Cekici: Fitojmë me Francën, synojmë vendin e parë

3 Qershor 2017, 13:52Sport TEMA

Ai është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në Kombëtaren e 21-vjecarëve dhe është gati për të nisur një tjetër fushatë kualifikuese me kuqezinjtë e vegjël pas asaj të edicionit të kaluar. Në miqësoren ndaj Francës dhe eliminatoren ndaj Estonisë sytë e të gjithëve do të jenë të përqëndruar te Endri Cekici. Mesfushori, i cili e mbylli sezonin me Lokomotivën e Zagrebit është optimist mbi mundësitë që kanë Shpresat që drejtohen nga Alban Bushi për të bërë një figurë të mirë dhe pse jo për të fituar ndaj Francës të Hënën.

“Synimi ynë është të hymë në fushë të japim maksimumin dhe të tregojmë që edhe pse Franca është një ekip i madh që ne mundemi, mundemi të luajmë ndaj cdo kundërshtari. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip dhe synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen. Unë luaj në pozicionin pas sulmuesit kryesor në kombëtare dhe kjo tregon sesa dëshirë kemi ne për ta fituar një ndeshje, pra ne kërkojmë gjithmonë maksimumin dhe hymë në fushë  për të fituar. Luajmë pothuajse me 4 sulmues dhe ky është një fakt që nuk kënaqemi asnjëherë me barazimin”.

Nga miqësorja e luksit te eliminatoret që nisin me sfidën ndaj Estonisë. Edhe pse kuqezinjtë e vegjël kanë në grup skuadra me emër të madh si Spanja, Sllovakia e Islanda, Cekici nuk i trembet askujt dhe e përcakton qartë objektivin e Shqipërisë së 21-vjecarëve.

“Kur hymë në një kompeticion, objektivi ynë i vetëm duhet të maja kështu që në këto eliminatore do të kërkojmë vendin e parë”.

Sezonin e fundit mesfushori 20-vjecar luajti si i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit skuadër me të cilën bëri mirë, por cila do të jetë e ardhmja e Endri Cekicit, kartoni i të cilit është në pronësi të Dinamos së Zagrebit.

“Ka disa oferte konkrete por mbetet për tu parë. Duhet të bisedoj me drejtuesit e Dinamos së Zagrebit dhe me presidentin, mundësitë janë të hapura edhe për një rikthim te kjo skuadër por edhe për një transferim te një tjetër klub, gjithsesi këtë do ta tregojë vetëm koha”.

Një nga risitë, në listën e Alban Bushit për sfidat ndaj Francës dhe Estonisë, është sulmuesi Valdrin Mustafa i cili luan me të rinjtë e Kaiserslauternit në Gjermani. I lumtur por në të njëjtën kohë edhe gati për të dhënë kontributin e tij në kombëtaren e 21-vjecari, 19-vjecari nuk e fshehu kënaqësinë për këtë grumbullim në fjalët e tij.

“Jam shumë i lumtur që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e përfaqësueses së 21-vjecarëve. Ëndrra ime është të luaj për kombëtaren A, por tani dua të jap maksimumin dhe të tregoj vlerat e mia me Shpresat. Konkurenca është shumë e madhe. Unë jam i datëlindjes 1998, ndërkohë që pjesa më e madhe e lojtarëve janë të 96-tës dhe 97-tës dhe unë duhet të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje për të fituar besimin e trajnerit”.

Pas një sezoni fantastik me 19-vjecarët e Kaiserslauternit, Mustafa tani dëshiron të spikasë me ngjyrat kuqezi.

“Kam realizuar 20 gola me Kaiserslauternin në këtë sezon, tani dua të jap maksimumin me kombëtaren e 21-vjecarëve që në të ardhmen të jem pjesë e përfaqësueses së madhe”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje