Ministria e Arsimit do të vijojë normalisht zbatimin e rregullores për mbarëvajtjen e provimeve të maturës shtetërore.
Fushata zgjedhore nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e proçesit të maturës shtetërore. Garancia ka ardhur nga zv/ministri i Arsimit, Gerti Janaqi.
Në një prononcim për mediat tha se pavarësisht fushatës zgjedhore, nuk do të cënohet sistemi i provimeve.
“Ne kemi vendosur që politikën ta mbajmë larg nga shkola, këtë kemi bërë në këto katër vite. Pavarësisht se ky është një vit elektoral, ne do të ruajmë të njëjtin standard në mënyrë që të mos ketë asnjë ndikim politik. Është një proçes teknik mëse normal i cili do të vijojë normalisht. Nuk mund të themi se ka shtim masash, është e njëjta rregullore, i njëjti komunitet, e njëjta marrëveshje me policinë, e njëjta marrëveshje me shërbimin e postës,” shprehet Janaqi.
Provimi i parë i maturës shtetërore, ai i letërsisë do të mbahet në datën 5 qershor.
Për provimin e lëndëve me zgjedhje, ish-Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka firmosur një urdhër për afrimin e datës në 23 qershor, duke qenë se data e paravendosur korrespondonte me 24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.