INTERVISTA/ A do ta dorëzojnë ministrat mandatin e deputetit? Rama zbardh projektet e para: Qeveria do ketë ndryshime të mëdha

6 Korrik 2017, 21:27Politika TEMA

Kryeministri Rama ka folur ditën e sotme në “Top Story” në “Top-Channel” për qeverinë e re. Ai tha se do të ketë shumë ndryshime në qeverinë që do formohet në shtator.

Duke folur për ministrat teknikë, Rama shprehu bindjen se ata do të largohen para se t’i shkarkojë ai.

Do kemi qeveri të re në shtator. Unë mendoj se emrat janë të parëndësishëm. Ende s’kam menduar për to. Unë besoj te sistemi më shumë sesa te emri. Jemi në një fazë tranzicioni. Duhet të rishikojmë buxhetin dhe duhet të shohim patjetër situatën e energjetikës”, tha Rama.

Rama tha se mazhoranca e dalë nga 25 Qershori pritet të mbahet në 3 shtylla; në Parlament, Qeveri dhe në parti.

Sipas Ramës, barra më e madhe e përgjegjësisë për 4 vite nuk lidhet me frikën e zhgënjimit të njerëzve, por me nevojën për t’i dhënë atyre atë për të cilën kanë votuar.

Duke folur për Sokol Ballën, Rama zbardhi edhe dy projektet e para të qeverisë që lidhen me transparencën dhe raportin me qytetarët.

Besoj se me teknologjinë e re njërëzit i kanë mundësitë për të qenë pranë qeverisjes. Ne po punojmë një platformë, “Shqipëria që duam” për t’i dhënë akses të gjithë njerëzve. Nga ana tjetër ne po punojmë për një reformë për mekanizmin e dëgjimit të ankesave. Për ata që kërkojnë përgjigje nga vetë godina e kryeministrisë” – tha Rama.

I pyetur nëse ministrat e ardhshëm do të dorëhiqen nga mandati i deputetit sikurse bënë 4-vjeçarin që lamë pas, Rama tha  se kjo gjë nuk është vendosur ende.

Sipas tij, ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit është në diskutim këto kohë brenda PS-së.

Nga ana tjetër, ai tha se situata në qeveri është paradoksale dhe e paarsyeshme fakti se në qeveri ka ende ministra të LSI-së.

Intervista

Sokol Balla: Jemi me autorin e “Rilindjes”, fituesin e zgjedhjeve të 25 qershorit, si ju duket vetja 53 vjeç shofer me timonin në dorë?

Edi Rama: Mua shumë urime, që japin kënaqësi por urimi i ditës ishte që gëzohu se sot je një vit më i ri se vitin tjetër. Në këtë perspektivë s’është keq.

Sokol Balla: Mund të thoni diçka për përmasat e fitores?

Edi Rama: Unë e kam përjetuar si një peshë të madhe përgjegjësie që nuk është se zvogëlohet, por ndjehet gjithmonë e më shumë ditë pas dite. E besoj thellësisht që fitorja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa e imja është barra e përgjegjësisë. Është përgjegjësi që e kemi kërkuar dhe nuk na e kanë dhënë me zor. Njerëzit na e kanë dhënë sepse besojnë se ne meritojmë të provohemi të vetëm në timon, jo se kemi bërë një mrekulli për këtë mbështetje kaq të madhe.

Sokol Balla: Kam përshtypjen që kur thatë se mund të përfundojmë si PD, rrezikoni të përfundoni ashtu vërtetë. Jeni të përgatitur për një zhgënjim të madh pas katër vitesh?

Edi Rama: Nuk kam fajësuar drejtpërdrejtë aleatët e deridjeshëm. Kam nënvizuar domosdoshmërinë me shqiptarët për të ndërhyrë në sistem një qasjeje kanceroze në administratë. Barra nuk lidhet me frikën e zhgënjimit të njerëzve, por me nevojën e brendshme për t’ju dhënë atyre atë për të cilën nga kanë votuar dhe ajo çka kam thënë është që ne duhet ta kuptojmë kështu siç është këtë përgjegjësi, duhet të mobilizohemi për të patur soliditet në tre shtyllat që do të mbajnë shumicën e re, në grupin parlamentar, qeveri dhe parti dhe bashkë me njerëzit. Besoj që sot janë kushtet që njerëzit të jenë shumë më pranë qeverisë dhe të jenë aktorë të drejtpërdrejtë në bashkëqeverisje. Ne po punojmë për një platformë bashkëqeverisjeje ku do t’i japim akses të plotë njerëzve. Po punojmë për një reformë që do të nise nga reformimi i mekanizmit të dëgjimit të njerëzve që kërkojnë zgjidhje nga vetë kryeministria duke e shtrirë këtë në çdo ministri për të realizuar një lidhje të drejtpërdrejtë derisa të ndërtojmë një sistem funksional mes ministrave, deputetëve dhe njerëzve që të komunikojnë drejtpërdrejtë për çdo gjë që shohin të papërshtatshme në sjelljen e administratës.

Sokol Balla: Kjo do të kërkojë ndarje pushtetit brenda vetë partisë. Çfarë rregullash, do të riaplikoni ndarjen e mandateve të deputetit nga ministri?

Edi Rama: Kjo është në diskutim. Po diskutojmë për të patur një qeverisje integrale dhe jo një qeverisje të qeverisë. Të trija pjesët, parlamenti, qeveria dhe partia

Sokol Balla: Kjo mund të interpretohet sikur po krijon një opozitë brenda partisë, ndërkohë që opozita pritet të jetë e ashpër.

Edi Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për të krijuar një shëmbëlltyrë të opozitës, por bëhet fjalë për të dëgjuar njerëzit. Ideja është për të krijuar një situatë presioni të përhershëm ndaj atyre që përfaqësojnë shtetin në të gjithë nivelet dhe veçanërisht në zyrat e shërbimeve. Ata duhet të marrin një mesazh të qartë që qytetari është në bashkëqeverisje.

Sokol Balla: Thatë që po mendoni nëse do të ketë ndarje mes mandatit të deputetit dhe pozicionit në ministrit. Çfarë do të ndodhë me kabinetin qeveritar? A do të ketë ministra që do të mbajnë pozicionet e tyre? Cili është kriteri? A do të ketë ndryshime në qeveri?

Edi Rama: Ne do të kemi një qeveri të re në shtator dhe ajo që thashë vlen më shumë sesa emrat, për të cilët nuk kam menduar pasi besoj shumë tek mënyra sesi ndërtohet një sistem, jo emrat. Jemi në një fazë tranzicioni të panatyrshme, ndërkohë që janë disa sfida të rëndësishme, si ajo e rishikimit të buxhetit, edhe për shkak të thatësirës, po ashtu sfida e moslejimit të turrjes së çakejve të mbetur në zyrat e shtetit që e përjetojnë këtë fazë si mënyra e fundit për të marrë gjithçka nga një hambar pa roje.

Sokol Balla: E thatë edhe vetë që është një tranzicion i pashembullt. Keni ministra të LSI-së, keni edhe ministra teknikë që thatë se do i shkarkoni më 26 qershor.

Edi Rama: Nuk thashë që do t’i shkarkoj, por që do të largohen. Roli i tyre ishte një rol i nevojshëm, por edhe për të lehtësuar në kushte të vështira dhe për shkak të një tradite të vështirë barrën e presionit dhe të paranojës që ka çdo opozitë kur hyn në zgjedhje në Shqipëri. Ata e luajtën rolin e tyre, misioni i tyre ka përfunduar dhe jemi në një situatë paradoksale që shpresoj që të zgjidhet një orë e më parë.

Sokol Balla: Si e gjykoni përformancën e ministrave teknikë? Në shtator katër ministrat e LSI do të largohen dhe do t’i lënë vendin ministrave të mazhorancës së re, në kuadër të reformës në administratë, do të ketë pastrime tek drejtuesit e dikastereve të LSI?

Edi Rama: Nuk jam unë vlerësuesi i performancës së ministrave teknikë. Unë e kam thënë që nga ai moment nuk do të përfshihesha më në atë proces dhe fitova lirinë për të bërë fushatën pa ngarkesën e menaxhimit të zgjedhjeve. Task-forca ka punuar mirë, ka patur disa eksese të pashmangshme. Roli i Policisë së Shtetit ka qenë shembullor, i lëvduar nga OSBE/ODIHR edhe pse në presion gjatë zgjedhjeve nga Presidenti i zgjedhur dhe merita i shkon drejtorit Haki Çako. Në asnjë mënyrë nuk do të bëjmë një proces që do të godasim politikisht, por logjikisht dhe moralisht çdo sektor, strukturë, mekanizëm, individ që nuk është i denjë për të qenë pjesë e administratës shtetërore. Shërbimin Civil ne duam ta forcojmë dhe me siguri edhe kush në Shërbimin Civil është i padenjë, nuk diskutohet që përmes mekanizmave ligjorë do të largohet dhe pastaj do të shohim nëse do të largohet për shtëpi apo burg.

Sokol Balla: Përmendet ODIHR, ndërkohë në raportin paraprak ishte shumë kritik për procesin zgjedhor. U përmend shumë fenomeni i shitblerjes së votës, kështu reagoi edhe PD, edhe LSI. A u dëmtua ky proces nga shitblerja?

Edi Rama: Unë mendoj të kundërtën. ODIHR përmend që për herë të parë kemi në Shqipëri goditje për blerje vote dhe jam i bindur që nëse gjërat shkojnë në proces gjyqësor, atëherë mësimi do të merret edhe për ata që mund të jenë përfshirë në këtë proces dhe nuk janë kapur me presh në duar. Ne kemi pas sondazhet tona dhe sa i përket PS, kemi marrë saktësisht pak a shumë me përqindje, me presje dhjetore atë që kemi pritur nga publiku. E kemi marrë sepse kemi qenë të organizuar. Kemi patur makinerinë më të mirë elektorale këtë herë dhe angazhimin më të mirë si skuadër.

Sokol Balla: Do të ketë rikthime në kabinet të ministrave që u larguan gjatë këtij viti, përfshirë edhe ata të marsit?

Edi Rama: Nuk flas do me emra sepse nuk jemi në atë fazë. Ne kemi ngritur disa grupe dhe unë po merrem me platformën e bashkëqeverisjes që do të jetë e hapur për qytetarët përmes teknologjisë. Një grup tjetër po punon për reformën strukturore.

Sokol Balla: Do të jetë kabinet më i vogël?

Edi Rama: Ka ardhur koha që ne mund të bëjmë atë që kam thënë para 4 vitesh që nuk do të ketë më ALUIZN-i veç, hipoteka veç dhe Agjenci Kthimi Pronash veç. Do të punojmë që çdo qytetar që shkon në një zyrë për të marrë një shërbim, për të gjithë dokumentet që duhet t’i japë shtetit, por vetë ajo zyrë ku kërkon shërbimin duhet të garantojë gjithë dokumentet e tjerë. Qytetari duhet të sjellë vetëm dokumentet që lidhen me bankat apo me jashtë vendit.

Sokol Balla: Kriza në PD, gara që ka nisur duket se vendos në pikëpyetje vazhdimin e marrëveshjes me Bashën?

Edi Rama: Unë shpresoj që jo.

Sokol Balla: Selami e Patozi thotë që do ta rishikojmë.

Edi Rama: Unë besoj që nëse ka patur një akt të duartrokitshëm për Shqipërinë nga PD në katër vite, ka qenë ajo marrëveshje.

Sokol Balla: Do të thotë që Basha është i parapëlqyeri juaj në garë?

Edi Rama: Flas për marrëveshjen, nuk flas për parapëlqime.

1 komente në “INTERVISTA/ A do ta dorëzojnë ministrat mandatin e deputetit? Rama zbardh projektet e para: Qeveria do ketë ndryshime të mëdha”

  1. Xen deledashi says:

    Punoni për vendin z. Rama e lërini zorraxhinjte të lehin. Vetëm kështu do ti beni vetes vend midis figurave më të shquara në historinë e këtij vendi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje