Blendi Fevziu ka dhënë një intervistë për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, ky pyetet dhe për marrëdhëniet me Berishën dhe Ramën.
Është përfolur shumë në media për largimin tuaj nga Berisha. I keni çuar një ftesë?
Nuk kam punuar ndonjëherë për Berishën që të largohesha prej tij. Unë kam pasur një raport më miqësor me të, i cili në 2012 ngriu për arsye që i kam sqaruar disa herë. As kam bërë fjalë, as debat me Berishën. Thjesht nuk kemi komunikuar më, pas njërit prej emisioneve të mi.
Si janë raportet tuaja me Ramën jashtë ekranit? A ju ka kërkuar ndonjëherë mos ta ngacmoni më?
Raport korrekt si me gjithë politikanët e tjerë. Jo, jashtë ekranit, aq sa kemi komunikuar nuk kemi folur për emisionin apo pyetjet.
Njiheni si një nga personazhet që adhuroni udhëtimet. Cilat do jenë destinacionet e kësaj vere? A ka një vend, që ende nuk keni pasur mundësi ta vizitoni?
Padyshim që ka shumë vende që nuk kam vizituar. Por për arsye specifike, disa prej tyre nuk vizitohen në verë. Në verë qëndroj më shumë në Europë. Por kam ndërmend të vizitoj gjatë vjeshtës Birmaninë, ose Myanmarin, sixc quhet tani. Dhe më konkretisht Barganin. Një qytet magjik. Dua të vizitoj gjithashtu Ruandën dhe Panamanë. Por këto janë vetëm plane.
A ekziston një vend që ju ka zhgënjyer pasi e keni vizituar?
Jo, zakonisht jo. Çdo vend ka veçantinë e tij.
A duhet të jesh i pasur që të shëtisësh botën?
Zakonisht të pasurit edhe kur shëtisin nuk shohin gjë. Qëndrojnë në hotele të sigurta dhe të shtrenjta dhe ato nuk janë asnjëherë realiteti i vendit që viziton. Jo, udhëtimi kërkon një lloj buxheti, por gjithnjë modest. Është më shumë të dish se sa të kesh. Sot çmimet e biletave janë më të lira për të udhëtuar nga Tirana në Bangkok apo Kuala Lumpur se sa në Vjenë apo Paris. Mund t’i kontrolloni ‘online’. Hotelet në Azi dhe Afrikë kushtojnë shumë më pak se në Europë dhe transporti i brendshëm po ashtu. Ndaj varet sa do të udhëtosh.
Sa e vështirë është të jesh edhe gazetar, edhe shkrimtar?
Për mua ka qenë gjithnjë kënaqësi dhe pasion. Por çdo pasion ka brenda vetes vështirësitë e tij.
Babai i dy vajzave, a keni peng që nuk keni një djalë?
Jo, jam shumë i lumtur me vajzat dhe më vjen keq vetëm që vajzës së madhe nuk i kam kushtuar në fëmijëri kaq kohë sa po i kushtoj vajzës së vogël. Por me të madhen udhëtojmë shumë dhe ajo kënaqet në destinacionet që zbulojmë.