Një politikë kombëtare për ujin, në vend të një çmimi politik

26 Korrik 2017, 21:28Editorial TEMA
Një politikë kombëtare për ujin, në vend të

Nga Mero Baze

Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka mundur të rrisë çmimin e ujit të përdorshëm në familje, përmes një debati populist nga të dy palët, duke nxjerrë në dritë, nevojën e një politike reale çmimesh për shërbimet e qytetarëve.

Debati është populist dhe pa bazë, pasi ata që e kundërshtojnë bazohen në formulat e gatshme të “dhimbjes për të varfërit”, ndërsa Erion Veliaj që e mbron rritjen modeste të çmimit, e bazon atë në premtime të cilat po ashtu nuk janë realiste. Por dhe nëse janë realiste, janë të padobishme për rastin në fjalë.

Çmimi i ujit në Shqipëri, duhet të përcaktohet nga një politikë kombëtare që bazohet mbi sigurimin e furnizimit me ujë të shqiptarëve dhe pastaj duhet të flitet për politika sociale dhe çmime tregu. I rëndësishëm është fillimisht të kemi një çmim për litër për të furnizuar gjithë shqiptarët me ujë të përdorshëm në familje.

Kur them duhet një politikë kombëtare, kam parasysh se Shqipëria nuk është Tiranë dhe Ujësjellësi i Tiranës po ashtu nuk është Tirana, por një territor i stërmadh që ka disa analogë të Ujësjellësit të Tiranës.

Politika e rritjes së çmimit përmes `këshillave bashkiake, apo ashtu siç e ka pas bërë Berisha me “Borde Ujësjellsash”, është e gabuar, pasi uji është një mall në treg, çmimi i të cilit, nuk mund të varet nga teka votash këshilltarësh, qofshin këta pro rritjes apo kundër rritjes së çmimit. Autoriteti Kombëtar i Ujit duhet të përcaktojë çmimin e ujit të pijshëm dhe ujit të përdorshëm në familje në Shqipëri dhe ujësjellsat, duhet të menaxhojnë kompanitë bazuar në këtë çmim. Aty ku nuk mund të arrihet menaxhimi me atë çmim, këshillat bashkiake mund të votojnë kompensimin e ujësjellsave, por jo rritje apo ulje çmimesh.

E them këtë pasi Erion Veliaj në përpjekje për të shpëtuar nga falimentimi Ujësjellësin e Tiranës dhe për të filluar të korrigjojë barbarinë e depozitave apo ujit jashtë kontrollit, detyrohet të thotë premtime të tipit “pas pesë vjetësh do keni ujë 24 orë”. Nuk besoj se do kemi ujë 24 orë edhe sikur t’i heqim depozitat edhe sikur të investojmë në ujësjellës, pasi Tirana ende nuk ka rezerva ujore që të na furnizojë me ujë 24 orë.

Çmimi i ujit është ende i lirë dhe i papërfillshëm për peshën që ai ka në dy faturat themelore të shtëpisë, krahasuar me dritat, por debati nuk është tek niveli i çmimit, por politika  e përcaktimit të tij.

Përtej Tiranës, Bashkia e Tiranës ka qindra fshatra që shumica nuk kanë ujë. Ata nuk i përkasin ujësjellsit të Tiranës dhe natyrisht mund të kenë çmime të tjera, por problemi kryesor, është se ata nuk kanë ujë dhe nuk kanë rrjet që i furnizon.

Shqipëria është në një gjendje tërësisht primitive sa i përket rrjetit të ujësjellsave dhe mënyrës si përdor burimet ujore.

Fshatrat e Shqipërisë përdorin çezmat natyrale apo burime individuale për t’u furnizuar, ndërkohë që ujësjellsa të tërë paguhen për t’i furnizuar me ujë.

Ka zona të tëra që janë harruar të furnizohen për vite, ndërkohë që ekziston një çmim uji dhe për to.

Arsyeja është se Shqipëria aksionin e fundit për të rregulluar çështjen e ujit, e ka ndërmarrë në vitin 1987, kur Ramiz Alia premtoi se do të ndërtonte ujësjellës në çdo fshat dhe gati e arriti këtë gjë në vitin 1990.

Prej atëhere çdo ujësjellës është shkatërruar pikërisht se nuk u futën në treg. Fshatarët e Shqipërisë janë shpërdorues të tmerrshëm të ujit, dhe janë gati të vriten me njëri-tjetrin edhe pse kanë 4 familje një çezëm, vetëm se s’ka politika të furnizimit me ujë, duke e parë ujin, si pjesë e pasurisë kombëtare. Shteti ka lënë jashtë kontrollit politikat e furnizimit më ujë të fshatit dhe shumë qyteteve, dhe nëse llogarit investimet personale të qytetarëve shqiptarë për furnizimin me ujë, ato i tejkalojnë investimet e shtetit në ujësjellësa. Edhe ato depozitat majë pallatave në Tiranë, nëse ua mbledh faturat, janë shumë herë më shtrenjt se sa ka investuar Bashkia e Tiranës gjithë kohën në ujësjellësa.

Ky është tipar i vendeve primitive, ku secili kërkon ta zgjidhë vetë hallin që e ka zënë dhe nuk pranon bashkë-investimin në një kompani.

Kjo nuk është çështje çmimi për litër, e atyre, që pijnë dhjetë birra që të marrin zemër për protesta nga “dëshpërimi” që u është ngritur 2 qindarka çmimi ujit për litër. Beteja për ujin duhet të jetë një priorietet i madh për Shqipërinë dhe qeverinë e saj për të krijuar tregun e ujit dhe politikën e ujit. Politikat e ujit janë jashtë kontrollit dhe ujësjellsat janë disa banda grabitësish që punësojnë parazitë dhe e bëjnë sikur menaxhojnë ujin. Në fakt thjeshtë degradojnë politikat e ujit në vend.

Shqipëria ka nevojë urgjente për një plan kombëtar dhe rrjet kombëtar të furnizimit me ujë, ashtu siç ka një plan kombëtar për furnizimin me energji elektrike, ka nevojë të përcaktojë detyrimin e shtetit për të furnizuar një qytetar me ujë me një çmim të caktuar që i del qeverisë dhe pastaj bamirësinë, le ta bëjnë qeveritë lokale bashkiake, duke kompensuar apo duke kërkuar para nga qeveria qendrore për të tejkaluar çmimin. Por ajo që është e qartë tani, është se ne nuk kemi as ujë, as çmim për ujin dhe as shpresë për ujin. Kemi vetëm debat populist si nga ata që as vrasin realisht mendjen për ujin dhe nga ata që duan të bëjnë politikë me ujin.

Debati nuk është pse kemi një çmim politik për ujin, por pse nuk kemi një politikë çmimesh për ujin, që duhet të nisë nga rrënja e problemit.

16 komente në “Një politikë kombëtare për ujin, në vend të një çmimi politik”

  1. Angelo says:

    Z. Baze nje gje duhet ta dine mire te gjithe: uji eshte dhurate e natyres pra e ka koston zero. Por sherbimi qe kryhet per ta sjelle te konsumatori ka cmim. Kete gje u duhet shpjeguar qytetareve. Nuk di qe shiut ti kete dale pronari. Ndaj njerezve u duhet shpjeguar: e lire kripa ne Durres po te rendon qeraja e rruges. Ketu duhet debati sa investohet per rezervuaret, sa investohet per rrjetin e transmetimit dhe shperndarjes plus dhe menachimin= kosto. Por ne jemi mesuar ti zgjidhim partizance: sot per sot, neser lum kush te rroje. Me ato fshatra te thella qe kemi veshtire se u xgjidhet problemi. Te veme ne vije pjesen urbane pastaj mendohet per fshatra ku jetojne vetem cobenet.

    1. ben says:

      Une nuk e di sa u rit realisht cmimi i ujit se kete nuk e thote askush.
      Ajo qe eshte e rende ne kete rast eshte se une duhet te paguaj cdo muaj 5000 leke te vjetra me shume per ujin
      qe e para erion veliaj me leket e mi dhe gjithe te tjereve te na caje trapin pernate sikur eshte pronari i shiut i ujit dhe kanalit .
      dhe e dyta qe duket shume qarte me leket e mi dhe te te tjereve mbas 3 ose 4 vjetesh kane per ta privatizuar ujesjellesin qe eshte qellimi final i erionkes dhe i ustallareve .
      dhe ajo qe do behet realisht eshte qe dikush do behet milioner ( ne euro kuptohet) dhe prape as nuk do kete uje per te pire jo e jo nuk behet fjale po edhe per tu lare duhet ta lesh njehere te rjedhi per te pare nese ka balte ose jo.
      Une po pres me padurim diten qe do fillojne te shesin me detyrim ajer me bobula mqs ajri ne tirane eshte I ndotur.
      Dhe nese nuk e ben jo se nuk e meritojne shqiptaret po zaten se erioni mund te dali zemermire!!!!

  2. ILIRET says:

    Shume e sakte zoti Baze. Mirepo Erjon Veliaj dhe ne radhe te pare Edi Rama nuk e dine se nga duhet ta fillojne punen.
    -Sipas meje puna duhet filluar nga ristrukturimi i ndermarrjeve te ujesjellasve. Ne keto ndermarrje shumica e punonjesve as qe duan t’ja dine ne kane apo jo uje qytetaret. Administratat e tyre te fryra vetem presin diten qe do te marin rrogat. Ne nje zyre te ndermarrjes te ujesjellesit jane kater punonjes. Vetem njeri punon, apo ben sikur punon. Ndersa tre vajza te bukura, bionde me majuc, ose brune te sheshta, flpket rrica rrica, qendrojne para kompjuterave, por ne fakt meren me telefonat e tyre gjithe diten.
    -Behen shume projekte. Hidhen shume leke. Kur zbatohen ne terren, 70% e fondeve vidhen. Cilesia e punimeve she e materialeve te perdorura eshte e ulet. Perfundon ujesjellesi. Banoret uje nuk marin. Askush nuk mban pergjegjesi. Ama u pasuruan tre-kater vete. U shtua shtresa e te pasurve ne Shqiperi. Kurre mos marte uje qyteti apo fshati.
    -Nese nuk behen projekte moderne, jo sot per sot, por per 100 vjetet e ardheshme, ky problem asnjehere nuk ka per te gjetur zgjidhje. Kontrolli i shpenzimit te ujit eshte nder kryesoret.

  3. Asus says:

    Konstatim I drejte. Tre Jane elementet baze per jeten, rruget, uji dhe dritat. Por shteti nuk merret fare me ujin. Kush ka qene ne Gjeneve ka vene re se neper qytet ka cezma ku mund te pish uji te rrjedhshem njelloj si ne cezmat e shtepive. Ne qe mbajme vendin e dyte ne evrope per ujin, nuk e shuajme dot etjen si me qene ne afrike. Shteti duhet ta analizoje kete gjendje dhe te ndermarre masat e nevojshme. Nese kjo ceshtjen do te shikohej ne nivel vendi zgjidhja mund te jete me e mire dhe kosto me te ulet. A nuk do te ishte mire qe bashke me projektin e rruges se Arbrit te merrej dhe uji I Drinit te zi e te furnizohej gjithe Myzeqeja, qe nga Tirana, Durresi, Kavaja, Lushnje e deri Fieri? Por kjo mund te behet nese gjerat shikohen ne total e Jo me Copa.

  4. Tarrasi says:

    Shteti i Rames te vrase mendjen qe te beje politika per furnizimin e “katnarëve” me uje !?
    As mos ta çoje njeri neper mend!
    Karragjozi Rama dhe palaço Veliaj punojne per shqipetaret e gjenerates tjeter !
    Ju katnarët e sotem nuk meritoni me shume se “degjesa publike ku llomotit Rama” !

    1. Tafuti says:

      Ndoshta lideri i shkrire i PDse dhe Hajduti Meta u “dhem”b barku shume per popullin. Atyre u “dhemb” aq shume sa nuk lan gje pa vjedhur per te “miren” e popullit.

  5. mirel says:

    Eee debat populist thote Mero jurist8 qe eshte pjese jopopuliste e debatit, por asistenti i qeverise ne popull.
    Ik mer zagar se i tirni muhabetet me lezet dhe nuk merreni asnjehere me problemin.
    Sa here e keni trajtuar buxhetin e shtetit? Borxhin e jashtem? Sa para jane marre dhe ne sa tendera te kot hidhen miliarda leke? Koncesionet qe behen vetem per xhepin e Ramutit dhe te gjithe sorollopit te qence e langove qe u vine verdalle.
    Yrysh ne park, yrysh ne sheshe, yrysh dhe per xhamite, po kur qe puna e ujit asnjehere nuk u ngut shteti. Ndersa tani qe po shtrengohet hesapi hajt i thoni njerezve, tundni parate.
    Qe eshte qeveri qelbesire koncesionare kete nuk e dyshon me njeri
    Po qe te kete patur dhe kaq shume zagare qe i ruajne gardhin, dhe kete duhet ta provoje e ta shikoje vete mileti.
    Populiste thote ky lango. Pse kush do i paguaje faturat? Linda apo Zaho. Apo Mero me Anri Balen?
    Fshatari nuk ka asnje lloj furnizimi, thote Mero..vriten 4 familje te nje cesem. Po nga ana tjeter del dhe shperdoruesi me i madh i ujit.
    Hmm.. Mero Mero.
    Kerkon te gjeje fajtoret te populli. Po debati populist nuk i pelqen.
    Me kete teori sikur i thote populizmit, mos hani shume mut o njerez, fshatare dhe qytetare, se ujin do jua ngreme sa here qe te na ngrifet.
    Mire o populiste. Meqe nuk keni uje, pse nuk shkoni e te dhisni te dera e bashkise dhe kryeministrise. Ndoshta ashtu do ju duhet te kujtohen ta sjellin ujin me heret se per 5 vjet. Se 5 vjecari i duket shume afer Meros..keshtu qe i duhet dhe ketij ca barre nga ajo e eres se haleve te pashkarkuara dhe te pashpelara nga uji.

  6. gita says:

    Uji ! Nuk eshte vetem nje fjale goje por, eshte vete Jeta. Mos u qani ne tirane se ne Patos kemi disa vjet qe paguajme 720 leke/muaj: familj me 8 anetar dahe me 2-3 anetar , paguajne njelloj, uji vjen nje here ne 3 dite ,pasi mbushen depozitat uji merr rruget neper kanalet e xhadese , te tjere vadisin bacat qe kane zaptuar para ose pas pallateve dhe punonjesit e bashkise bejne sikur nuk shikojne. nuk ka aparate mates prandaj livadhisin njerezit . kete gjendje do t’a paraqes edhe Rames . dhe te shohim qe do te zgjidhet si problemet e tjera qe i kane vajtur .uji eshte gje e madhe prandaj do politika kombetare.

  7. kleptofagos says:

    Nuk behet stan me lepuj, o Merooooo !!
    As kur, ne vend te barijve kemi ujqer me shume se dele ..

  8. Naum says:

    Me pak fjale…kane humbur busullen.
    Busulla vlen per cdo aspekt qeverrisesh.

    Nje pyetje kam une.Pasi pervundon nje rrjet ne nje lagje apo fshat, cfare kosto mirembajtje ka???!!!

    Kjo “gjasmja” kosto e mirembajtjes eshte politike e gjalle punesimi e asgje tjeter…sa per dieni,tubat e rrinj qe vihen tani kane 50vjet garanci dhe menyra e ngjitjes po aq…shtojme dhe cilesine e plastikes se pordorur e cila nuk prodhon kurre as myshk as baktere te tjera…cfare kosto mirembajte del? Zero!

    Politike punesimi e asgje me teper.

    Mero edhe dicka tjeter…ne fshat uje i pishem nuk duhet te kaloje cmimin 3mije lek te vjetra…e kjo vetem per arsyje psikologjike.

  9. Lili says:

    Nje artikel qe ve pikat mbi I.
    Ku eshte shteti e cfare bene shteti ne kete rast per kryeqytetin-
    Sa shpenzojne ministrat e deputete per dietat- me kursimine atyre pareve do kishin paguar rrjeti,po te kishim shtet….

  10. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Nje problemetik e vonuar por fatmiresisht ka zgjidhje.
    Jam shume dakort qe uji eshte ceshtje kombetare ashtu si dhe energjia.
    Ekzistojne modele ,nje nga me te miret eshte ai i furnizimit me uje te Pekinit.Mendoni sa miljon banor ka .
    Shqiperia per fatin e saj te shkelqyer ka ndertuar disa ujembledhesit mbi lumin Drin.
    Projekti TAP eshte nje eksperience,se si uje i ujembledhesve, mund te furnizoj jo vetem Tiranen,por gjithe Shqiperine.
    Ai tani derdhet i gjithi ne det!!!!!
    Ndrimi I drejtimit,shtrimi i tubacioneve,ndertimi i depozitave dhe shperndarja ,kerkojne nje projekt te mbeshtetur nga Qeveria.
    Nuk ka nevoj te pihet uje Boville,kur ate te bjeshkeve e derdhim ne det.
    Konsumojme shume kohe per debate politike dhe aspak per ato ekonomike,i bojkotojme ose i kundershtojme.
    I therisni mendjes zotrinje qeveritare !

  11. skelari says:

    Mero, si kendveshtrim te pergjithem per vleren e ujit, dakord jam, por nje verejtje per skepticizmin tend per pamundesine per uje 24 ore, e kam…
    Prej depozitave neper Tirane sot shumica derrmuese e banoreve kane uje 24 ore, por edhe ata qe nuk kane, sherbimet qe duan uje i kryejne ne ate orarin qe vjen uji, pra e perqendrojne konsumin ditor ne pak ore. Pra njerezit furnizohen me ujin e nevojshem per 24 ore, prej Ujesjellesit te Tiranes, por fatkeqesisht kjo sasi uji perthithet shume shpejt pej linjes, kur leshohet uji, pasi gjithe depozitat hyjne ne faze mbushjeje, e gjithe hallexhinjte pa depozite bejne dush e lajne rroba, ne ate moment.
    Duke nxjerre nga puna depozitat ne zona te caktuara, te vogla, duke u leshuar uje 24 ore (vetvetiu aton nuk boshatisen, ndaj nuk thithin uje me shume se konsumi normal) e keshtu arrihet furnizimi 24 ore. Pra uji eshte, por qarkullon me regjim te keq.
    Per ilustrim mendoni nje familje qe ka vendosur depozite, e qe i vendos te gjitha pajisjet ne uje ne pune ne te njejten ore, e ne po ate ore ben dush e shkarkon rreth 20 here kaseten e wc… depozita i zbrazet per gjysem ore…
    Duhet shume strategji, e shume pak para. Fraksionizimi i linjave te furnizimit eshte pika e nisjes, per mendimin tim modest.

  12. katarakti says:

    Nga shkrimi i Meros del qarte se jemi nje shtet i shkaterruar deri ne kerthize. 27 vjet grabitje, vjedhje, shkaterrime dhe demokraci! Dhe ja ku arritem. Shqiptaret e paskan pas hak diktaturen. Vetem ajo iu vinte hakut. Ndryshe kthehen ne shtaze te terbuara, gati te vrasin njeri-tjetrin per nje pike uli. Kemi te gjitha tiparet dhe dukurite e nje shteti afrikan. A do arrije Rama te beje nje shtet europian?! Por sidoqofte ai duhet te flase publikisht per problemin e ujit te pijshem ne Shqiperi. Siç thote edhe Mero, ka nevoje per nje politike kombetare dhe afatgjate per administriimin e kesaj pasurie te paçmueshme.

  13. goni says:

    Mero Baze,don nje Politik kombetare per ujin,mir ta kete.Por uji eshte keqperdorur,zoteri,dhe Gazetaret ket pun e din mire.Pse nuk shkruajne per keqperdorimin e ujit.sepse shkrojta nje koment,dhe nuk u botua,qe bente fjale jo per ujin,por ka lidhje me ujin,sepse krahu tjeter i medaljes thote mos u bej fanatik,dhe urrejtes,militant i papermbajtur,sepse eshte qeshtje bumerangu,dhe bumerangu,hidhet vete!Izraeli,nje Vend i vogel,me sasi te vogla uji,e perdore ujin me nikoqirllek,dhe nuk e keqperdore!Pra demokracia e vetme ne lindjen e aferme,ka kthyer shkretetiren,ne toka prodhuese.Izraeli,meriton te egzistoje,dhe Skikurse qdo Popull,qe ka Vendin e vet,edhe izraeli,,pra Jahudite,u kthyen ne vendin e Tyre,sepse diku do te jetonin,pas peripecive te shumta ne bote.Prandaj,Palestinezet,ta njohin Izraelin,dhe Izraeli te njohe Palestinen,sepse nuk mund te thuhet Palestinezet,Arabet,qe per nga numri ja kalojne Izraeliteve shum here,duhet te mbysin Izraelitet,dhe te shkaterrojne Izraelin.Jo kjo nuk do te ndodhe,sepse qdo Popull ka te drejten per te jetuar.Pra keqkuptimi,ne komentin,qe shkrova para disa oresh,besoj se do te sqarohet pas ktij komenti,sepse militantet kunder izrealite, qe ju eshte erresuar shikimi,bejne fajtor nje krah,duke neglizhuar,krahun tjeter,dhe keshtu hedhin bumerangun,ku edhe shkrova me siper.

  14. Fatmir Lohja says:

    Ke të besojmë !?
    Para disa vitesh, nga UKT, u ble hidrocentrali i Lana Gregasit me 30 miljon dollarë.Kjo blerje e shitje, u propogandua ,se në Tiranë, uji do të ketë koston me të lirë,pra natyrisht edhe çmimi.Shifra e madhe tregon se fitimi i ndërmarrjes është i lartë.Blerja u bë kundërshtim me çdo ligj të shtetit Shqiptar. Publiku ribleu pronën publike.Pronat Publike kalojnë nga një inatitucion në tjetrin me transferim kapital.Ligji e përcakton qartë, prej shumë vitesh, këtë veprim kontabël.
    Para pak kohësh,Kryetari i Bashkisë,deklaroi se UKT do të administrohet me partneritet shtet privat.
    Çdo muaj fatura e ujit tek qytetarët shkon me dy zëra: Uji i pishëm,me 120 lek m3 dhe ujë i përdorur me 30 lek m3.Në shtëpia është një sahat matës për ujin.Janë të pakët në Tiranë ata që e përdorin ujin e UKT-së për ta pirë.Faturisti,me intuiten e vet,sa sheh metër kumbët në sahat, ndane fi-fti dy treguesit, me diferencë të madhe në çmim.
    Ne faturën mjerane Bashkia shton edhe këto zera:
    1Tarifë sherbimi. 2.Vlerë ujëmatësi dhe aksesor. 3.Vlera kundravajtjes. 4.Vlera e librezës. 5. Tarifa e pastrimit. 6. Taksa mbi ndertesen. 7.Taksa e përkohshme për infratstrukturën arsimore. 8. Taksa te tjera!?
    Kërkohet përsëri ngritje çmimi!? Këto veprime,kanë një arsyetim. T’u marrim paratë gjindjes që paguan rregullisht, sa të kemi shtetin në dorë.Inflacioni bën punën e vet.Pagat publike në Shqipëri janë sa gjysma e atyre në Kosove.A doni me na e lanë ndonjë lek ,t’u japim bukë e ujë fëmijëve tanë,se për gjëra tjera,nga pagat minimale, nuk tepron gjë.Edhe ne faturen e OSHEE-se te njejtat problem janë.Fut e bjer për ata që nuk bezajnë.
    Me respekt, ekonomisti i vjetër, Fatmir Lohja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje