Pentagoni: Rusia është një kërcënim për Shtetet e Bashkuara

1 Korrik 2017, 12:24Bota TEMA

Nga Ruby Mellen

Një raport i Pentagonit i publikuar të mërkurën paralajmëron për një kërcënim ushtarak në rritje nga Rusia dhe thotë se Kremlini beson se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ndryshimin e regjimit, një pohim që mund të ndikojë në marrëdhënien tashmë të tensionuara mes dy fuqive.

Raporti prej 116 faqesh i Agjencisë së Mbrojtjes të Inteligjencës, “Fuqia ushtarake e Rusisë: Ndërtimi i një ushtrie për të mbështetur aspiratat e fuqisë së madhe”, skicon një pamje të një Rusie që e sheh veten në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara dhe me një udhëheqje që ka një dëshirë të fortë për të bërë vendin përsëri fuqinë e shquar që ishte gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.

“Kremlini është i bindur se Shtetet e Bashkuara po hedhin themelet për ndryshimin e regjimit në Rusi”, thuhet në raport. Moska filloi të shqetësohej për dorën e Uashingtonit në ndryshimin e regjimit gjatë të ashtuquajturve Revolucione të Ngjyrave në Evropën Lindore në fillim të viteve 2000. Rusia gjithashtu i sheh Shtetet e Bashkuara si përgjegjëse për revolucionet e Pranverës Arabe të 2010 dhe 2011 dhe largimin e ish presidentit ukrainas Viktor Janukoviç në vitin 2014.

Raporti vjen në një kohë kur qeveria e SHBA-së është e ndarë për faktin se si të përballët me kërcënimin në rritje nga Rusia. Ndërkohë që Presidenti Donald Trump ka lavdëruar Presidentin rus Vladimir Putin dhe ndërsa ai thuhet se po përgatit koncesione për ti bërë Moskës para takimit të tij të parë me Putin, Kongresi ka zgjedhur një kurs tjetër dhe shumë më të ashpër. Senati, kohët e fundit miratoi legjislacionin që do të godasë me sanksione të reja Kremlinin dhe do ta bënte më të vështirë që Shtëpia e Bardhë ti heq vetë këto sanksione.

Komuniteti i inteligjencës, duke gjykuar nga raporti, sheh më pak optimizëm marrëdhëniet e përmirësuara. “Moska shqetësohet se përpjekjet e SHBA-së për të diktuar një sërë normash ndërkombëtare të pranueshme, kërcënojnë themelet e fuqisë së Kremlinit duke dhënë kështu leje për ndërhyrje të huaja në punët e brendshme të Rusisë”, thuhet në raport.

Ideja që Rusia parashikon që Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të rrëzojnë udhëheqjen e Kremlinit, i mbush me dyshime marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.

Rusia ka qenë prej kohësh e kujdesshëm për përfshirjen e SHBA-së në ndryshimin e regjimit. Putin kandidoi për president në vitin 2012 pjesërisht sepse ishte i pakënaqur që atëherë, Presidenti Dmitri Medvedev u bashkua me Shtetet e Bashkuara për të ndikuar në ndryshimin e regjimit në Libi. Putin fajësoi gjithashtu sekretaren e atëhershëm të Shtetit Hillary Clinton për nxitjen e protestave të gjera në fund të vitit 2011.

Në mënyrë të ngjashme, Rusia ka pohuar se Shtetet e Bashkuara kanë orkestruar protestat në Kiev në fund të vitit 2013 që përfundimisht kanë sjell rrëzimin e Presidentit pro-Rus Janukoviç, i cili dyshohet se i kërkoi Rusisë të ndërhyjë në Krime.

Agjencia e Mbrojtjes së Inteligjencës gjithashtu vë në dukje një rritje të jashtëzakonshme të shpenzimeve të mbrojtjes ruse që ka arritur një “rekord post sovjetik”.

Megjithëse buxheti i mbrojtjes i vitit 2016 ishte caktuar të binte, një lëvizje e vonuar solli shumën totale në 61 miliardë dollarë, sipas raportit. Kjo është më shumë se dyfishi i buxhetit vjetor të mbrojtjes prej 27 miliardë dollarësh për vitin 2006, megjithëse ende vetëm një e dhjeta e shpenzimeve të mbrojtjes së SHBA-ve.

Mbetet e paqartë nëse udhëheqja republikane e Shtëpisë do të mbështesë amendamentet e sanksioneve të mbështetura nga Senati, ndërsa Shtëpia e Bardhë tashmë ka tentuar ta hidhte poshtë atë. Shumë qeveri evropiane kanë reaguar me zemërim ndaj lëvizjes së Senatit, e cila do të zgjerojë në mënyrë të njëanshëm sanksionet ekonomike ndaj Moskës dhe mund të prekë kompanitë evropiane që bëjnë biznes me Rusinë.

Pavarësisht nga afektiteti i çuditshëm i Shtëpisë së Bardhë për Moskën, institucionet e qeverisë amerikane vazhdojnë ta marrin Rusinë seriozisht, duke konfirmuar kështu pohimet e ish  kandidatit presidencial Mitt Romney që Rusia është kërcënimi kryesor gjeopolitik i Amerikës.

Duke folur në Komisionin e Inteligjencës të Senatit, të mërkurën, Nicholas Burns, një ish ambasador i SHBA-ve në NATO dhe një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit në administratën e Xhorxh W. Bush, tha se administratat e Obamës dhe Trump nuk arritën të përgjigjen në mënyrë të përshtatshme ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve.

“Presidenti Trump nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, dhe kjo është e papërgjegjshme”, tha Burns. Ai shtoi se presidenti Barak Obama duhet të ishte hakmarrë me më shumë “forcë”.

“Rusia është kundërshtari ynë më i rrezikshëm në botë sot,” tha Burns./Foreign Policy – Lexo.al/

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje