Më 25 mars 2017 mbushen 60 vjet nga miratimi i teksteve themeluese të Bashkimit Evropian, që quhen ndryshe traktatet e Romës. Me anë të tyre gjashtë vendet pjesëmarrëse : Gjermania, Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda vendosën të krijojnë dy institucione.
I pari ishte Komuniteti Ekonomik Evropian (CEE) dhe i dyti, Komuniteti Evropian i Energjisë Atomike (CEEA). Të dyja dokumentet hynë në fuqi më 14 janar të vitit 1958. Këto komunitete kishin si qëllim forcimin ekonomik, të paqes, stabilitetit si dhe të bashkëpunimit mes shteteve anëtare, fuqi armiqësore gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ato shërbyen si bazë për qarkullimin e lirë, politikat e përbashkëta, zgjerimin me shtete të tjera, si dhe krijimin e një korpusi të tërë të institucioneve komunitare që ekzistojnë sot të përqendruara rreth Komisionit Evropian, Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Sistemit të Drejtësisë dhe Këshillit Ekonomik e Social. Falë këtij bashkimi, Evropa, vatër e konflikteve dhe luftërave botërore, ia doli të ketë paqe, zhvillim dhe të promovojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe liritë themelore të njeriut, doktrina këto të krijuara po prej saj. Në këtë kuptim, drejtuesit evropianë kanë arsye të mjaftueshme ta kujtojnë e ta nderojnë këtë datë simbolike.
Por nga ana tjetër, ata janë të detyruar të gjejnë zgjidhje e skenarë të rinj për ta vazhduar projektin e nisur, të frymëzuar nga Perandoria e lashtë romake. Komuniteti Evropian kalon krizën më të rëndë të tij pas 60 vjetësh të krijimit të tij: ekonomike, politike, të lidershipit, si dhe të pasojave të paparashikuara të multikulturalizmit, emigracionit, globalizmit etj. Brexit dhe thirrjet e populistëve në Francë, Holandë, Austri, Hungari, Poloni etj, për dalje nga blloku tregon se projekti nuk po ecën siç duhet. Ai nuk jep më shpresë e siguri si më parë. Brukseli ka pranuar, më në fund, se janë bërë gabime dhe dalja e Britanisë është pasoja e fundit, kështu që duhen bërë reformat e duhura që të mos ketë më të tilla. Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shpalli në fillim të marsit idetë e tij para deputetëve evropianë për të ardhmen e Evropës deri në vitin 2025, pikërisht me pyetjen e njohur: Quo vadis, Europe? (Ku po shkon, Evropë?).
Pistat e tij kryesore kanë të bëjnë me përqendrimin në tregun e përbashkët, në një Evropë me shpejtësi të ndryshme, zona euro me pjesën tjetër, zgjedhja e disa fushave të veçanta për të thelluar integrimin,jo në të gjitha, siç është aktualisht etj. Politikanë e intelektualë europianë flasin për konfederatë, federatë si në SHBA, për krijim të ushtrisë së kontinentit, të tjerë janë pesimistë e prohojnë dështimin e projektit etj. Por drejtuesit dhe administratorët e institucioneve në Bruksel kanë shpresa në debatin e hapur me qytetarët evropianë dhe presin opinione dhe propozime të ndryshme. Ky proces do të zhvillohet në disa etapa, deri në zgjedhjet evropiane të vitit 2019. Pas 60 vjetësh të BE˗së, i cili ka sjellë, pa dyshim, progres të dukshëm në jetën e përditshme, si dhe në rajonin tonë të Ballkanit, evropianët duhet të vendosin për të ardhmen e këtij projekti të përbashkët, me të cilin ata mund të ndikojnë pozitivisht në historinë e botës.