Vitet e pluralizmit, veç të tjerash, do të kujtohen edhe për prurjet e reja në fjalorin e gjuhës shqipe. “Mocion” apo “mocionistë”, “bojkot”, “bojkot i kuq” “piramida”, “KPD”, “Xhuvelizëm” etj. Toponime katundesh të humbura u përjetësuan në fjalorin e shqipes si fenomene të sjelljeve të çuditëshme të politikanëve tanë. Për Dushkun, Gërdecin, Lalzin, Babrrujën apo Ruzhdijen, tashmë kanë dijeni edhe në Bruksel apo Washington. Po kështu nuk ka ambasador apo politikan të KE-së që mos dijë kuptimin e fjalës “çadër”… Edhe gjatë 2016-s, rastet e përdorimit të fjalëve me nënteks qartësisht banal, nuk munguan nga goja e politikanëve tanë, por ato nuk do të jenë objekt i këtyre radhëve. Jemi në pranverën e 2017-s dhe do të flas vetëm për ca fjalë që, me ngjyrimet e reja që përftuan ato në kontekste të caktuara të ligjërimit politik, e pasuruan jo pak fjalorin tonë, si edhe për disa dhurata gjuhësore që i kemi peshqesh nga Çadra e Lulit…
Falë situatave që trashëguam çdo të enjte në Kuvend dhe ca aksioneve opozitare, terma të fushave nga më të skajshme, u bashkangjitën me njëra tjetrën. Fjalë të ndryshme, që para tre vitesh dukeshin sikur nuk kishin lidhje logjike mes tyre, tash e tutje, edhe kur të jenë të veçuara, do të na kujtojnë njëra tjetrën. Në këto raste ato krijuan stilema të reja dhe shpesh morën nuanca komike. Prej shoqërizimit të tyre fjalori ynë ka përfituar shumë. Disa fjalë, duke u përdorur në rrethana të caktuara, zgjeruan ndjeshëm nuancat e tyre kuptimore. Ca të tjera ruajtën vetëm kuptimin e mëparshëm por ndërkohë morën famë nga rrethanat dhe vendi në të cilin u përdorën. Mua psh, m’u bënë nja dy vjet që çdo mëngjes, sa herë shtrëngoj rripin e pantallonave, më kujtohet deputeti Arben Ndoka që ia vërtiti atëherë Gent Strazimirit në kokë atë, aty në korridorin e Kuvendit… Ky i fundit, që u godit me rrip, më kujton “pisqollën”. “Pisqolla” më ndërmend “Këndin e Lodrave” te Liqeni Artificial i Tiranës. “Liqeni” më kujton “Lagunën e Patokut” dhe, pastaj “Laguna”, natyrisht më kujton deputetin Armando Prenga. Prenga, përsëri më kujton “pisqollat”. Dy madje, një me leje dhe një pa leje. Pisqolla (ajo me leje) gjithmonë më kujton “këllëfin e celularit”, ndërsa “këllëfi” më kujton Arben Ristanin. Ristani më kujton “kutitë e gabuara”, ndërsa ato më kujtojnë Lulin. Luli më kujton “kurbanin” që bëri tek dera e Bashkisë së Tiranës. “Kurbani” i Lulit duket se i kujtoi titullin e librit të tij Edi Ramës, ndërsa mua, kjo fjalë (si dhe “çadra-pistoletë”) më kujton ca gjëra që s’kanë të bëjnë më me humorin dhe, meqë jemi në këtë klimë komike, është më mirë ta lemë me kaq e të mos zgjatemi më tej… Nuk është as vendi e as koha për të kujtuar “kurbanet” e shumta në vite të Lulit e Berishës bashkë. Vazhdojmë… Luli më kujton Trump-in. Trump-i – Xhelal Ziun dhe Xhelali vetë, Kamzën. Kamza pastaj më kujton bulevardin e saj që përjetëson Trump-in e, pastaj e gjithë kjo, më kujton mallëngjimin e përlotjen e Trump-it kur e mori vesh këtë nga Luli… Xhelali do të kujtohet përjetë për kontributin e tij në lëmin e toponimisë shqiptare, ndërsa Luli e Berisha, për kuptimin e ri që i dhanë fjalës “çadër”. “Çadra” gjithmonë do të na kujtojë rezistencën ndaj Vetting-ut dhe gjithë kreshnikët e spahijtë e ngujuar në të… Edhe Berisha nuk mbetet më pas në fushën e fjalëformimit. Janë krijime të tij dhe të askujt tjetër, emërtesat për ndërkombëtarët: “sorosjanë”, “Klubi 4700 metra katrorë”, apo “Klubi i kanabisit”… Në fakt, Vetting-u, fjala më e lakuar e vitit që lamë pas, nuk para zihet në gojë në ligjërimet e Berishës. Por Luli vetë, aty në Çadrën e Çudirave, Vetting-un e quan vepër të ca “komplotistëve” të përtej detit dhe ca ambasadorëve që “mafiozi Edi Rama i ka blerë me paratë e ashashit”…
Mendoj se ia vlen, që të ndalemi e ta shpjegojmë pak në vështrimin sociolinguistik termin “vetting”. Në këtë rast kemi të bëjmë me një neologjizëm që zuri vend të rëndësishëm në fjalorin politik të shqipes prej perëndimorëve. Andej, ai është përdorur fillimisht për kuajt, për vetting-un e tyre (nga ka ardhur edhe fjala “veteriner”) dhe kuptohet, meqë ato nuk mund t’i tregojnë gjendjet e tyre fizike me fjalë, do të thotë se shkalla e vështirësisë së diagnoztikimit tek ato është më e madhe se tek njerëzit. Pra, vetting-u në Amerikë, ka të bëjë më shumë me ata që kotrollojnë shëndetin e kafshëve, dmth, me çdo qënie të gjallë që nuk flet. Ndërsa tek ne kjo fjalë u soll për prokurorët, gjykatësit, si edhe për politikanët, pushtetarët, dmth njerëzit e rëndësishëm. Konkretisht, vetëm për ata që në anglisht i quajnë Very Important Person. Shkurt, për ata që ne po shkurt, i quajmë VIP-a…
Por, pasojat jashtëgjuhësore të Vetting-ut, pritet që të riaktivizojnë në fjalorin tonë një fjalë që ishte harruar prej kohësh: dorëheqjen… Në listë-porosinë drejtuar Santa Claus-it të sivjetshëm, “dorëheqja” rezulton të jetë dhurata më e kërkuar prej prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë… Në fakt është Vetting-u, dhe jo plakushi me mjekër të bardhë, që do t’ua zbrazë te këmbët thesin e mbushur plot e përplot me “dorëheqje”. Të paktën, këtë mrekulli, jemi të sigurtë që “Santa” Vetting-u nuk do t’ua kursejë… Dhe ja: i pari e dha shembullin vëllai i Lulit, Erlind Basha. Iku nga Gjykata e Lartë se i dhimbte pak barku… Veç kësaj, pritet që tërmeti i Reformës në pallatin e Drejtësisë, jo vetëm të zërë poshtë nën rrënojat e veta shumë nga ata që do të marrin guximin të plotësojnë formularin e ri të vetëdeklarimit, por do të nxjerrë edhe disa metonimi (transporte të reja të kuptimit të fjalëve). Pra, nuk është aspak çudi, që kur të vijë vera e 2017-s tamam, tamam, shumë gjëra do të na shfaqen e të përkthehen ndryshe. Në rrafshin e kuptimeve leksikore të fjalëve, pritet prurje të reja kuptimore për të njëjtat fjalë. Kështu psh, për atë që deri më sot e kemi mbajtur si “Pallati i Drejtësisë”, kur t’i shohim themelet që do t’ia zbathë Vetting-u, ka shumë të ngjarë që të marrim vesh se, në të vërtetë, ai na paskësh qenë “Pallati i Dreqësisë”. Shumë prej atyre, që deri para Vetting-ut cilësoheshin si “gjyqtar” apo “prokuror”, po afrohet dita që t’u drejtohemi me emërtimin “avokat”. Ndërsa, shumë nga këta të fundit, pas Vetting-ut, do të marrin emrin e vërtetë “sekser”. Por ato, mbasi nuk dinë as anglisht e as gjermanisht për “t’u marrë vesh” me ata që do ta kalojnë Vetting-un, patjetër që do të largohen vetë nga oborri i gjykatave dhe do të vrapojnë për t’u marrë me sekserllëkun e lidhjeve martesore ose të shit-blerjeve të objekteve imobilare. Flitet se, kryetari i shoqatës që do të krijohet, do të jetë ish sekseri më i famshëm i drejtësisë, Genc Gjokutaj. Rastet e mësipërme, janë ato kur emërtimi (avokat) lëviz dhe përputhet me perceptimin e vërtetë të fenomenit (sekser).
Por “Santa” Vetting-u, pritet të na dhurojë edhe leksema të tilla, si psh: kur shmangia semantike shkon aq larg, sa fjala përfton kuptim krejt të kundërt nga kumti i parë. Kështu psh, edhe fjalën VIP që bashkon inicialet për Very Important Person dhe që në shqip do të thotë “Person Shumë i Rëndësishëm”, për shumë nga këta, mund të shpjegohet ndryshe: “Very Important Prisoners”, që në shqip përkthehet “i Prangosur Shumë i Rëndësishëm”. Në këto raste, nëse dikush është i pa informuar për peshqeshet e Santa Vetting-ut dhe komunikon si në kohën e kalendarit të vjetër të Para Veting-ut, do të bëhen burim humori… Në këto kushte, e qeshura, jo vetëm që është e vetmja terapi ngushëlluese për VIP-at tanë, por mbetet edhe mënyra më serioze për të mos i marrë seriozisht gjynahqarët karagjozë që shpresojnë çudinë nga Çadra e Lulit, vëllait të Erlindit. Atij që dha dorëheqjen i pari për të mos u takuar me “Santa” Vetting-un…
Alla shqiptarçe,pa kufi,me shum krip a apo pa krip fare.
Nje rryme e fresket ajri me arome te mrekullueshme per te ardhmen jo edhe kaq larg sa duket.. Urime artikullshkruesit