Kompania e monitorimit të basteve, “Federbet”, i është përgjigjur Kukësit pas deklaratës së Gjicit për dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh. Gjithçka nisi pas sinjalizimit që dha kjo kompani në lidhje me miqësoren që Kukësi humbi 7-0 kundër austriakëve të Volfsbergerit.
Sekretari i Përgjithshëm i “Federbet”, Françesko Baranka, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” shpjegoi dje se nuk ka asgjë personale me klubin kampion të Shqipërisë, por thjesht ka pasqyruar një anomali të koeficienteve të basteve për atë ndeshje.
Ai i qëndron sërish raportimit që bëri kompania e tij për ndeshjen e Kukësit dhe hedh poshtë zërat se klubet shqiptare janë vënë në shënjestër nga “Federbet”, me qëllim prishjen e imazhit të tyre. “Nuk është e vërtetë që kemi në fokus vetëm klubet shqiptare. ‘Federbet’ ka raportuar situata të ngjashme edhe në Itali, Spanjë, Rumani, Azerbaxhan, Ukrainë etj.”, thotë Baranka për gazetën.
Z. Baranka, e dini që postimet e “Federbet” në “Facebook” rreth Kukësit kanë bërë shumë bujë në Shqipëri? Presidenti i klubit të Kukësit ka deklaruar se do të hedhë në gjyq kompaninë tuaj dhe kërkon dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh…
Rreth kësaj çështjeje mund të them se ne thjesht kemi vëzhguar që në miqësoren kundër Volfsberger ka pasur lëvizje absolutisht jonormale, por nuk kemi dhënë asnjë lloj gjykimi.
Dhe kemi vëzhguar se gjithnjë e më shpesh, ndeshjet miqësore prishen nga këto lloj anomalish që janë sinjale të dukshme të episodeve të trukimit të ndeshjeve. Në faqen tonë në “Facebook” dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm me të gjitha mediat europiane, zakonisht sinjalizojmë anomalitë që kemi vëzhguar.
Por në ndeshjet e fundit që keni hedhur shfaqet në vazhdimësi emri i Kukësit…
Nuk mendoj se “Federbet” është në gjendje të influencojë tregun botëror të basteve, në mënyrë që më pas të akuzojë Kukësin. Nuk kemi as simpati, as antipati dhe asnjë lloj interesi që të bëjmë publike anomalitë. Numrat nuk kanë shpirt dhe ne i trajtojmë si të tillë.
Ndërkohë, drejtuesit e klubeve shqiptare tani deklarojnë se i bëni akuzat kundër Shqipërisë, meqë është një vend i vogël, pasi gjëra të tilla shihen në kampionate më të mëdha në çdo javë…
Ne stigmatizojmë të gjithë ato sjellje të cilat dyshojmë që kanë si qëllim final manipulimin e ndeshjeve në favor të basteve sportive. Sinjalizojmë anomali kudo që gjenden. Është e pamohueshme. E tregon edhe skualifikimi i Skënderbeut, që Shqipëria është një vend veçanërisht problematik.
Por kemi bërë sinjalizime anomalish edhe në Greqi, Rumani, Azerbajxhan, Spanjë dhe shumë vende të tjera. Përfshirë edhe Irlandën, ku falë një sinjalizimi tonin shpërtheu një skandal ndërkombëtar. Ndaj, më duket se nuk është se kemi ndonjë gjë kundër Shqipërisë.
Përkundrazi, do të më pëlqente që të mund të ndihmoja për të zgjidhur problemin, pasi si gjithmonë, deri në provën e kundërt, mendoj se klubet janë viktima të sjelljes së paligjshme të futbollistëve të tyre.
Kjo do të thotë se fajin e kanë lojtarët dhe jo klubet kur ndodhin anomali të tilla? Këtu i referoheni edhe rastit të Skënderbeut?
Nuk i referohem asnjë rasti në veçanti, por e them nga eksperiencat personale që në pjesën më të madhe të rasteve janë lojtarët ata që janë fajtorë dhe klubet janë viktimat. Sigurisht, nëse klubet duan të evitojnë probleme, duhet të bashkëpunojnë me autoritetet.
Megjithatë, nëse shohim disa nga çështjet e shpërthyera në kampionatet madhore, në Itali apo Spanjë, drejtuesit ishin në qendër të çdo gjëje…
Nuk është e vërtetë. Në rastin e Gjykatës së Kremonës në Itali ka praktikisht vetëm futbollistë. Dhe duke bashkëpunuar me klubet arrihen rezultatet më të mira sa i përket parandalimit. Unë flas për manipulimet e ndeshjeve me qëllim fitimin nga bastet, jo për manipulimin e ndeshjeve me qëllim pozicionimin në tabelën e klasifikimit.
Dhjetë ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit i ka hequr Skënderbeut titullin kampion të sezonit 2015- 2016. Keni lexuar për këtë vendim?
Po, mendoj se ashtu si vendimi i dhënë nga KAS në Lozanë për këtë temë, ky është një precedent shumë i rëndë- sishëm i jurisprudencës.
Çfarë mendimi keni tani që edhe ju jeni pjesë e strukturave të tilla parandalimi dhe dënimi në Federatën Ukrainase?
Edhe në Ukrainë problemi është shumë i madh. Por gjëja më e keqe nga të gjitha është bësh sikur nuk ndodh asgjë. Po mundohemi që të punojmë sa më shumë që të zgjidhim këtë situatë, por ky problem është i pranishëm dhe shfaqet me shumë rregullsi edhe në ndeshjet miqësore. Dua të theksoj se puna ime në Ukrainë është e ndarë nga detyra që kryej te “Federbet”.
Flisnit për miqësoret, por a mund t’ju pyesim nëse keni konstatuar anomali në ndeshjet e raundit të parë të Kupave të Europës, që zakonisht janë problematike në këtë aspekt?
Jo, për momentin asnjë gjë shumë të veçantë.
Po ndonjë gjë tjetër që duhet të dimë?
Për ta mbyllur, thjesht dua të përsërit neutralitetin tim absolut dhe simpatinë që kam për Shqipërinë. Pjesa me e madhe e ndjekësve tanë në rrjetet sociale janë pikërisht shqiptare. Dua t’i bëj komplimentet e mia edhe Federatës së Futbollit dhe do të më pëlqente që ndoshta në të ardhmen të kishim një shkëmbim eksperiencash me të.