Kreu i Kuvendit, Ilir Meta me rastin e festës së “Sulltan Novruzit”, ishte në ceremoninë festive të organizuar në Kryegjyshatën botërore të Bektashizmit në Tiranë.
Meta mbajti një fjalë përshëndetëse ku uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë paqe, harmoni dhe begati.
Ai tha se “Sulltan Novruzi” është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës.
“Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë, për jetë, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen”, – tha Meta, duke shtuar se bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë.
“Është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot. Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, nënvizoi Meta.
Më tej, ai vuri në dukje se ky besim fetar mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë dhe monumenti më i rëndësishëm europian, për shkak të vlerave të harmonisë dhe bashkëjetesës që mbart.
“Duke festuar sot dhe duke uruar njëri-tjetrin, ne e shohim ketë festë edhe si një tjetër simbol të bashkëjetesës sonë të shkëlqyer të tolerancës fetare. Kjo është një nga pasuritë tona më të mëdha, ky është monumenti ynë më i rëndësishëm europian. Ndaj në këtë ditë feste dhe besimi, lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi dhe harmoni me njëri-tjetrin e punë të ndershme. Lutem e shpresoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri”, përfundoi Meta.