Torasa: Në derbi dua të jap asist për Ekubanin, rëndësi ka të fitojmë

24 Prill 2017, 13:14Sport TEMA

Agustin Torasës nuk i bën përshtypje dygolëshi që shënoi dje, pasi ai primare ka suksesin e skuadrës.

Gjithsesi, për “Panorama Sport” argjentinasi pohoi se suksesi është një ogur i mirë para derbit dhe ndeshjes me Tiranën.

Dy golat e djeshëm, ia dedikoi njërin babait që kishte ardhur për ta parë nga Argjentina dhe tjetrin vajzës.

Çfarë ndodhi me Agustin Torasën, i cili pas më shumë se një viti arriti që të shënojë dy gola në një ndeshje, kur deri tani keni realizuar vetëm në një rast nga pika e bardhë?

Me mua nuk ka ndryshuar dhe as nuk ka ndodhur asgjë. Ishte një ndeshje që duhej fituar dhe në fund ia arritëm qëllimit. Ky trepikësh ka shumë rëndësi pasi vjen në kuadër të javës para derbit, që është një nga ndeshjet më të rëndësishme për ne dhe që do ta fitojmë me patjetër. Gjithashtu, ky trepikësh ka vlerën e objektivit të klubit, për fitimin e titullit kampion.

Kujt ia dedikon Torasa këtë dygolësh me Partizanin?

Dedikimi i këtij suksesi personal shkon kryesisht për babanë tim që ka ardhur nga Argjentina dhe ishte në tribunë. Njërin gol ia dedikoj babait, ndërsa goli tjetër shkon për vajzën time të vogël.

A mund të themi se më në fund Partizani gjeti sulmin ideal, pasi në një ndeshje shënojnë të gjithë sulmuesit?

Sigurisht që sulmi e bëri detyrën ndaj Teutës dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të bëhet në një ekip kur shënojmë të gjithë sulmuesit. Por kjo gjë nuk mund të ndodhë në çdo ndeshje, pasi kundërshtarët kanë specifikat e tyre. Gjithsesi, mund të them se kjo është e rëndësishme pasi dihet që zhbllokimi i të gjithë sulmuesve vjen para derbit dhe përballjes me Kukësin.

Pas këtyre golave të shumtë, keni rezervuar gola për derbin, apo i shkarkuat të gjitha ndaj Teutës?

Rëndësi ka që të fitojmë ndaj Tiranës në derbi dhe jo sa gola do të shënojmë në atë takim. Nëse unë shënoj edhe në derbi do të ishte mirë, por rëndësi ka që të ruajë ritmin golashënuesi ynë më i mirë i ekipit. Ndaj dua që ndaj Tiranës të jap një asist për Ekubanin që të shënojë në derbi. Po e përsëris, rëndësi ka të fitojmë, jo sa do të shënojmë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje