane në këtë proces. U thashë se Partia Republikane ka marrë përsipër të rehabilitojë viktimat e padrejta të këtij ligji dhe i dhashë si shembull kandidimin e zotit Tahiri me Partinë Republikane në zgjedhjet që vijnë.
U gëzuan shumë.
I thashë se ky gjest ka gjetur mirëkuptim dhe nga partia e pakicës greke drejtuar nga zoti Dule.
Ai zakonisht nuk duron dot të jetë me çam në një koalicion, por për zotin Tahiri, thotë që ka respekt të veçantë dhe nuk do të iki nga koalicioni për shkak të tij.
U gëzova shumë. Pastaj në çadër shpërthyen duartrokitjet dhe fishekzjarre.
-Çfarë po ndodh, më tha Mediu?
-Po festojnë se u kthye lista e Vetting-ut nga Kuvendi, i thashë. U shty dhe një javë. Është fitore e madhe. Kreshnik Spahiu është ngritur në valle e po kërcen.
-Përshëndetini nga ana ime, tha. Do t’ua them këtë kongresmenëve që do të takoj nesër.
-Luli është i vendosur të mos hyjë në zgjedhje, i thashë unë, kurse ju keni shkuar jeni regjistruar në KQZ.
-E kemi bë plan, tha. Do regjistrohen partitë aleate dhe PD nuk do hyjë në zgjedhje. Kandidatët e PD do t’i marrim ne. Po fituam, do kalojnë me PD, po nuk fituam nuk do t’i njohim zgjedhjet.
Ky shoku im nga Laçi u bë kurioz me kë po flisja dhe erdhi më shikonte nga pas.
-Kush është ky që po flet në Skype, më tha.
-Është Fati, i thashë. Është çun i mirë.
-Ça çun i mirë thua. Ky qenka fierak dhe me dy mbiemra.
-Po s’ka problem, i thashë. Ashtu ka pas një hall.
-Ça halli ka pas moj gocë. Çunat e fortë kanë disa emra se kanë pas bë punë. Kurse ky ka disa mbiemra. Po disa mbiemra i bie me pas disa baballarë.