Nga viti në vit fatura e rrogave të futbollistëve për klubet e futbollit rritet teksa konkurrenca e tregut bën që lojtarët të përfitojnë gjithnjë e më shumë.
Një analizë e “Daily Mail” ka zbardhur një listë mjaft interesante me 25 klubet që paguan më shumë rroga në sezonin që u mbyll.
15 nga 25 klubet që shpenzuan më shumë për futbollistët janë pjesë e Premier Ligës angleze, por listën e kryeson një ekip spanjoll, Barcelona.
Fatura e pagave të katalanasve në këtë sezon arriti shifrën 279 milion paund.
Barcelona ndiqet në listë nga Mançester Junajtid dhe Çelsi, përkatësisht me 265 milion paund dhe 256 milion paund.
Fatura e skuadrës së drejtuar nga Zhoze Murinjo është më e larta e historisë së një klubi anglez. 10 të parët plotësohen me radhë nga Real Madrid, Mançester Siti, PSG, Arsenal, Bajern Mynih, Liverpul dhe Juventus.
Ndërkohë pranë fundit të listës bie në sy një fakt shumë interesant dhe i çuditshëm. Fatura e pagave të Sandërlendit, skuadër që u rrëzua nga Premier Liga, është më e lartë se ajo e spanjollëve të Atletiko Madridit. Sandërlendi këtë vit 90 milion paund, ndërsa Atletiko vetëm 86.