Zyrtare, Skënderbeu akord me Chievon për huazimin e Sowe

25 Korrik 2017, 17:14Sport TEMA

Tashmë vjen edhe zyrtarizimi. Ali Sowe është me të drejta të plota lojtar i Skënderbeut, për edicionin futbollistik 2017-2018. Pasditën e kësaj të marte klubi korçar finalizoi edhe akordin me Chievon, për huazimin e sulmuesit.

Pas marrëveshjes së arritur me 23-vjeçarin nga Gambia, Skënderbeu mbylli me sukses edhe negociatat e gjata me skuadrën e Serisë A italiane. Një operacion për të cilin është punuar prej javësh, mbi të gjitha prej pikave të kontratës mes klubeve.

Skënderbeu nuk pranonte kurrësesi të ishte thjesht një skuadër kalimtare për Sowe, duke vendosur edhe disa kushte që do ti favorizonin në të ardhmen. Nga e drejta për ruajtjen e një përqindje të shitjes së lojtarit, për të evituar një tjetër rast “Ekuban” dhe deri te mundësia që nëse dëshiron ta mbajë sulmuesin, të ushtrojë të drejtën e blerjes.

Ali Sowe do të bashkohet me skuadrën vetëm pasi Skënderbeu të jetë kthyer nga Repubika Çeke, aty ku të enjten do të jetë i impenjuar përballë në fushën e Mlada Boleslav.

Gjithashtu, burime pranë klubit korçar kanë bërë të ditur për “SuperSport”, se duke qenë që sulmuesi nuk është ende në kondicionin e duhur fizik, ai nuk do të regjistrohet pranë UEFA-s për ndeshjet e turit të tretë kualifikues në Europa League.

Por, pavarësisht se duhet të rigjejë formën më të mirë, Ali Sowe mbetet goditja e madhe e Skënderbeut në sulm, në rast se skuadra kalon në fazën “play off” të Europa League, por edhe për të synuar titullin kampion në Shqipëri.

1 komente në “Zyrtare, Skënderbeu akord me Chievon për huazimin e Sowe”

  1. vk says:

    akord???? shqip i thone marrveshje!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje