E FUNDIT/ Terror në Shijak, breshëri plumbash drejt binzesmenit të njohur dhe fëmijëve të tij

23 Gusht 2017, 15:12Kronika TEMA

Pak minuta më parë, në “4 rrugët e Shijakut” është qëlluar me armë drejt makinës ku po udhëtonte biznesmeni Dashamir Gjoka  dhe fëmijët e tij.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me kallashnikov drejt makinës së blinduar, por fatmirësisht pa të lënduar.

Policia ka arritur në vendngjarje dhe po merret me identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Muaj më parë me  kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, gjykata ka vendosur konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të biznesmenit Dashamir Gjoka, nga Durrësi, pasi dyshohet se kanë ardhur si pasojë e aktivitetit kriminal.

Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana prokurorisë rezulton se, me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, më datë 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Trafikimi i personave”, duke qenë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Në përfundim të gjykimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, gjykata vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme. Ditën e djeshme prokuroria njoftoi zyrtarisht se janë sekuestruar: Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë të reja. Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje