E hëna është një ditë e rëndësishme për sezonin e ri në futbollin shqiptar. Nga Kombëtarja, te kampionati shqiptar, sytë janë drejtuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit. Organi më i lart vendimmarrës do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme, për të diskutuar disa pika të rëndësishme, të cilat janë parashikuar edhe në rendin e ditës.
Duke nisur nga projekti i ri në Kombëtaren shqiptare, pas largimit të trajnerit Gianni De Biasi. Pas diskutimeve me dhjetëra kandidatë, të hënën presidenti i FSHF-së, Armand Duka do të njohë anëtarët e Ekzekutivit me zgjedhjen e bërë prej tij, për emrin e ri të Kombëtares.
Gjithashtu, pritet të përcaktohen edhe datat e fillimit të sezonit të ri. Kampionatet e të gjitha niveleve në vend pritet të startojnë në fund të muajit Gusht ose në Shtator, pas angazhimeve të ekipit Kombëtar. Kjo është periudha kur tradicionalisht nis edicioni në Shqipëri dhe gjasat janë që edhe këtë sezon të mos ndryshojë.
Një tjetër temë e rëndësishme që do të shqyrtohet nga Komiteti Ekzekutiv lidhet me ndarjen e grupeve të kategorive inferiore, ku interesi kryesor lidhet me Tiranën. Në bazë të propozimit të Sektorit të Garave, bardheblutë duhet të luajnë në Grupin A, atë të veriut.
Tjetër diskutim me interes për të gjithë aktorët e lojës është edhe ai që lidhet me numrin e futbollistëve të huaj që mund të aktivizohen në fushë. Aktualisht skuadrat shqiptare mund të aktivizojnë deri në 4 lojtarë jo-shqiptarë në fushë, por klubet më të mëdha kërkojnë që numri të rritet, ndoshta deri në gjashtë, një zgjedhje që do të ishte në funksion të rritjes së cilësisë por edhe për një ecuri më të mirë në kupat e Europës./SS/