Çështja Alla, Kukësi kërkon 500 mijë euro

29 Qershor 2017, 11:55Sport TEMA

Prishja e njëanëshme e bashkëpunimit me Kukësin mund ti kushtojë shtrenjtë mbrojtësit Albi Alla, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë financiar. Klubi veri-lindor njoftoi se do të nisë procedurat ligjore kundër futbollistit, që së fundmi është futur edhe në orbitën e Kombëtares kuqezi.

Nëpërmjet një shkrese zyrtare, të datës 29 Qershor, klubi i Kukësit i ka rikujtuar Albi Allës kontratën e nënshkruar ekzaktësisht një vit më parë, sipas të cilës “lojtari pranon të luajë me të njëjtat kushte edhe në rast të zgjatjes së sezonit futbollistik nga federata apo edhe në rast të kualifikimit në Champions ose Europa League”.

Në nenin 3, i cili lidhet me kohëzgjatjen e kontratës dhe i firmosur nga futbollisti, sanksionohet që “në rast se lojtari nuk paraqitet në skuadër për të luajtur në kupat e Europës, ai do ti paguajë klubit dëmshpërblim deri në vlerën 500 mijë euro”.

Shifra duhet të shlyhet brenda 30 ditëve, ndërsa çdo ditë vonesë do të paguhet penalitet në vlerën 0,5 për qind të shifrës totale. Vetëm pak orë pasi klubi i AEL Larisës në Superligën greke e prezantoi si blerjen më të re të merkatos, klubi i Kukësit ka kërkuar nga lojtari që të ndalojë çdo negocim apo nënshkrimin e kontratës me ndonjë klub shqiptar apo të huaj.

Në rast të kundërt, kampionët e Shqipërisë e njoftuan mbrojtësin 24-vjeçar se do të nisë procedurat ligjore për dëmshpërblim nga Albi Alla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje