Antonio Kasano i ka dhënë dje fund karrierës si futbollist, të nisur mes profesionistëve në vitin e largët 1999, kur spikati në radhët e Barit që në moshën 17-vjeçare.
Pakkush e kujton, por talenti barez ra në sy për një episod shumë të veçantë, në një ndeshje të fituar nga skuadra e tij kundër Interit, ku ai turpëroi me veprimet e tij teknike dy emra të mëdhenj të futbollit botëror të atyre viteve si Kristian Panuçi dhe Loran Blank.
“Perrota më shërbeu me një top të gjatë të bukur, ndoshta i vetmi i saktë që ka dhënë në karrierën e tij”, kujton vetë Kasano për atë moment. “Nxora para topin me thembrën e djathtë dhe në driblim kalova Blank e Panuçin, duke mundur pastaj Ferron që ishte në portë”.
Ishte minuta e 88 e sfidës dhe goli i parë në Serinë A i Antonio Kasanos, një javë pas debutimit mes profesionistëve, jo vetëm do t’i jepte suksesin 2-1 Barit, por edhe do ta bënte adoleshentin e atëhershëm një emër të njohur në arenën ndërkombëtare.
Që nga ai moment morri rrugë një karrierë në të cilën shëtiti në disa nga klubet më të njohura në botë mes të cilëve Roma, Real Madrid, Milan e Inter, ku shënoi dhe dha spektakël, por edhe çudi të ndryshme jashtë fushe, si ajo me të cilën i dha fund futbollit te Verona.