Ditari i Megi Pjeshkës: Mesazhi i SHBA për Lulin gëzoi çadrën

25 Mars 2017, 19:39Antena TEMA

Sot ishte një ditë e veçantë. Na njoftuan që në mëngjes, se Luli ishte kthyer nga SHBA dhe na sillte surprizat e udhëtimit atje.

Çadra kishte disa ditë që ishte shkrehur dhe lajmi se Luli u rikthye, ngjalli shumë vëmendje.

Në mesditë çadra u rimbush.

Luli arriti i qeshur dhe i çlodhur. Dukej që kishte fjetur pak, të kompesonte gjumin e prishur nga ndryshimi i orës.

-Ju sjell mesazhet e “Republikës së Re” që mora në SHBA, e nisi fjalën Luli.

Duartrokitje të forta në çadër.

-Ishte një vizitë historike, e cila do të ketë një rol vendimtar në të ardhmen e lëvizjes sonë.

Duartrokitje në çadër.

-Shkuam në Uashington në një nga hotelet më të shtrenjtë dhe prestigjoz të qytetit, ku ishte mbledhur ajka e ekipit të presidentit Trump. Ishim aq afër atyre, sa mund t’i preknim me dorë.

Duartrokitje në çadër.

-U afrum pranë tyre dhe dëgjonim mendimet dhe idetë e tyre për të ardhmen e republikanëve në SHBA. Një mik i tyre kishte përgatitur nje darkë për mbledhje fondesh dhe ata diskutonin gjithë pasion dhe gjallëri për të ardhmen e SHBA.

Duartrokitje në çadër.

-Ajo që unë pashë atje, ishte mesazhi për “Republikën e Re”. Në të gjitha bisedat e tyre me njëri- tjetrin, askush nuk përmendi para droge dhe trafiku, por vetëm para të pastra. Ajo është “Republika e Re” që duam.

Duartrokitje në çadër.

-Në të gjitha bisedat e tyre nuk dëgjova për asnjë deputet të inkriminuar, por vetëm për personalitete.

Duartrokitje në çadër.

-I shikoja në sy gjithë admirim dhe shumë prej tyre më tundën kokën në shenjë aprovimi. Ishte një vlerësim që kishin për mua që vija nga çadra dhe për ju që jeni në çadër.

Duartrokitje në çadër.

-Pastaj morën nga një gotë shampanjë në dorë dhe uronin njëri- tjetrin. Ishte mahnitëse sa mirë shkonin me njëri- tjetrin.

Duartrokitje në çadër.

-Mora dhe unë një gotë dhe e trokita me ta. E bënë të gjithë pa hezitim. Dhe ky është një mesazh i fortë mbështetje nga ekipi i presidentit Trump për protestën tonë.

-Pastaj ata hynë një nga një brenda në salle, ku dhe do mblidhnin fonde. Aty misioni im mbaroi dhe vendosa të kthehem në Shqipëri. Mesazhi që ata më dhanë me bisedat e tyre, me buzëqeshjen e tyre dhe gjallërinë e debateve, është një frymëzim i madh për mua që të vazhdoj më tej në rrugën e “Republikës së Re”. Nuk desha të hyja brenda as të diskutoja më me ta, pasi nuk mund t’u lija ju vetëm këtu. Tre mesazhet më të rëndësishme që ata duhet të më jepnin, i dhanë me shembullin si silleshin me njëri- tjetrin.

Duartrokitje në çadër.

Pas kësaj, Luli u ul dhe po priste pyetje nga çadra.

U ktheva nga deputeti Ruli që kisha në krah, të ma dëshifronte se çfarë kuptimi kishin këto mesazhet që kishte marrë Luli në SHBA.

-Ç’të të them unë bijo, më tha Ruli. Është si ajo puna e atij biznesmenit që i kishte ardhur letër nga tatimet, që të paraqitej në zyrën e tatimeve për një verifikim.

I shqetësuar, ai pyeti shokët e vet.

-Si të shkoj tek zyra e tatimeve, si të sillem?

I pari i tha, vishu mire, me luks, dhe injoroi, që ta kuptojnë që t’i nuk ke nevojë për ta.

I dyti e këshilloi të vishej keq, të dukej si fukara, se ndoshta u vinte keq e nuk e dënonin.

I paqartë, biznesmeni pyeti gjyshen e vet.

-Gjyshe, më kanë thirrë këta të tatimeve, si t’ia bëj, tha. Si të shkoj i veshur nesër, mirë apo keq?

-E kuptova, tha gjyshja. Ke të njëjtin hall që ka pas jotëmë ditën e parë të martesës.

Më pyeste mua, a të vishem në krevat me tanga, apo me kostum seksi serioz, ngjyrë të zezë.

-Vishu si të duash, i thashë, në daç me tanka, në daç me të brendshme serioze. Në fund do përfundojë që do ti heqësh dhe do ta hash. Edhe ky këtë hall ka.

1 komente në “Ditari i Megi Pjeshkës: Mesazhi i SHBA për Lulin gëzoi çadrën”

  1. Theo says:

    E bukur, O Mero, rrofsh se po na ben jeten me me humor, te falenderoj qe je nje krijues ideal te pakten per mua, vetem nje gje me shqeteson, kur ke qene keshilltar i atij Greko-Serbit, nuk i ke dhene asnje mendim nga keto te bukura dhe me shume humor por shume te hidhura per kafshet antivetting, te lutem me jep nje pergjigje ne e-mail tim ne emrin tim te vertet qe cfaqet aty.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje