Pak orë para nisjes zbardhet dhe enigma e arbitrit të derbit. Do të jetë Juxhin Xhaja njeriu që do të vërë drejtësi në Tirana-Partizani, i ndihmuar nga asistentët Ermal Barushi dhe Ridigert Cokaj. Në një kohë kur ajo e gabimeve arbitrare është kthyer në një nga temat më të ndezura në kampionatin shqiptar, në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë vendosur t’i besojnë përgjegjësinë e derbit, një arbitri të ri , që ka marrë nota pozitive dhe mbi të gjitha të paprekur nga akuzat e ndërsjellta të klubeve përgjatë karrierës së tij.
Juxhin Xhaja është 26 vjec dhe nëse është një emër jo shumë i njohur për publikun atëherë e ka bërë mirë punën e tij nëse i besohet idiomës se një arbitër ka gjykuar në mënyrë korrekte në momentin që nuk përmendet. Gjatë këtij sezoni Juxhin Xhaja ka treguar se është një ndër gjyqtarët më premtues. ka ditur të gjykojë korrektësisht ndeshjet në kategorinë superiore, dhe ka provuar padyshim tension edhe në ato të Kategorisë së parë, ku mund të përmendtet sfida e fillimit të këtij muaji në Bylis-Lushnja.
Sot përballet për herë të parë edhe me presionin asfiksues të derbit, për të është një mundësi për tu lancuar drejt elitës, 90 minuta prove me erën e arbitrave të rinj që fryn tanimë edhe në një ndeshje të ndier maksimalisht sic është derbi.